Gjyqtarja Matilda Fetau pas shpalljes së vendimit, Foto:Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Gjyqtarja Matilda Fetau konfirmohet në detyrë

Gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Matilda Fetau u përball të hënën më 29 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u relatuan raporte pozitive për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërsa në aspektin profesional u evidentuan gjetje vetëm për dy çështje të denoncuara nga publiku, për të cilat ajo dha shpjegime. Reth dy orë e gjysmë pas përfundimit të seancës dëgjimore të hënën, Komisioni shpalli vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqares Fetau.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Fetau u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Willem Brower.

Matilda Fetau përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi u emërua në Gjykatën e Rrethit Elbasan, ku vazhdon ta ushtrojë edhe aktualisht funksionin.

Gjatë seancës dëgjimore, relatorja Zhegu nuk evidentoi probleme për një sipërfaqe tokë arë të përfituar nga familja e origjinës e subjektit nga ligji “Për tokën”; për një automjet Toyota të blerë prej Fetaut për çmimin 2100 euro me burim nga pagat; për dy ovedrafte; një apartament të përdorur kundrejt qirasë, si dhe lidhur me adresat e tjera të deklaruara prej saj.

Po ashtu, Komisioni nuk ka konstatuar probleme për një apartament të blerë me kredi nga familjarët e origjinës së subjektit në vitin 2013 kur ajo ishte ende studente. Zhegu sqaroi se subjekti ka deklaruar në vitin 2014 bashkëjetesën me bashkëshortin dhe ka pohuar gjatë hetimit administrativ se nuk ka kontribuar në pagesën e kësteve të shtëpisë së prindërve. Por ashtu, ka rezultuar se prindërit e gjyqtares Fetahu nuk kanë pasur banesë tjetër përpara dhe se deri në 2013-ën kanë jetuar me qira.

Sipas Zhegut, nga hetimi nuk janë gjetur probleme as për një apartament të porositur nga subjekti dhe bashkëshorti i saj në vitin 2022 kundrejt çmimit 75 mijë euro, me burim kursimet dhe kredi.

Relatorja Zhegu pohoi se këto dy pasuri nuk gjenden në periudhën kur shtrihet vetingu i gjyqtares Fetau dhe për rrjedhojë Komisioni nuk e ka vijuar më tej hetimin e tyre.

Analiza financiare e gjyqtares Fetau ka rezultuar për çdo vit me bilanc pozitiv.

Gjyqtarja Fetau mori vlerësim pozitiv për figurën, si nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ashtu dhe nga KPK.

Fetau është vlerësuar pozitivisht edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për profesionalizmin. Komisioni nuk ka gjetur probleme në gjashtë prej tetë denoncimeve të kryera nga publiku, ndërsa për dy prej tyre i ka kërkuar shpjegime.

Në një prej denoncimeve janë ngritur pretendime se subjekti ka favorizuar një prej të pandehurve në një çështje duke pezulluar dënimin e tij, ndërsa për të pandehurin tjetër ka vendosur ta lërë në burg.

Në denoncimin e dytë janë ngritur pretendime për vonesë në zbardhjen e vendimit.

Gjyqtarja Fetau deklaroi se çështja e parë ishte lënë në fuqi nga Apeli dhe se nuk ishte rekursuar nga prokurori i Apelit. Sipas saj, pezullimi ishte kryer bazuar në provat e shqyrtuara në gjykim, ku rezultonte se i pandehuri në fjalë rezultonte prind i dy fëmijëve të mitur, ndërsa bashkëshortja ishte provuar se vuante në mënyrë kronike prej çrregullimeve psikologjike, që krijonin tendencë për vetëvrasje. Sipas subjektit, ky i pandehur kishte përgjegjësi thelbësore për t’u kujdesur për familjen dhe prandaj ishte alikuar pezullimi në rastin e tij.

Për denoncimin e dytë, subjekti sqaroi se vendimet janë arsyetuar shpejt dhe u janë komunikuar avokatëve.

Në përfundim, gjyqtarja Matidla Fetau kërkoi konfirmimin në detyrë, që ishte dhe vendimi që u mor nga trupa e KPK.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *