Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Nazmi Troka pas sancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Vendi

Nazmi Troka u shkarkua për mungesat financiare dhe aktivitetin si fermer

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i konsideron deklarative pretendimet e gjyqtarit të Apelit Vlorë, Nazmi Troka se kishte përfituar miliona nga bujqësia, ndërkohë që ai dhe bashkëshortja punonin me kohë të plotë në institucione shtetërore.

Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Nazmi Troka pas sancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtari i Apelit Vlorë, Nazmi Troka u shkarkua nga detyra më 4 nëntor pasi dështoi të provonte burimet e ligjshme të pasurisë që zotëron, si dhe u gjet se ushtronte aktivitetin e fermerit në papajtueshmëri me detyrën e gjyqtarit.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit thuhet se gjyqtari Troka nuk arriti të provonte të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga bujqësia, për vlerën e të cilave u konstatua mospërputhje, si dhe për mundësinë financiare të kunatit për dhënien e një huaje 25 mijë euro.

Megjithëse shkarkimi është gjetur i drejtë nga të tre anëtarët e trupit gjykues, kryesusi Lulzim Hamitaj anëtarja Firdes Shuli dhe relatorja Suela Zhegu, kjo e fundit ka paraqitur mendim paralel për huanë, duke vlerësuar se subjekti provoi mundësinë e huadhënësit.

Nazmi Troka e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar për gati dy dekada si gjyqtar në Gjykatën e Beratit. Në vitin 2013, Troka u dekretua si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Vlorës, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin edhe aktualisht.

Në tetor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor që të vendoste masën disiplinore “ulje me 40% të pagës për 1 vit” për Trokën, me pretendimin se kishte marrë një vendim për rishikim mase sigurie në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.

Kërkesa e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u pezullua nga KLGJ deri në një vendim nga institucionet e vetingut.

Mungesat financiare

Komisioni ka gjetur pamundësi financiare të gjyqtarit Troka për dy banesat që zotëron, një shtëpi me dy kate në fshatin Tapi të njësisë administrative Perondi në Kuçovë dhe një apartament në Tiranë.

Troka ka deklaruar se ndërtimi për shtëpinë në fshat ka filluar para vitit 1991 dhe ka përfunduar në 2000-in. Në deklaratën veting ka shënuar se vlera e shtëpisë është 3.5 milionë lekë ndërsa në 2003-in 1.2 milionë lekë.

Si burim krijimi të kësaj pasurie ka deklaruar të ardhurat nga paga dhe toka bujqësore, si dhe materiale ndёrtimi tё marra nga shpёrbёrja e kooperativёs bujqёsore nё vitin 1991, si tulla, gurё nga prishja e njё magazine dhe hekur.

Komisioni e konsideron të paqartë momentin e ndërtimit dhe të përfundimit të katit të dytë të banesës pasi në deklarimin fillestar në vitin 2003 subjekti nuk ka saktësuar katet e shtëpisë. Trupi gjykues ka vlerësuar që shpenzimet për ndërtimin e këtij objekti ti përllogarisë sipas çmimeve të Entit Kombëtar të Banesave, EKB prej nga ka rezultuar një kosto totale 3.1 milionë lekë, shumë që është përfshirë në analizën financiare përfundimtare.

Komisioni nuk ka përfshirë në analizë të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga bujqësia deri në vitin 2000, pasi subjekti ka arritur të provojë se kishte paguar taksën e tokës vetëm për vitet 2004 – 2006, si dhe nga 2011 e në vijim. Ndërkohë, KPK është bindur se aktiviteti bujqësor kishte mund të ndihmonte në ekonominë familjare të gjyqtarit Troka, duke zbritur shpenzimet e jetesës. Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi në shumën 1.5 milionë lekë për krijimin e kësaj pasurie.

Për blerjen e apartamentit në Tiranë kundrejt çmimit 67 mijë euro, subjekti ka deklaruar si burime krijimi dy depozita, një në shumën 24 mijë e 970 euro dhe tjetrën 5700 euro; hua në vlerën 25 mijë euro marrë kunati dhe gjendje cash deri në vitin 2014 në vlerën 11 mijë e 330 euro.

Si burim për depozitën 24 mijë e 970 euro, Troka ka deklaruar kursimet e pagës së tij dhe të bashkëshortes, si dhe të ardhurat nga toka bujqësore dhe interesat bankare. Nga verifikimi i akteve ka rezultuar se kjo depozitë është hapur nga viti 2003 dhe subjekti e ka deklaruar saktë së bashku me shtesat në vite.

Por nga hetimi janë gjetur deklarime kontradiktore për të ardhurat e pretenduara nga bujqësia si dhe nuk është provuar me dokumentacion përfitimi i tyre për periudhën 2003 – 2014.

“Duket i paqartë angazhimi në punët e bujqësisë dhe pemëtarisë, pasi subjekti dhe bashkëshortja kanë qenë të punësuar me kohë të plotë, ndërsa 3 vajzat kanë ndjekur studimet pa ndërprerje”, konstaton trupi gjykues. Në vendim theksohet se subjekti ka arritur të provojë me dokumentacion vetëm faktin se kishte paguar taksën e tokës për vitet 2004-2006 si dhe nga viti 2011 e në vijim.

E njëjta situatë si për depozitat është konstatuar dhe për krijimin e gjendjes cash. Megjithatë, KPK ka konsideruar dhe në këtë rast pretendimet e Trokës se aktiviteti bujqësor kishte mundur të ndihmonte ekonominë e tij familjare dhe janë ulur shpenzimet e jetesës.

Sipas shumicës, Troka nuk ka arritur të provojë as mundësinë e huadhënësit për kursimin e shumës 25 mijë euro. Subjekti ka deklaruar se kunati A.M. ka emigruar në Greqi që prej vitit 1992 dhe nga verifikimi i dokumenteve të lëshuara nga autoriteti tatimor Grek, ka rezultuar se ai ka pasur të ardhura të siguruara për periudhën 2002 -2015 në shumën tutale 161 mijë euro. KPK ka hetuar për investimet e kryera nga huadhënësi nga ka rezultuar se ai ka blerë një apartament në shumën 3 milionë në vitin 2004 dhe një garazh 500 mijë lekë në 2005-ën.

Duke i përllogaritur shpenzimet e jetesës së familjes së huadhënësit sipas të dhënave statistikore të Eurostat, KPK konstaton balancë negative në shumën 16 milionë lekë e për rrjedhojë pamundësi për dhënien e huasë në 2014-ën.

Megjithëse Troka ka depozituar si provë dhe dokumente që vërtetonin se huadhnësi për periudhën 2000-2014 kishte kryer transaksione të përvitshme bankare në Greqi, depozitime dhe tërheqje dhe se në vitin 2011 kishte tërhequr dy shuma, një në vlerën 35 mijë euro dhe tjetrën 20 mijë euro të cilat i kishte depozituar në 2013-ën në Shqipëri, nuk ka arritur ta bindë KPK-në.

“[…]Shumica e trupit gjykues arriti në përfundimin se huadhënësi nuk ka pasur burime të ligjshme financiare për dhënien e huas në shumën 25.000 euro”, citohet në vendim dhe konkludohet balancë negative në shumën 1.8 milionë lekë.

Relatorja Zhegu ka shfaqur mendim paralel lidhur me mundësinë e huadhënësit A.M.. Ajo sjell në vëmendje faktin se subjekti e ka provuar me dokumentacion ligjor marrjen e huas dhe se ky veprim është kryer me transaksion bankar.

Zhegu konstaton se pas kalimit të barrës së provës, Troka ka depozituar prova ku pasqyrohen transaksionet në vite që janë kryer në llogarinë bankare prej huadhënësit. “Nga analizimi i kësaj llogarie në depozitën bankare të huadhënësit A.M […] ,duken qartë aftësitë e huadhënësit për të krijuar kursime në bankë”, argumenton Zhegu dhe shton se subjekti provoi se kunati ka tërhequr në vitin 2011 shumat 35 mijë euro dhe 20 mijë euro që janë depozituar në një bankë në Shqipëri.

Ajo rendit dhe faktet se veç të ardhurave të provuara nga puna në Greqi në shumën 161 mijë euro,  kunati subjektit ka shitur një apartament në vitin 1996 kundrejt çmimit 10 mijë USD; se ka përfituar një dhurim në shumën 3.7 milionë lekë në vitin 1995 dhe se në 2013-ën ka tërhequr një këst dëmshpërblimi në shumën 1 milion lekë.

“Nga analizimi i të dhënave bankare ka rezultuar se huadhënësi ka disponuar depozitë bankare me afat në shumën 30.000 euro datë më 27.10.2014, dhe e ka prishur këtë depozitë duke i transferuar shumën 25.000 euro, në llogarinë e subjektit me përshkrimin ‘kalim pёr blerje apartamenti nё ‘Raiffeisen Bank’ nё favor tё z. Nazmi Troka’”, argumenton Zhegu dhe duke ju referuar jurispudencën se Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, çmon se subjekti ka provuar bindshëm se huadhënësi ka pasur burime të ligjshme.

Pamundësia për të provuar të ardhurat e pretenduara nga bujqësia ka sjellë balancë negative dhe për krijimin e një gjendje cash në shumën 1 milion lekë të pasqyruar në deklaratën veting.

Gjyqtar dhe fermer

Gjyqtari Nazmi troka ka deklaruar gjatë gjatë gjithë kohës së ai dhe familjarët kanë ushtruar aktivitet privat bujqësor që nga vitit 1992 e në vijim. Në nëntor të vitit 2016, Troka është regjistruar personalisht si fermer dhe është pajsiur me NIPT në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Berat.

“Nga aktet e administruar rezulton se subjekti ushtron aktivitetin si ‘fermer’ dhe ka lëshuar fatura tatimore, ku paraqitet në cilësinë e shitësit, për shitje të produkteve bujqësore”, konstaton KPK.

Trupi gjykues sjell në vëmendje dispozitat kushtetuese, sipas të cilave “qënia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër politike ose shtetërore, si dhe veprimtari profesionale që ushtrohet kundrejt pagesës, me përjashtim të aktivitetit të mësimdhënies, akademik shkencor, si dhe delegimit pranë institucioneve të sistemit të drejtësisë, sipas ligjit”.

Megjithëse ILDKPKI nuk ka evidentuar konflikt të interesit nga subjekti në ushtrimin e detyrës së gjyqtarit në lidhje me ushtrimin e aktivitetit privat, Komisioni çmon se regjistrimi si fermer dhe gjendja në cilësinë e shitësit nga subjekti, duket se është në papajtueshmëri me detyrën e gjyqtarit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *