Kreu i KLP, Alfred Balla pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

“Më pa Zoti dhe Kuvendi”: Kreu i KLP bën ironi dhe aludime gjatë përballjes në Kolegj

Përballja e kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla me Komisionerin Publik, Florian Ballhysa u shoqërua të hënën me ironi, aludime dhe episode në adresë të Ballhysës dhe vëzhguesit ndërkombëtar.

Ballhysa kërkon në Kolegj ndryshimin e vendimit për Ballën dhe vendosjen e sanksionit që i ndalon kreut aktual të KLP-së që të mbajë funksione në sistemin e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Pasi u njoh me parashtrimet e Komisionerit, Balla filloi t’i komentonte ato. Ai u shpreh ndër të tjera se tek parashtrimet e Ballhysës i kishte pëlqyer firma ‘e bukur’ e këtij të fundit. Megjithëse kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama i tërhoqi Ballës vëmendjen që të mos parashtronte jashtë objektit të çështjes, ai vijoi me aludimet e tij kundrejt Komisionerit Ballhysa.

“Nuk e di nga e ka marrë frymëzimin Komisioner Publik për ankimin, në çfarë tavoline”, tha Balla ndër të tjera dhe theksoi se “Ballën e pa Zoti, shoqëria civile dhe Kuvendi që e zgjodhi”.

Pasi palët paraqitën parashtrimet dhe Kolegji u tërhoq në dhomë këshillimi për të vendosur lidhur me disa akte të paraqitura si prova nga Balla, ky i fundit ju drejtua edhe vëzhguesit ndërkombëtar, Theo Jacobs, teksa ky i fundit po shkonte për t’iu bashkangjitur trupës në vendimarrjen e ndërmjetme lidhur me aktet e dorëzuara.

“What’s up [Ç’kemi],” i tha Balla Jacobs në momentin kur ky i fundit po dilte nga salla e gjyqit. Ndërsa vëzhguesi ndërkombëtar reagoi i habitur, Balla e pyeti se “përse nuk më flet mua”.

I pyetur nga një prej të pranishmëve se përse i tërhoqi vëmendjen vëzhguesit ndërkombëtar me pyetje, Balla tha duke qeshur se në raste të tjera, Jacobs e kishte përshëndetur dhe për këtë arsye e pyeti se përse nuk po i fliste tani.

Alfred Balla u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shkurt 2018 nga Kuvendi i Shqipërisë, si përfaqësues i shoqërisë civile dhe prej asaj kohe mbante postin e zv/kryetarit. Më 28 mars të vitit 2022 ai u zgjodh kryetar i këtij Këshilli, me një mandat 2 vjeçar.

Balla ndodhet aktualisht përballë Kolegjit për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017 dhe sipas legjislacionit duhej t’i nënshtrohej procesit të vetingut. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar.

Komisionerja Valbona Sanxhaktari paraqiti mendim paralel. Ajo vlerësoi të rëndësishëm statusin ligjor në të cilin është gjendur subjekti në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për vetingun e magjistratëve, si dhe vullneti apo qëndrimi i Ballës në raport me ecurinë e procesit të rivlerësimit. Sipas saj, Balla ose duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose duhej t’i nënshtrohej dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vetingut me sanksionim 15-vjeçar.

Komisioneri Ballhysa iu drejtua Kolegjit me ankim, duke kërkuar ndryshimin e vendimit të KPK dhe vendosjen e sanksionit 15-vjeçar për kreun e KLP. Gjatë seancës së të hënës, Ballhysa u qëndroi të gjitha shkaqeve dhe argumenteve të parashtruara në ankim, duke çmuar se vendimi i Komisionit nuk është i drejtë dhe i bazuar në situatën faktike të dokumentuar nga aktet në fashikull.

Ai vërejti se Balla ka ushtruar funksionin e ndihmësit ligjor në Gjykatën e Lartë nga prilli 2014 deri në shtator të 2017-ës, duke u klasifikuar si subjekt rivlerësimi ex officio. Po ashtu, Ballhysa shtoi se kreu i KLP kishte plotësuar dhe dorëzuar deklaratën e pasurisë, atë në funksion të figurës, si dhe tre akte ligjore pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë për kontrollin e profesionalizmit.

Duke iu referuar jurisprudencës së Kolegjit, Ballhysa vlerëson se, jo domosdoshmërisht subjektet e rivlerësimit, në momentin kur fillonte procedura e vetingut duhet të mbanin të njëjtën detyrë funksionale për të cilën Kushtetuta dhe ligji i cilësonte si subjekte të tilla.

“Nga aktet e administruara konstatohet se qartazi, në momentin kur u miratuan dhe hynë në fuqi ndryshimet kushtetuese, korrik dhe gusht 2016 që parashikonin kryerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar, z. Alfred Balla ushtronte funksionin e ndihmësit ligjor, duke qenë subjekt i rivlerësimit dhe, si i tillë, duhet t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit”, konstatoi Ballhysa dhe shtoi se në shkurt të vitit 2018, kur Balla është zgjedhur si anëtar i KLP-së nga radhët e shoqërisë civile, rezultonte të ishte njëkohësisht subjekt i procesit të rivlerësimit kalimtar.

Në vijim, Komisioneri solli në vëmendje se edhe vëzhguesi ndërkombëtar ka paraqitur me shkrim në Komision mendim dhe opinion, mbi faktin se Balla është subjekt i vetingut dhe se duhet t’i nënshtrohet procesit.

Ballhysa konstaton se dhe vetë Komisioni e ka konsideruar Ballën si subjekt rivlerësimi dhe ka vazhduar procedurën e rivlerësimit.

Arsyetimin e KPK se Balla e ka humbur statusin e subjektit të rivlerësimit, jo si pasojë e përfundimit të procesit të vetingut apo e dorëheqjes së tij, por si pasojë e një akti që ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës së tij, Komisioneri nuk e gjen të drejtë dhe në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm e jurisprudencën e KPA.

“Komisioneri Publik vlerëson se subjekti i rivlerësimit, pavarësisht se nuk ushtronte detyrën e ndihmësit ligjor në momentin e zhvillimit të procesit në Komision, vazhdonte të ruante statusin e subjektit të rivlerësimit dhe, në këto kushte, procesi i rivlerësimit ndaj tij mundej të përfundohej me rivlerësimin e tri kritereve apo për shkak të vullnetit të tij ose të ndërpritej me pasojën ligjore të parashikuar nga neni G i aneksit të Kushtetutës. Në këtë kuadër, Komisionit, ashtu sikurse Kolegji ka vepruar në jurisprudencën e tij, i mbetej dhe duhej që të verifikonte vullnetin e tij për të mos iu shmangur dhe përfunduar procesin e rivlerësimit,” tha Ballhysa.

Ballhysa shtoi gjithashtu se në vitin 2018, Balla kërkonte në KPK ndërprerjen e vetingun ndaj tij dhe njëherazi kundërshtonte në gjykatë lirimin e tij nga detyra si ndihmës ligjor, duke pretenduar pavlefshmërinë absolute të atij urdhëri dhe gëzimin e statusit që kishte pasur. Po ashtu, kërkesën për njohjen e statusit si ndihmës jo magjistrat pranë Gjykatës së Lartë, Balla e ka adresuar dhe pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, që me vendimin të dhjetorit të vitit 2020 e ka pezulluar së shqyrtuari për shkak të padisë së ngritur në juridiksionin gjyqësor.

Në përfundim, Ballhysa çmon se me anë të kërkesave të tij për ndërprerje të vetingut, që janë gjetur të drejta nga KPK, Balla ka ushtruar të drejtat e tij, duke bërë një zgjedhje personale e duke shprehur vullnetin e pavesuar për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, që automatikisht shoqërohet me ndalimin që parashikon nenin G i Aneksit të Kushtetutës, për emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshme, për një periudhë 15-vjeçare.

Avokatja e Ballës, Etleva Sherifi e cilësoi të drejtë vendimit e Komisionit dhe renditi argumentet e saj përse duhej të lihej në fuqi. Sipas avokates, gjykimi i urdhërit të lirimit si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë kishte pasur si qëllim dëmshpërblimet nga pagat, pasi po përmbushej limiti i afateve.

Ajo shpjegoi se kur Balla kishte mbetur pa punë kishte aplikuar për një pozicion në KLP dhe kur ishte zgjedhur, kishte kërkuar ndërperjen e vetingut. Sipas avokates, Shkolla e Magjistraturës, ish-KLD dhe vetë Gjykata e Lartë shprehen në shkresat e tyre se Balla nuk ka pasur status të ndihmësit ligjor pas lirimit nga detyra.

Sherifi theksoi se statusi është pretenduar deri në momentin e emërimit në KLP, ndërkohë që urdhri i lirimit e kishte dhënë efektin pasi institucionet e konsideronin si ish-ndihmës ligjor.

Po ashtu, pretendoi se kërkimi i Ballës për ndërprerje të vetingut pas emërimit të tij në KLP, nuk mund të konsiderohet si shmangie nga vetingu. Sherifi nënvizoi se nuk ka asnjë akt dorëheqje që të vërtetojë pretendimin e Komisionerit.

Tjetër argument që u paraqit ishte fakti se Balla nuk kishte kryer Shkollën e Magjistraturës e për rrjedhojë, Komisionit do t’i mungonte ky komponent në rivlerësimin e profesionalizimit.

Avokatja Sherifi këmbënguli se, në kushtet që nuk ka asnjë akt ku të jetë paraqitur dorëheqja nga ana e Ballës, nuk mund të aplikohet neni G i Aneksit të Kushtetuës. Tjetër petendim ishte lidhur me vendimet e KPK që u sollën në vëmendje prej Komisionerit, për të cilat Sherifi pohoi se ishin raste të ndryshme, pasi subjektet kishin nënshkruar dorëheqjen.

Në vijim ajo parashtroi dy vendime të tjera të KPK që i cilësoi të ngjashme dhe kërkoi të merreshin si referencë. “Në dy raste të njëjta si z.Balla, Komisioneri Publik nuk i ka ankimuar”, tha Sherifi ndër të tjera shtoi se Balla është liruar nga detyra pa vullnetin e tij, ndërkohë që aktualisht ushtron funksion me tjetër status.

Sipas avokates, Balla është përzgjedhur nga Kuvendi anëtar në KLP si përfaqësues i shoqërisë civile dhe jo nga radhët e magjistratëve. Po ashtu, u soll në vëmendje se Balla i është nënshtruar verifikimeve për figurën dhe pasurinë në Kuvend, gjatë procesit të përzgjedhjes së tij si anëtar i KLP-së. Balla kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit, vendimarrje që ia lë derën hapur për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë pas përfundimit të mandatit si kryetar i KLP-së.

Në vijim, trupa gjykues e KPA u tërhoq për të vendosur lidhur me disa akte të dorëzuara nga Balla si provë, të cilat u administruan pas çeljes me shumicë votash të hetimit gjyqësor. Pasi u listuan aktet e administruara, për të cilat Komisioneri nuk pati qëndrim, KPA vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe i ftoi palët për të paraqitur konkluzionet përfundimtare – të cilat pohuan se shkurtimisht se u qëndronin të gjitha parashtrimeve.

KPA u tërhoq për të marrë vendim, që u bë me dije se do të shpallet më datë 21 maj, në orën 15:00.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *