Gjyqtarja Alkelina Gazidede gjatë seancës së dytë dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtarja Alkelina Gazidede përballet me akuza për “njëanshmëri dhe konflikt interesi”

Në seancën e dytë dëgjimore, gjyqtares Alkelina Gazidede iu vu në dukje një denoncim që ngrinte dyshime për njëanshmëri në dy vendime të prishura nga Gjykata e Lartë dhe dyshimet për konflikt interesi. Gazidede mohoi akuzat, ndërsa kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Gjyqtarja Alkelina Gazidede gjatë seancës së dytë dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit, Alkelina Gazidede u përball në një seancë të dytë dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me një denoncim që ngrinte dyshime për konflikt interesi dhe gjykim të çështjeve të njëjta në dy shkallë të gjyqësorit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përbërë nga Suela Zhegu kryesuese, Genta Tafa Bungo relatore dhe Firdes Shuli anëtare, bëri me dije se çështja ishte shtyrë, pikërisht për shkak të denoncimit të marrë në ditën e seancës dëgjimore të 10 janarit 2020.

Sipas denoncuesit, Gazidede kishte shqyrtuar si gjyqtare e Shkallës së Parë dhe më pas si gjyqtare e Apelit dy çështje të njëjta, duke dëmtuar paanshmërinë e procesit. Sipas denoncimit, Gjykata e Lartë që kishte shqyrtuar ankimin e palëve, e kishte përdorur këtë si argument për prishjen e vendimeve të Apelit.

Po ashtu, denoncuesi pretendonte se Gazidede ishte në konflikt interesi dhe se kishte gjykuar çështje me palë kompaninë Albtelekom, në të cilën kishte aksione.

Gazidede i kundërshtoi akuzat. Ajo tha se për një nga çështjet, gjykimi i saj kishte qenë i arshivuar dhe edhe pse palët ishin të njëjta dhe objekti i saj i ngjashëm.

Gazidede tha se në rastin e dytë, ajo nuk kishte gjykuar çështjen siç përmendej në denoncim, por kishte zhvilluar vetëm një seancë paraprake. Gjyqtarja tha se kjo seancë kishte dështuar, pasi palët nuk kishin qenë të pranishme dhe pas kësaj ajo kishte kaluar në dhomën penale dhe çështja ishte rishortuar.

E pyetur nga relatorja se pse Gjykata e Lartë kishte vendosur të prishte vendimet e Apelit Administrativ, nisur edhe nga prania e saj në këto çështje më herët, Gazidede tha se “Gjykata e Lartë nuk kishte pasur arsye ta shikonte kaq thellë rastin”. Ajo vuri në dukje se vendimet kishin qenë unanime dhe se prania e saj nuk kishte ndikuar në proces.

Gazidede po ashtu mohoi akuzat për konflikt interesi për shkak të aksioneve në kompaninë Albtelekom. Ajo tha se aksionet, prej të cilave ishte hequr dorë, ishin të papërfillshme. “Janë vetëm 0.000333 për qind,” tha ajo, duke theksuar se ishin përfituar nga bashkëshorti si punonjës i kompanisë kur ajo ishte shtetërore. Ajo shtoi se vlera e tyre ishte e vogël dhe se asnjëherë nuk kishin përfituar dividentë nga kompania.

“Nëse de jure vlerësohet si shkelje, de fakto s’ka pasur pasoja,” shtoi jo, duke theksuar se vlera e aksioneve kishte qenë vetëm në letër.

Gazidede e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë në Gjykatën e Tiranës. Ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit në nëntor 2013 me dekret të Presidentit të Republikës.

Në janar të këtij viti ajo u përball në seancë dëgjimore me një raport negativ nga Inspektoriati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Konfliktit të Interesit, ILDKPKI dhe me barrën e provës për disa prej pasurive. KPK vuri në dukje disa mosdeklarime dhe mungesë burimesh.

Gjyqtarja pretendoi se mosdeklarimet ishin “gabim njerëzor”, ndërsa kërkoi të merreshin parasysh punë dhe të ardhura që nuk ishin parë nga Komsioni.

Edhe në këtë seancë, asaj iu vu në dukje si konflikt interesi pasja e askioneve, ndërsa u tha se i ishte kaluar barra e provës edhe për një sërë gjetjesh në kriterin e profesionalizmit. Gazidede ka kërkuar në të dy seancat konfirmimin në detyrë. Vendimi pritet të njoftohet më 10 korrik 12.00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *