Seanca publike e KPK për gjyqtarin Rexhep Rexhep Karaj | Foto : Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Vendi

KPK përfundon pa vendim përfundimtar vetingun për Kliton Spahiun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konkludon se ka humbur objekti dhe qëllimi i vetingut ndaj ish-gjyqtarit të Apelit Durrës Kliton Spahiu, pas shkarkimit të tij nga detyra prej KLGJ-së dhe mbarimit të statusit të magjistratit për shkak të dënimit penal të formës së prerë për korrupsion.

KPK duke shpallur një vendim | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 22 dhjetor të përfundojë procesin e vetingut për ish-gjyqtarin e Apelit Durrës, Kliton Spahiu pa një vendim përfundimtar për shkak se e ka humbur statusin e magjistratit pasi është shkarkuar nga detyra për shkak të një dënimi penal të formës së prerë.

Ish-gjyqtari Kliton Spahiu dhe dy kolegët e tij Petraq Dhimitri e Petrit Çeno u shpallën fajtorë nga ish-Gjykata e Krimeve të Rënda në tetor të vitit 2019 dhe u dënuan me nga 2 vjet burg secili për veprën penale të korrupsionit. Fajtor u shpall edhe biznesmeni Namik Sadiku, që u akuzua se u ka paguar atyre udhëtimin dhe qëndrimin në Madrid për të parë një ndeshje futbolli midis Real Madrid dhe Barcelonës, i njohur si derbi “El Classico”.

Por, ndryshe nga Shkalla e Parë. Gjykata e Posaçme e Apelit, me shumicë votash, vendosi më 22 shtator 2020 pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burg për të katër të pandehurit duke i vendosur në afat prove, me kusht që të mos kryejnë vepër tjetër penale.

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se janë investuar dy vjet për hetimin administrativ të gjyqtarit Spahiu. Në muajin qershor, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ i ka vendosur në dispozicion KPK-së vendimin e për pranimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin nga detyra të Spahiut. Më 13 dhjetor është njoftuar se vendimi kishte marrë formë të prerë pasi nuk është ankimuar prej subjektit në Kolegj dhe për rrjedhojë subjekti rivlerësimit nuk e gëzon më statusin e magjistratit.

Për këtë arsye, trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Genta Tafa Bungo konkludon se ka humbur objekti dhe qëllimi i vetingut dhe për rrjedhojë ka vendosur të përfundojë procesin e rivlerësimit pa një vendim përfundimtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *