KLP gjatë seancës dëgjimore. Foto: Nensi Bogdani/BIRN
Artikull kryesor ! Lajme

Kolegji fshikullon KLP për vendimarrje “absolutisht të papranueshme”

Kolegji i Posaçëm i Apelimit deklaroi të premten shkarkimin nga detyra të prokurorit Kujtim Luli dhe denoncoi një vendimarrje të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në favor të tij si “absolutisht të papranueshme” dhe në kundërshtim me ligjin.

Përmes një njoftimi për shtyp, trupa gjykuese e KPA bëri me dije se pasi e kishte marrë vendimin për Lulin më 3 tetor dhe kishte njoftuar se do ta shpallte atë më 6 tetor, subjekti i rivlerësimit kishte vënë në lëvizje Këshillin e Lartë të Prokurorisë përmes një kërkese për përfundimin e statusit të magjistratit për shkak të moshës së pensionit.

BIRN mësoi se Luli e kishte bërë kërkesën më 4 tetor dhe një ditë më pas, KLP u mblodh me urgjencë dhe e miratoi atë. Pas vendimit për përfundimin e statusit të magjistratit, ky vendim iu njoftua Kolegjit po me 5 tetor si nga KLP, ashtu edhe nga Luli, i cili kërkoi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për shkak se nuk e gëzonte më statusin e magjistratit.

Por KPA e konsideron këtë si të papranueshëm.

“Në këto kushte, kur vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kërkesa e subjektit të rivlerësimit kanë ardhur pasi trupi gjykues i Kolegjit e kishte marrë vendimin, ato janë absolutisht të papranueshme, sepse janë paraqitur jashtë çdo afati procedurial dhe pasi vendimi përfundimtar për procesin e rivlerësimit ishte marrë,” deklaroi KPA.

Po ashtu, Kolegji konstatoi se vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për Lulin parashikon hyrjen në fuqi menjëherë, çka sipas KPA-së bien ë kundërshtim me ligjin 115/2016 që parashikon një afat 15 ditor si periudhë kur ndaj aktit administrativ mund të bëhet ankim.

“Me fjalë të tjera, vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorise nuk ka hyrë ende në fuqi”, citohet në njoftimin e KPA që sqaron se megjithëse ky argument nuk lidhet me moskonsiderimin e akteve të dorëzuara nga Luli, është vlerësuar i rëndësishëm për t’u sjellë në vëmendje të publikut.

Pas njoftimit të Kolegjit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e mbrojti vendimin për mbarimin e statusit të prokurorit Kujtim Luli si në përputhje me ligjin. Sipas KLP-së, afatet për shqyrtimin e kërkesës ishin gjithashtu në përputhje me pikën 5 të ligjit “për statusin e magjistratit”.

“Këshilli nuk ka mundësi të refuzojë kërkesën, nëse subjekti ka mbushur moshën 67 vjeç siç parashikon ligji për daljen në pension. Duke qenë se kjo procedurë administrative ka nisur me kërkesë të vetë subjektit dhe është pranuar e plotë, si dhe për faktin se nuk ka palë të tjera të përfshira në këtë procedurë, atëherë askush nuk legjitimohet të ankimojë këtë vendim,” pretendoi KLP në reagim.

Prokurori Kujtim Luli i Prokurorisë së Përgjithshme u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e vetingut, por çështja u dërgua përpara Kolegjit nga komisioneri Florian Ballhysa, i cili pretendoi se subjekti nuk i kishte deklaruar shpenzimet për arsimimin e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se nuk kishte burime të ligjshme për t’i justifikuar ato.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, Ballhysa kërkoi shkarkimin nga detyra të subjektit me argumentin se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm të kursimeve dhe shpenzimeve, ndërsa Luli kërkoi konfirmim duke pretenduar se interpretimi i ligjit nga ana e Ballhysës ishte i gabuar.

Të premten, Kolegji shpalli vendimin për shkarkimin e Lulit, i cili ishte marrë me shumicë votash nga trupa e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomon dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama e Rezarta Schuetz.

Gjatë shpalljes së vendimit, kryesuesja Natasha Mulaj theksoi se subjekti kishte bërë vazhdimisht deklarime kontradiktore gjatë procesit të hetimit administrativ.

“Subjekti ka qenë kontradiktor dhe ka treguar mungesë transparence,” tha Mulaj dhe shtoi se Luli gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për depozitimet cash të kryera në sistemin bankar dhe mbulimin e shpenzimeve të shkollimit të fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *