Lajme

KPA prish vendimin e KPK për gjyqtaren Entela Shedula

Gjyqtarja e Gjykatës së Kavajës do të rihetohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, ndërsa vendimi i KPK që e shkarkonte atë nga detyra për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë u prish të enjten nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Vendimi për Shedulën është ndër rastet e rralla të kthimit të çështjeve pas në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Sipas shpalljes së bërë nga Kolegji, kjo bëhej pasi Komisioni e kishte mbyllur procesin për Shedulën vetëm në një kriter.

“Të prishë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 254, datë 04.06.2020, që i përket subjektit të rivlerësimit znj. Entela Shedula. Të urdhërojë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të vazhdojë të kryejë procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, znj. Entela Shedula, edhe për kriteret e kontrollit të figurës dhe të vlerësimit të aftësive profesionale”, thuhet në vendimin e Kolegjit.

Shedula, që mbante pozicionin e kryetares së Gjykatës së Rrethit Kavajë, u shkarkua nga Komisioni i Psavarur i Kualifikimit më 4 qershor pasi sipas KPK-së u gjet me mungesë burimesh financiare për ndërtimin e një vile tre katëshe dhe blerjen e një autoveture; si dhe deklarime të pasakta e të pamjaftueshme për të ardhurat dhe për pasuritë.

Pas vendimit të shkarkimit gjyqtarja ankimoi në Kolegj. Ky i fundit gjatë shqyrtimit të çështjes në dhomë këshillimi, gjeti se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, një trupë e përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Brunilda Bekteshi anëtare, kishte kryer shkelje procedurale.

Për të korrigjuar shkelje trupa e KPA e kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Sokol Çomo dhe anëtarë Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, vendosi të rihapë procesin dhe të mbajë seancë publike. Pasi dëgjoi pretendimet e Shedulës në seancë publike dhe mori prova të reja, KPA vendosi se qëndrimi i KPK për pamjaftueshmëri në deklarimin e pasurisë nuk qëndronte.

Kolegji arsyetoi se Shedula ka arritur nivel të besueshëm në deklarimin e pasurisë dhe se duhet t’i nënshtrohet vetingut edhe në dy kriteret e tjera.