Prokurori Valentin Preçi pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: LSA.
KP Lajme Veting

ONM kërkon ankimin e konfirmimit të prokurorit Valentin Preçi

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i kërkon Komisionerit Publik të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Valentin Preçi.

ONM vë në dukje disa probleme nga hetimi administrativ i pasurive të Preçit, si përfshirjen si burim financiar të vjehrrit vetëm gjatë hetimit të KPK-së, mungesën e provave sa i përket të shpenzimeve të jetesës së bashkëshortes në SHBA dhe dyshimeve për kontakte të papërshtatshme të pa deklaruara.

“Në dritën e këtyre çështjeve, një vlerësim i saktë i të gjithë elementëve të listuar më sipër do të sillte me gjasë shkarkimin e subjektit nga detyra”, thuhet në rekomandim që u bë publik nga Komisioneri Publik të mërkurën.

Sipas rekomandimit hetimi i KPK-së në rastin Preçi ka disa mangësi dhe nuk vlerësoi si duhet çështjet e ngritura duke e bërë vendimin të paqartë. “Nuk duket se mbështetet në provat e paraqitura. Devijon nga standardet tipike të KPK-së dhe nga principet dhe udhërrëfyesi e vendosur nga Kolegji i Apelimit”, thuhet në rekomandim sa i përket vendimit të Komisionit.

Rekomandimi bazohet kryesisht në rivlerësimin e kriterit të pasurisë, ndërsa vë në dukje se Preçi nuk solli prova të mjaftueshme për të rrëzuar barrën e provës. Sa i përket financimit të pagesave të një kredie nga vjehrri, ONM vë në dukje se KPK mori të mirëqenë pretendimet dhe përdori në mënyrë të gabuar si analogji rastin e pagimit të shpenzimeve të udhëtimit.

Sipas ONM-së në këtë rast Preçi do duhej ta kishte deklaruar këtë burim financimi dhe do duhej të provonte mundësitë financiare te vjehrrit për të mbuluar shpenzimet në fjalë.

“Subjekti nuk e kishte deklaruar asnjëherë më parë burimin e pagimit të kësteve të kredisë”, thuhet në rekomandim.

Rekomandimi po ashtu përmend edhe shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet e jetesës së bashkëshortes së Preçit në SHBA dhe bë me dije se ai kishte ndryshuar deklarimin sa i përket këtij fakti. ONM kërkon rivlerësim të të ardhurave të pretenduara nga bastet.

OMN kërkon po ashtu rivlerësim sa i përket kriterit të figurës ndërsa vë në dukje se Preçi nuk kishte deklaruar si kontakte të papërshtatshme udhëtimet me vëllezërit Frroku në Kosovë dhe në Malin e Zi, pavarësisht se njëri prej tyre ishte përfshirë në krimin e organizuar.

“Sa i përket këtyre takimeve të rastit, është me rëndësi të shënohet se nuk pati një analizë të kontakteve dhe të historisë së tyre”, thotë ONM duke fajësuar KPK për hetim jo të plotë.

Vëzhguesit po ashtu i mëshojnë mënyrë se si janë cilësuar dhurimet që Preçi ka marrë dhe se si ato ndikojnë në profesionalizmin dhe etikën e tij profesionale.

Preçi u konfirmua në detyrë në janar të këtij viti, nga një trupë e përbëra nga nga Firdes Shuli kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Olsi Komici anëtar. Shuli dhe Komici vendosën në favor të konfirmimit, në mendim pakice Pine votoi për shkarkimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *