Esmerilda Habili | Foto: nga : Edmond Hoxhaj/BIRN
KPK Lajme Veting

Gjyqtarja Esmerilda Habili drejt konfirmimit në detyrë

Gjyqtarja Esmerilda Habili e Gjykatës së Vlorës u përball pa probleme të premten më 7 prill 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur nga sa u relatua në seancën dëgjimore, u mësua se nuk i ishte kaluar barrë prove në asnjë prej kritereve të rivlerësimit, por i janë kërkuar vetëm shpjegime për dy çështje të shqyrtuara prej saj.

Procesi i vetingut për Habilin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Willem Brower.

Esmerilda Habili përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Në vitin 2020 ajo u komandua në njësinë e vlerësimit profesional dhe etik të gjyqtarëve në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Relatorja Qirko sqaroi se nga hetimi i kryer për dy llogari bankare të çelura për pagën dhe banesat e marra me qira nga subjekti gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës, nuk janë gjetur probleme. Sipas relatores, është kryer hetim i thelluar edhe tej deklarimeve të Habilit, por nuk janë evidentuar pasuri, të drejta reale, apo ndonjë e dhënë për hetime të mëtejshme.

Nga analiza financiare e kryer për periudhën 2014-2016 ka rezultuar se Habili ka pasur burime të ligjshme për mbulimin e shpenzimeve jetike.

Habili mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Në aspektin profesional u tha se i janë kërkuar shpjegime për dy prej katër denoncimeve, dy nga të cilat kanë qenë të përsëritura nga i njëjti person.

Në një prej vendimarjeve të Habilit është konstatuar se ajo nuk ka përcaktuar mekanizmin e mbikqyrjes elektronike për një person ndaj të cilit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Habili shpjegoi se kishte vërtetuar me dokumentacion se në atë periudhë nuk funksiononte mbikqyrja elektronike dhe prandaj kishte përcaktuar mbikqyrje nga policia gjyqësore.

Për çështjen tjetër, denoncuesi ngrinte pretendime për shkelje të parimit të kontradiktoritetit në gjykim. Subjekti deklaroi se në këtë rast ishte bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese. Ajo sqaroi se bëhej fjalë për një vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave dhe se gjykata kishte qenë e detyruar të hetonte ligjshmërinë e këtij titulli përtej falsitetit, me qëllim që çështja të zgjidhej njëherë e përgjithmonë.

Në përfundim, gjyqtarja Esmerilda Habili kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 11 prill, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *