Prokurorja Aida Cakaj pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Prokurorja Aida Cakaj përballet pa probleme me vetingun

Prokurorja Aida Cakaj e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier u përball pa probleme me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK gjatë seancës dëgjimore të enjten më 2 mars 2023. Hetimi administrativ për prokuroren Cakaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtar Roland Ilia. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Aida Cakaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe punon prej asaj kohe si prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.

Relatorja Tafa deklaroi se nuk janë gjetur probleme në llogarinë bankare të pagës së subjektit, ku në momentin e plotësimit të deklaratës “veting” ka pasur gjendje në shumë 549 mijë lekë. Po ashtu, subjekti ka rezultuar me burime financiare të mjaftueshme për blerjen e një automjeti tip “Fiat Punto” në vitin 2016 kundrejt çmimit 280 mijë lekë.

Prokurorja Cakaj deklaroi se gjendja në llogarinë e pagës ishte krijuar pasi kishte tërhequr çdo muaj aq vlera monetare sa i janë nevojitur për shpenzime. Ajo tha se kishte zgjedhur këtë mënyrë të menaxhimit të të ardhurave nga paga, me qëllim që të ishte sa më transparente.

Komisioni ka konstatuar deklarime të sakta dhe burime financiare të mjaftueshme edhe për një llogari kursimi të bashkëshortit në shumën 170 mijë lekë; gjendjen 55 mijë lekë në llogarinë e tij të pagës; si dhe një gjendje cash në shumën 100 mijë lekë – të gjitha të deklaruara se janë krijuar nga të ardhurat nga puna.

Sipas KPK, subjekti ka kryer deklarim të saktë edhe për përdorimin e një apartamenti në qytetin e Fierit kundrejt qirasë.

Në seancë nuk u evidentuan probleme për banesat e zotëruara prej prindërve të subjektit në qytetin e Patosit, një të përfituar nëpërmjet privatizimit në vitin 1995 dhe tjetra e blerë në 98-ën, kur prokurorja Cakaj ka qenë ende në moshë të mitur.

Cakaj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës si dhe u evidentuan gjetje pozitive në aspektin profesional.

E vetmja gjetje për profesionalizmin kishte të bënte me një rast kur një vendim mosfillimi hetimesh ishte marrë jashtë afatit një mujor të përcaktuar në udhëzimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Cakaj shpjegoi se tekjalimi i afatit kishte ndodhur për shkak të mbërritjes me vonesë të një akti ekspertimi të kërkuar prej saj. Subjekti theksoi se kishte provuar me dokumentacion se kishte bërë gjithë përpjekjet e mundshme që akti të mbërrinte në kohë.

Prokurorja Cakaj vërejti se shkelja ka ndodhur në kohën e stazhit profesional dhe se prek vetëm një udhëzim – megjithatë ajo e konsideroi si konstatim të drejtë.

Në fund të seancës, prokurorja Aida Cakaj kërkoi që pavarësisht situatës aktuale publiku të mos humbasi besimin tek sistemi i drejtësisë. Ajo kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të premten më 3 mars, në orën 09:55.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *