KLP gjatë seancës dëgjimore. Foto: Nensi Bogdani/BIRN
Lajme

KLP rrëzon kërkesën e ILD-së për të caktuar masë disiplinore ndaj prokurores Shqiponja Milla

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP shpalli të enjten më 25 prill vendimin për rrëzimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD për caktimin e masës disiplinore “Vërejtje kofidenciale” ndaj prokurores së Shkodrës, Shqiponja Milla.

Hetimi disiplinor i ILD ndaj prokurores Milla, ka nisur me nismë të Prokurorit të Përgjithshëm, bazuar mbi ankesën e një punonjësi të Prokurorisë Shkodër, për shkelje të rëndë nga ana e magjistrates e rregullave të solemnitetit, si dhe të rregullave të sjelljes në marrëdhëniet me palët. “[…]Lidhet me konstatimin gjatë muajit Dhjetor të vitit 2020, të disa fakteve që lidhen me shkelje të rregullave të sjelljes me personelin e administratës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër”, sqarohet në një njoftim që ILD shpërndau të enjten lidhur me vendimarrjen e KLP-së.

Sipas ILD-së, magjistratja ka shkelur rregullat e sjelljes me personelin e administratës së prokurorisë, por kjo mund të kategorizohej si shkelje e lehtë disiplinore, pasi pasojat janë pakësuar, nisur dhe nga fakti i normalizimit të marrëdhënies reciprokisht.

ILD vëren se, me qëllim që magjistratja të mos kryejë në të ardhmen shkelje disiplinore, si dhe që magjistratët e tjerë të kuptojnë që një sjellje e papërshtatshme nuk duhet kryer, i është propozuar KLP-së që ndaj Millës të caktohej masën disiplinore “Vërejtje konfidenciale”, por që u rrëzua.

Prokurorja Shqiponja Milla u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 2 prill 2023 dhe vendimi mori formë të prerë pasi nuk u ankimua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *