Gjyqtarja Ardiana Bera | Foto: Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Veting

KPK konfirmon në detyrë gjyqtaren Ardiana Bera

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten më 26 prill vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Tiranës, Ardiana Bera. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar Alma Faskaj, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Pamela Qirkon.

Gjatë seancës dëgjimore të mërkurën u relatua se KPK i kishte kaluar Berës barrë prove për një bilanc negativ në disa vite, si dhe ju kërkuan shpjegime për vendimin në të cilin ka qenë anëtare e trupës që shpalli të pafajshëm gardistët e akuzuar për vrasjet e protestuesve më 21 janar të vitit 2011. Bera këmbënguli se kishte pasur të ardhura të ligjshme, ndërsa tha se vendimarrja e gjykatës mund të kontrollohej vetëm nga një gjykatë më e lartë.

Bera e ka filluar karrierën në vitin 1997 dhe deri në vitin 2010 ka ushtruar funksionin si gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Në vitin 2010 ajo është transferuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Bera njihet nga opinioni publik për gjykimin e çështjes kundër oficerëve të gardës, Ndrea Prendi dhe Agim Llupi, të akuzuar për vrasjen e protestuesve gjatë tubimit të 21 Janarit, 2011.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *