Komisioneri Publik Lajme

Komisioneri Publik i kërkon Kolegjit rihetim të Arben Dollapajt

Komisioneri Publik ankimoi konfirmimin nga KPK të prokurorit Arban Dollapaj, duke kërkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimi të rihetonte pasurinë e tij. Komisioneri thotë se kishte marrë dy denoncime të reja, ndërsa pretendon se hetimet e KPK-së nuk ishin të plota.

Seanca e KPK-ë për prokurorin Arben Dollapaj | Foto nga : Besar Likmeta

Pasi ka marrë dy denoncime në gusht dhe në nëntor sa i përket pasurive të prokurorit Arben Dollapaj, Komisioneri Publik njoftoi të martën se kishte apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK-së për të konfirmuar Dollapajn në detyrë.

Komisioneri Florian Ballhysa megjithatë ndryshe nga raste të ngjashme nuk ka kërkuar shkarkim të Dollapajt, por rihetim të tij sa i përket kriterit të pasurisë duke cilësuar hetimin e kryer nga Komisioneri Publik si të paplotë.

“Komisioneri Publik, konstaton se procesi i hetimit i Komisionit, për të tre kriteret e rivlerësimit ka mangësi dhe për rrjedhojë në gjendjen që janë aktet nuk mund të konkludohet se subjekti i rivlerësimit është në kushtet e parashikuara nga neni 59, pika 1, e ligjit nr.84/2016”, thuhet në ankimin e Komisionerit.

Komisioneri thotë se ishin administruar dy denoncime, sipas të cilave deklarimet e Dollapajt për shtëpinë që ka më të vëllain në Tiranë dhe shtëpinë në Valbonë nuk ishin të sakta. Komisioneri thotë se veç denoncimeve një sërë elementësh ishin lënë pa hetuar nga KPK, përfshi burimin e ligjshëm të pasurive të të vëllait.

Prokurori i Apelit në Shkodër Arben Dollapaj u konfirmua në detyrë në 6 gusht të këtij viti nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Sipas vendimit të zbardhur rivlerësimi i tij u krye në të tre kriteret, por u fokusua kryesisht në marrëdhëniet financiare brenda familjes, me vëllanë, nënën dhe motrat në SHBA, ndërsa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta konfirmonte atë në detyrë.

Treshja që hetoi Dollapajn me Lulzim Hamitaj kryesues, Olsi Komici relator dhe Brunilda Bekteshi anëtare, arriti në përfundimin se prokurori i cili kandidon për Këshillin e Lartë të Prokurorisë “ka arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë”, po ashtu ai u gjet i përshtatshëm dhe i aftë profesionalisht.

Denoncimet

Megjithatë pas konfirmimit Komisioneri Publik ka administruar dy ankesa, kryesisht sa i përket pasurive të Dollapaj. Sipas ankesës drejtuar KPA ku kërkohet rihetim i çështjes, Komisioneri thotë se dy denoncimet lidheshin me shtëpinë e Dollapaj në Tiranë dhe me atë në Valbonë.

Sipas kërkesës së përpiluar nga Ballhysa në një rast denoncuesi pretendon se shtëpia e deklaruar si 3 kate në vendimin e zbardhur të KPK-së, është në fakt 4 kate. Në këtë pikë Komisioneri kërkon që KPA të hetojë nëse ka apo jo një kat të padeklaruar në këtë godinë.

Po ashtu Komisioneri thotë se bazuar në denoncime shtëpia në Valbonë e deklaruar si e tillë nga Dollapaj, në të cilën ky i fundit ka në pronësi ¼ nuk ishte banesë, por shërbente për hoteleri. Duke iu referuar deklarimit të Dollapaj se ndërtesa ishte blerë me kërkesë të nënës, pasi ajo kishte lindur në atë zonë dhe se ishte shtëpi banimi, Komisioneri thotë se duhej verifikuar funksioni i vërtetë i banesës gjë që nuk është kryer nga KPK.

“Nënvizojmë se denoncimet e ardhura nga publiku në drejtim të subjektit të rivlerësimit z. Arben Dollapaj, parashtrojnë fakte që tregojnë se ndërtimi në ***, nuk është në kushtet e shtëpisë së banimit për të plotësuar dëshirën për të patur një banesë në vendlindje, sikurse është deklaruar nga subjekti dhe pranuar në vendim nga Komisioni”, thuhet në kërkesën për apelim, ku theksohet se ndërtesa ofron shërbime hotelerie.

Hetimet e paplota

Komisioneri në kërkesën për KPA për të rihapur hetimin administrativ thekson se në hetimin e KPK-së ishin gjetur një sërë mangësish. Kështu sipas tij KPK nuk kishte hetuar burimin e ligjshëm të pasurive të personave të lidhur, përfshi vëllain, motrat në SHBA që i kanë bërë Dollapajt disa dhurata dhe të personit që kishte kryer me “çmim preferencial” ndërtimin e katit shtesë të shtëpisë në Tiranë.

Komisioneri thotë se nuk ishte verifikuar si duhet  mundësia e konflikteve të interesit me ndërtuesin. Sipas tij çmimi i paguar për ndërtimin ishte më i ulët se sa çmimi real dhe se hetimi duhej të zbulonte arsyet e këtij çmimi preferencial. Komisioneri thotë po ashtu se duhej të ishte hetuar nëse ndërtuesi kishte pasur çështje në prokurori dhe nëse ishim përpara konfliktit të interesit. Sipas Ballhysës verifikimi i kësaj situate mund të ndryshojë edhe vlerësimin në kriterin e figurës sa i përket Dollapajt.

Komisioneri vlerëson se KPK nuk kishte konsideruar si person tjetër të lidhur vëllain e prokurorit, gjë që sipas Ballhysës duhej të ishte bërë dhe po ashtu duhej të ishte kërkuar burimi i ligjshëm i pasurisë së këtij të fundit.

Po ashtu Komisioneri thotë se huaja 25 mijë euro marrë nga një i afërm në SHBA nuk ishte hetuar plotësisht dhe as ishte hetuar personi që e kishte dhënë këtë hua si person i lidhur. “Si rrjedhojë nuk është përmbushur edhe detyrimi kushtetues dhe ligjor i hetimit të justifikimit të ligjshmërisë së burimit të krijimit të pasurisë”, thuhet në ankim. KPK e pati cilësuar të ezauruar këtë pikë duke iu referuar faktit se huaja kishte kaluar përmes bankave në SHBA.

Përndryshe Komisioneri kërkon hetim më të plotë edhe sa i përket dhuratave nga motrat duke i cilësuar ato si persona të lidhur. Ai kërkon verifikim të një automjeti me vlerë 25 mijë dollarë në pronësi të motrës së subjektit e cila ndodhet në SHBA, ndërsa makina e rregjistruar në Shqipëri. “Me interes për hetimin do të ishte dhe administrimi nga ana e AMF së historikut të pagesës së siguracionit (TPL, karton jeshil) ndër vite për këto mjete, për të konkluduar në lidhje me përdoruesit e tyre, hetim që është kryer dhe në raste të ngjashme nga ana e Komisionit”, thuhet në ankim.

Sipas Komisionerit, megjithëse dhuratat ishin deklaruar në deklaratat vjetore, mungonte informacioni dhe nuk ishte kryer hetim për të parë nëse për to ishin paguar tatimet. “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, mangësitë e hetimit nga ana e Komisionit qëndrojnë përsa i takon verifikimit të burimit të ligjshëm dhe pagesës së detyrimeve tatimore për vlerat monetare të dhuruara ndër vite subjektit të rivlerësimit z. Arben Dollapaj”, thuhet në ankim.

Ngjashëm ai kërkon që të hetohet përfitimi i një kredie të butë. Duke iu referuar hetimeve të bëra në raste të ngjashme Komisioneri thotë se duhej të ishte verifikuar nëse Dollapaj plotësonte kushtet për kredinë e butë dhe nëse kishte apo jo në këtë rast fiktivitet për qëllim përfitimi kredie.

“Komisioneri Publik vlerëson se nepërmjet këtij instrumenti procedurial (ankim), do të bëhet e mundur që këto mangësi të vërejtura gjatë hetimit administrativ nga ana e Komisionit, të mund të riparohen gjatë shqyrtimit të ankimit nga ana e Kolegjit”, thuhet në ankim. Komisioneri sidoqoftë nuk kërkon shkarkim për Dollapaj, por i kërkon KPA-së që të rihetojë çështjet e ngritura prej tij dhe të vendosë bazuar në rezultatet e saj të hetimit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *