Gjyqtarja Saemira Hila dhe trupa që kreu rivlerësimin e saj në KPK. Foto:BIRN
KPK Vendi

Saemira Hila nuk provoi dot burimet e apartamentit në Tiranë

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarja e Lushnjës Saemira Hila nuk arriti të provojë burimet që kanë shërbyer për krijimin e likujditeteve në disa vite, për blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe të një automjeti.

Gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, Saemira Hila u shkarkua nga detyra më 5 nëntor, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ajo kishte kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin u përmbyll hetimi administrativ.

Megjithëse Hila kërkoi gjatë procesit të rivlerësimit riçeljen e hetimit dhe për dy kriterte e tjerë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, provat dhe shpjegimet e saj nuk u konsideruan të mjaftueshme për barrën e provës që i ishte kaluar lidhur me mungesat financiare për një apartament, për një automjet tip Mercedes-Benz dhe kursimet në vite.

Samira Hila e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punoi prej gati dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Lushnjës.

Mungesë e burimeve të deklaruara

Për një apartament me sipërfaqe totale 112.1 m2 në Tiranë të blerë në vitin 2011 për çmimin 82 mijë e 500 euro, Hila ka deklaruar si burime krijimi një kredi bankare në shumën 5 milionë lekë; të ardhurat nga shitja e një apartamenti të trashëguar nga prindërit të cilët e kishin përfituar nëpërmjet privatizimit; si dhe të ardhurat e kursyera nga puna e saj dhe e bashkëshortit.

Komisioni konstaton se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm në lidhje me burimet e depozitave të krijuara prej vitit 2004 deri në 2009-ën me vlerë përfundimtare 7.9 milionë lekë, prej nga ka rezultuar balancë negative totale në shumën 1 milion e 392 mijë lekë.

Nga hetimi administrativ është konstatuar se Hila dhe prindërit e saj kanë pasur mundësi për çeljen e një depozite në shumën 1 milion lekë në vitin 2004. Po ashtu ka rezultuar se dhe bashkëshorti ka pasur mundësi për të krijuar një depozitë 1 milionë lekë po atë vit me të ardhurat e tij nga puna në shtetin Italian gjatë periudhës 1996 – 2002 dhe 2004, si dhe ato nga vetëpunësimi si stomatolog në vitet 2003-2004.

Ndërkohë, nga hetimi bankar ka rezultuar se përgjatë vitit 2005 subjekti dhe bashkëshorti kanë shtuar në depozita likujditete në total në vlerën 3.4 milionë lekë, por nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi në shumën 1 milion e 392 mijë lekë për krijimin e tyre.

Komisioni nuk ka konsideruar si burim në analizën financiare të ardhurat e pretenduara si të përfituara nga shitja e apartamentit të trashëguar, pasi ky transaksion rezulton të jetë kryer dy muaj pasi është blerë apartamenti në Tiranë.

Ndërkohë, KPK nuk ka gjetur problem në burimin e tretë që ka shërbyer për blerjen e apartamentit, një kredi në të marrë në “Raiffeisen Bank”, në shumën prej 5 milionë lekësh.

Burime “të reja” gjatë vetingut

E pyetur nga Komisioni për mënyrën e pagesës së këstit të parë në shumën 25 mijë euro dhe burimin e të ardhurave, subjekti ka deklaruar se kjo shumë nuk është shlyer prej saj dhe bashkëshortit, por është parapaguar cash në zyrat e shoqërisë nga miqtë e tyre F. dhe S.Q.. Hila ka pretenduar se nuk kanë përdorur depozitën në shumën 67 mijë USD që ata kishin në “Raiffeisen Bank”, të krijuar me kursimet ndër vite, pasi maturohej më vonë dhe tërheqja e shumës do të çonte në humbjen e interesave bankarë.

Në vijim ajo ka shpjeguar se për këtë arsye ishin dakordësuar me bashkëshortët Q., që të paguanin ata këstin e parë dhe për këtë arsye i kanë pajisur me një prokurë noteriale që u jepte të drejtën për tëheqjen e depozitës së tyre në momentin e maturimit.

Subjekti ka dorëzuar si prova një deklaratë të thjeshtë të vitit 2015 të shtetasve S. dhe F. Q.; kontratë paraprake të shitjes dhe dokumentacion për përfitimin e të ardhurave nga subjekti dhe bashkëshorti i saj si stomatolog ndër vite.

Sipas deklaratës së thjeshtë bashkëshortët Q. kanë deklaruar se kanë blerë një apartament në Tiranë, në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin kat me subjektin dhe bashkëshortin e saj dhe se kur kanë paguar këstin e parë, kanë shlyer dhe pagesën për gjyqtaren Hila. Dhe shtetasit Q. kanë sqaruar në deklaratë se subjekti dhe bashkëshorti nuk e kishin tërhequr depozitën pasi nuk donin të humbisnin interesat.

Shtetasja S.Q. ka deklaruar se, pasi ajo ka tërhequr depozitën e subjektit ka mbajtur shumën 25 mijë euro që kishin paguar, kurse pjesën tjetër e ka përdorur bashkëshorti për qëllime të aktivitetit të tij valuator dhe ia ka kthyer subjektit të konvertuara në euro, në shumën 20 mijë euro.

KPK konstaton se subjekti nuk arriti të provojë deklarimin e saj të vitit 2010 dhe atë “veting” për pagesën e këstit të parë prej 25 mijë eurosh me anë të depozitës bankare, pasi nga hetimi ka rezultuar se në datën e pagesës depozita nuk është tërhequr.

Gjithashtu, trupi gjykues konkludon se Hila nuk ka arritur të provojë deklarimin e bërë rishtazi gjatë procesit të hetimit administrativ në lidhje me pagesën e këtij kësti me të ardhurat e shtetasve Q., duke marrë në konsideratë dhe faktin se ajo nuk e ka deklaruar këtë burim të vitin 2010.

Sipas Komisionit, nuk qëndron as pretendimi i subjektit se depozita nuk është përdorur për shkak se nuk ishte maturuar. “[…]Depozita ishte e lirë të përdorej nga subjekti në datën e pagesës së këstit të parë”, konstaton trupi gjykues, bazuar në faktet e rezultuara gjatë hetimit administrativ.

Komisioni nuk i ka konsideruar bindëse shpjegimet dhe provat e subjektit dhe për rrjedhojë është konkluduar pamundësi financiare në shumën 4.2 milionë lekë për pagesën e këstit të parë.

Situatë e ngjashme është konkluduar dhe për pagesën e këstit të dytë në shumën 20 mijë euro. Sipas KPK, subjekti nuk arriti të provojë se kësti i dytë është paguar me të ardhurat nga tërheqja e depozitës së deklaruar në vitet 2010 dhe 2011, pasi nuk ka pasqyruar atëherë gjendjen e mbetur pas pagesës së këstit të parë, si dhe as destinimin e vlerës së depozitës në favor të bashkëshortëve Q..

Megjithëse Hila ka pretenduar se transaksionet janë kryer nëpërmjet bankës dhe nuk ka pasur qëllime për fshehjen e tyre, KPK nuk i ka konsideruar pretendimet e subjektit se pagesa është kryer me shumën e mbetur të depozitës të kthyer nga shtetasit Q. dhe konkludon balancë negative në shumën 2.7 milionë lekë për shlyerjen e këstit të dytë.

Për këstin e tretë në shumën 37 mijë e 500 euro të shlyer me anë të kredisë së mars në shumën rreth 5 milionë lekë, nuk janë gjetur probleme.

Mungesë burimesh është konstatuar dhe për blerjen e një automjeti tip “Mercedes-Benz” në vitin 2010 kundrejt shumës 9000 euro. Në deklaratën “veting” subjekti ka deklaruar si burime krijimi kursimet e viteve të mëparshme, si edhe të ardhura nga fitimi i realizuar nga shitja në shumën 500 mijë lekë e automjetit të mëparshëm.

Trupi gjykues konstaton se Hila nuk ka pasqyruar në vitin 2010 pakësim të gjendjes cash të kursimeve të deklaruara më parë dhe për rrjedhojë ato nuk janë konsideruar në analizë. Po ashtu nuk është përfshirë as vlera 500 mijë lekë nga shitja e mjetit, pasi subjekti nuk e deklaruar si burim në 2010-ën. Në përfundim është konkluduar pamundësi financiare në shumën 1.2 milionë lekë për blerjen e makinës në 2010-ën.

Sipas KPK, pamjaftueshmëri e burimeve të ligjshme ka rezultuar dhe në krijimin e gjendjeve cash për periudhën 2009-2016, pasi në vitin 2011 ka rezultuar balancë negative në shumën 4 milionë lekë dhe në 2014-ën 175 mijë lekë. Për arsye të këtyre balancave negative, subjekti ka rezultuar në pamundësi dhe për dhënien e një huaje 10 mijë euro vëllait të bashkëshortit në vitin 2015, kur Hila ka deklaruar se gjithë kursimet në vite në këtë vlerë ia kanë dhënë kunatit.

Nga analiza financiare për vitet 2003 – 2016 ka reultuar balancë negative totale në shumën 5.9 milionë lekë. Bazuar në këto gjetje, trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtar Roland Ilian ka vendosur të shkaërkojë nga detyra gjyqtaren Saemira Hila.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *