Prokurori Besnik Cengu në seancën para KPK-së.
KPK Lajme Veting

“Pension i parakohshëm”: Besnik Cengu kundërshton sanksionin 15-vjeçar

Prokurori Besnik Cengu i Prokurorisë së Tiranës u përball të enjten më 2 mars 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore kundërshtoi konkluzionet paraprake për ndërprerjen e procesit të vetingut ndaj tij dhe vendosjen e sanksionit që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë, për shkak të kërkesës së tij për pension të parakohshëm, të pranuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Cengu është kryer nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Willem Brower.

Besnik Cengu e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore. Ai punon prej vitit 2005 si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Tiranë.

Relatori Roland Ilia sqaroi se prokurori Cengu ka depozituar në KLP një kërkesë për dalje në pension të parakohshëm. Sipas Ilias, KLP ka vendosur në janar të këtij viti të pranojë kërkesën e Cengut, si dhe të deklarojë përfundimin e statusit të magjistratit për këtë subjekt rivlerësimi.

Cengu është thirrur për t’u dëgjuar në seancë dëgjimore, por ai ka njoftuar se nuk do ta ankimonte vendimin e KLP-së. Në vijim, KPK është njoftuar prej Gjykatës Administrative të Apelit se subjekti nuk ka kryer ankim.

Ilia shpjegoi se kërkesa e subjektit për daljen në pension të parakoshëm që sjell si pasojë edhe përfundimin e statusit të magjistratit, konsiderohet si heqje dorë nga ky status. Për rrjedhojë, është vlerësuar që procesi i rivlerësimit të ndërpritet dhe të vendoset sanksioni që i ndalon prokurorit Cengu të rikthehet në sistemin e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Prokurori Cengu i kundërshtoi konkluzionet paraprake të Komisionit. Ai theksoi se dalja në pension të parakohshëm ishte i njëjtë me daljen në pension pleqërie. Ai sqaroi se e kishte bërë këtë kërkesë për arsye shëndetësore pasi vuan nga zemra dhe nuk mund të përballojë punën.

Por, Cengu këmbënguli se nuk kishte dhënë dorëheqje nga detyra apo nga statusi i magjistratit ashtu si konstaton Komisioni. Ai e cilësoi të pabazuar në ligj përfundimin paraprak të KPK-së dhe kërkoi që procesi i rivlerësimit të tij të përfundojë pa një vendim përfundimtar, duke mos u sanksionuar.

“Ju thoni se konfirmohet vullneti i pavesuar i subjektit për dorëheqje. I pavërtetë ky pretendim. Nuk kam dhënë dorëheqjen dhe kërkesa nuk konfirmon vullnetin për dorëheqje”, deklaroi ai dhe theksoi se kishte kërkuar vetëm miratimin e pensionit të parakohshëm.

“Çmoj se gjendemi në kushtet kur objekti dhe qëllimi i procesit të rivlerësimit është bërë I pamundur dhe se duhet që të përfundojë pa vendim përfundimtar”, deklaroi Cengu dhe solli në vëmendje të Komisionit një vendim të Gjykatës së Lartë që sipas tij përcakton se dalja në pension të parakohshëm nuk mund të konsiderohet si dorëheqje.

Ai shpjegoi se vuan nga zemra prej 10 vitesh dhe se nuk do të kërkonte të rikthehej më në detyrë, pasi nuk ishte në gjendje të punonte. Cengu shtoi se kërkonte që të mos vendosej ndalimi 15-vjeçar, pasi nuk i dukej i drejtë dhe i bazuar në ligj.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të premten më 3 mars, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *