Trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një procesi. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
KPA Lajme

KPA lë në fuqi vendimin për ish-këshilltaren ligjore, Ornela Xhembulla

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi të enjten më 27 korrik lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për ndërprerjen e vetingut të ish-ndihmëses ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Ornela Xhembulla, si dhe të sanksionit që i ndalon asaj rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relator Sokol Çomo dhe anëtare Mimoza Tasi, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Xhembullës ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK.

Ornela Xhembull ushtroi detyrën e ndihmëses ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme për periudhën janar 2015 – shkurt 2017, kur me urdhër të ish-Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, u emërua oficere e policisë gjyqësore. KPK konstatoi se Xhembulla duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit si subjekt i kategorisë ex officio për shkak se ushtronte detyrën e ndihmëses ligjore ur hyri në fuqi legjislacionit vetingut të magjistratëve. Po ashtu, u evidentua se ajo kishte plotësuar dhe dorëzuar deklaratën e pasurisë; atë të kontrollit të figurës; si dhe formularin e vetëvlerësimit profesional.

Nisur nga fakti se Xhembulla nuk e ka ankimuar ndryshimin e pozicionit të saj, KPK

çmoi se tërësia e veprimeve të subjektit të rivlerësimit vinte në përputhje me vullnetin e saj për të mos qëndruar në detyrën e këshilltarit ligjor, por për të kryer detyra të tjera të ndryshme dhe më të rëndësishme. Bazuar në këto argumente, KPK e vlerësoi si dorëheqje dhe vendosi nëprerjen e vetingut së bashku me ndalimin që përcakton neni G i Aneksit të Kushtetutës që kufizon të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *