Tre gjyqtarët e Apelit, Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Ndërpritet rivlerësimi për Petraq Dhimitrin, gjyqtarin e çështjes “el-classico”

Një nga tre gjyqtarët e dënuar në shkallë të parë dhe në pritje të apelit për korrupsion në çështjen e njohur si “el classico”, Petraq Dhimitri, u hoq nga lista e magjistratëve për rivlerësim pasi mësohet se ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni.

Tre gjyqtarët e Apelit, Durrës, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e rivlerësimit për gjyqtarin e gjykatës së apelit të Durrësit Petraq Dhimitri pasi ky i fundit mësohet se ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni gjyqtarit në një kërkesë te Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Dhimitri është aktualisht në pritje të apelit pasi u dënua nga gjykata e shkallës së parë për krimet e rënda për veprën penale të korrupsionit aktiv të gjyqtarit bashkë me dy të tjerë. Dhimitri është deklaruar në gjykatë i pafajshëm.

Ndërprerja e vetingut për shkak të dorëheqjes sjell edhe humbjen e të drejtës së Dhimitrit për t’u emëruar si gjyqtar ose prokuror për një periudhë së paku 15 vjeccare.

Në vendimin e arsyetuar të KPK shpjegohet se ndërprerja e procesit të rivlerësimit ka ardhur pas depozitimit më datë 24 janar, të një vendimi të Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ për mbarimin e statusit të magjistratit për Dhimitrin, për shkak të dorëheqjes së tij.

Komisioni argumenton se magjistrati mund të kërkojë mbarimin e statusit, nëpërmjet paraqitjes së dorëheqjes para Këshillit përkatës dhe se nuk është e nevojshme të jetë e arsyetuar.

Në vendim thuhet se Komisioni e ftoi Dhimitrin, për t’u shprehur nëse dëshironte të ushtronte të drejtën për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore. Gjyqtari Petraq Dhimitri ka preferuar të mos e ushtrojë këtë të drejtë.

“Ju konfirmoj vullnetin tim për të mos ushtruar të drejtën për t’u dëgjuar nga Komisioni në seancë dëgjimore”, ka deklaruar Dhimitri për Komisionin më datë 1 korrik nëpërmjet një email-i.

“…Trupi gjykues çmon se procesi i rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, z. Petraq Dhimitri, duhet të ndërpritet…”, konkludon trupi gjykues i KPK i përbërë nga Pamela Qirko kryesuese, Roland Ilia relator dhe Brunilda Bekteshi anëtare.

Petraq Dhimitri është në gjykim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprën penale të korrupsionit.

Tre gjyqtarët e Apelit të Durrësit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno u shpallën fajtorë më 29 tetor 2019 dhe u dënuan nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda me nga 2 vjet burg secili për veprën penale të korrupsionit, ndërkohë që biznesmeni Namik Sadik, i akuzuar se u ka paguar atyre udhëtimin në Madrid, u dënua me një vit burg.

Tre gjyqtarët akuzohen se kanë ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014 në shoqërinë e biznesmenit Namik Sadik, pronari i një kompleksi turistik në Durrës dhe se udhëtimi është paguar prej tij. Ky udhëtim përfshinte ndjekjen e ndeshjes së futbollit midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.

Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi t’u heqë tre gjyqtarëve të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. Të pandehurit përfituan ulje me 1/3 e dënimit për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar.

Lexo më shumë:

Gjyqtarët e derbit ” El Classico ” dënohen me nga 2 vjet burg për korrupsion

Gjyqtarët e Apelit Durrës ‘bujtën’ në shtëpinë e eksponentit të Kamorrës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *