Gjyqtari Kastriot Gramshi pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

Kolegji shkarkon nga detyra gjyqtarin Kastriot Gramshi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të enjten vendimin për çështjen ndaj gjyqtarit Kastriot Gramshi. Trupa e KPA e kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtare Ina Rama, Sokol Çomo dhe Mimoza Tasi, njoftoi se pas shqyrtimit të pretendimeve të ngritura në ankimin e Komisionerit Publik, i gjeti këto të drejta ndërsa arriti në përfundimin se Gramshi kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë.

Kryesuesja e trupës lexoi ndër të tjera se gjyqtari kishte bërë “përpjekje për të pamundësuar kontrollin e plotë të pasurisë”. Në tërësi, Kolegji gjeti se Gramshi ishte me bilance negative dhe kishte kryer deklarime të pasakta dhe njoftoi ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin e tij nga detyra.

Gramshi u konfirmua në detyrë më 25 mars 2022. Gjatë dy seancave dëgjimore më 15 shkurt dhe 24 mars, ai dha shpjegime më së shumti për të ardhurat nga aktiviteti tregtar i babait në vitet 1992-1999 si dhe për të ardhurat nga puna e tij dhe e familjarëve në SHBA, ku ka jetuar për më shumë se një dekadë si azilant, duke përfituar dhe nënshtetësinë. Gramshi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe nuk u evidentuan probleme për profesionalizmin.

Por vendimi i KPK nuk u gjet i bazuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, që çmoi se vlerësimi korrekt i të gjitha çështjeve në kriterin e pasurisë do të çonte në shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Gramshi. ONM kërkoi që të kryhet një analizë e plotë financiare për të gjithë vitet, prej 2003-shit kur subjekti ka mbërritur në SHBA dhe në vijim, që u parashtrua edhe prej komisionerit në ankim dhe gjatë shqyrtimit të çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA.

Kastriot Gramshi e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 1999 në Shkodër dhe në vitin 2004 është larguar nga detyra me kërkesën e tij. Përpara se të kthehej në Shqipëri dhe të riniste karrierën si gjyqtar në vitin 2014, ai ka punuar si pedagog i së drejtës penale në SHBA. Gramshi punon prej tetë vitesh pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *