Gjyqtari Artan Çupi në KPK | Foto : Vladimir Karaj /BIRN
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Vendimi ‘sui generis’ ; KPK pezullon vendimmarrjen për gjyqtarin Artan Çupi

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash njoftoi se kryegjyqtari i Matit, Artan Çupi duhet të shpenzoi 1 vit për rikualifikim në Shkollën e Magjistraturës dhe më pas do rivlerësohej në të tre kriteret e vetingut.

Gjyqtari Artan Çupi në KPK | Foto : Vladimir Karaj /BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të premten se kishte vendosur me shumicë votash të pezullonte për një vit vendimmarrjen ndaj kryetarit të Gjykatës së Matit, Artan Çupi dhe ta dërgonte subjektin për rikualifikim në Shkollën e Magjistraturës.

Vendimi i marrë nga trupa e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Pamela Qirko, është i vetmi i kësaj natyre prej KPK ka marrë në mbi 200 vendime që nga fillimi i procesit të vetingut.

Kryesuesja e çështjes deklaroi gjithashtu se ky vendim i KPK-së ishte “i paankimueshëm”.

Gjyqtari Artan Çupi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe duhet të rikthehet për rikualifikim në shkollë në moshën 56-vjeçare.

Sipas vendimit, e njëjta trupë do të mblidhet një vit më vonë për të vlerësuar Çupin në të tre kriteret, pasi të jetë marrë një raport nga Shkolla e Magjistraturës.

Kryetari i Gjykatës së Matit, Artan Çupi u përball në seancë dëgjimore me një sërë akuzash. Sipas relatimit ai kishte probleme në të tri kriteret e rivlerësimit; për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Çupit iu gjetën pasaktësi dhe probleme në deklarimin e pasurisë. Ai u cilësua i papërshtatshëm nga DSIK në kriterin e figurës.

Relatorja Etleda Çiftja tha se ay dyshohej se “së bashku me një avokat ka favorizuar disa persona të pandehur në periudha të ndryshme”. Ajo shpjegoi se nga hetimet dhe verifikimet e kryera prej Komisionit dhe ONM-së mbi dokumente të klasifikuara, si dhe nga informacionet e dërguara prej insitucioneve ndihmëse, duket se ka dyshimet për përfshirje të Çupit në veprimtari të paligjshme dhe në korrupsion pasiv.

Çupi tha se i kundërshtonte të gjitha konstatimet e DSIK dhe ato të Komisionit lidhur me pastërtinë e figurës.

“Nuk ka asnjë provë apo indicie. Nuk ka asnjë takim apo kontakt me ndonjë person të përfshirë në krimin e organizuar. E kundërshtoj konstatimin për figurën,” tha Çupi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *