Gjyqtarja Gentiana Xhelili në seancën dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
Analiza Korrupsioni KPK Vendi

Mospagimi i tatimeve për të ardhurat penalizoi gjyqtaren Gentiana Xhelili

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 21 prill 2021 të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, Gentiana Xhelili pasi u konkluduan probleme shkarkuese për pasurinë si dhe mangësi profesionale, që në vlerësimin tërësor të çështjes u konsideruan në cënim të besimit të publikut tek sistemi i direjtësisë. Ndërkohë, gjyqtarja Xhelili u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Gentiana Xhelili përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Sarandës. Prej vitit 2014 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën Administrative të Vlorës.

Ndryshe nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI që nuk ka gjetur probleme në deklarimet e gjyqtares, Komisioni konstaton pamundësi financiare në vlera të konsiderueshme për kryerjen e shpenzimeve dhe investimeve në disa vite.

Sipas KPK, Xhelili ka mungesë në shumën 408 mijë lekë për krijimin e një gjendje cash në shumën 4 mijë euro. Si burim krijimi të këtyre kursimeve, subjekti ka deklaruar të ardhurat e siguruara nga shitja e një automjeti tip “Mercedes Benz” në vitin 2016 në vlerën 3100 euro dhe të një automjeti tjetër në vitin 2013 për çmimin 2500 euro. Për këtë të fundit Xhelili ka deklaruar se është përfituar me anë të dhurimit nga Konsullata Belge në Athinë.

Komisioni konstaton se familja e subjektit ka qenë në pamundësi në shumën 40 mijë lekë për blerjen e automjetit tip Benz në vitin 2011, si dhe nuk janë paguar në kohë detyrimet tatimore për vlerën e përfituar nga shitja pas 5 vitesh në shumën 121 mijë lekë.

Lidhur me makinën tjetër, trupi gjykues vlerëson se Xhelili shpjegoi bindshëm dhe paraqiti dokumentacion provues në lidhje me dhurimin e këtij automjeti nga Konsullata Belge në Athinë dhe ka paraqitur në analizën financiare vetëm shpenzimet e kryera për zhdoganimin e këtij automjeti në shumën 62 mijë lekë. Në vendim thuhet se nuk janë paguar detyrimet tatimore edhe për fitimin e realizuar nga shitja e kësaj makine, në shumën 287 mijë lekë.

Duke e konsideruar të paligjshëm fitimin e realizuar nga shtija e dy makinave, është konkluduar se familja e gjyqtares Xhelili ka qenë në pamundësi në shumën 408 mijë lekë për kursimin e gjendjes cash.

Komisioni konstaton pamundësi financiare edhe për krijimin e kursimeve në shumën 133 mijë lekë nga të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga pagat dhe qiradhënia e një apartamenti në pronësi të prindërve të bashkëshortit, prej vitit 2010.

Komisioni vëren se pagesa e detyrimeve tatimore për të ardhurat nga qiraja është realizuar pas dorëzimit të deklaratës veting dhe pas njoftimit nga Komisioni për fillimin e procesit të rivlerësimit. Edhe pse vlerëson se është vërtetuar burimi i ligjshëm i të ardhurave nga qiraja, trupi gjykues çmon se ato nuk mund të konsiderohen si të ardhura të ligjshme, pasi nuk janë paguar në kohë detyrimet tatimore.

Për të argumentuar këtë konkluzion, Komisioni sjell në vëmendje pikën 3 të nenit D të aneksit të Kushtetutës ku citohet se të ardhura të ligjshme do të konsiderohen ato për të cilat janë paguar detyrimet tatimore.

Trupi gjykues intepreton edhe bazuar në përcaktimet gjuhësore për kohët e foljeve.Nëse marrim të mirëqenë pretendimin e subjektit se neni D i Aneksit të Kushtetutës, nuk e lidh pagimin e detyrimeve tatimore me ndonjë afat kohor të përcaktuar, atëherë koha e foljes së përdorur në tekstin e pikës 3 të nenit D të aneksit të kushtetutës, do të ishte ‘do të deklarohen dhe për të cilat do të paguhen detyrimet tatimore’, gjë e cila është përjashtuar qartë në vetë kohën e foljeve të përdorura në tekstin e pikës 3 të nenit D”, citohet në vendim.

Duke iu referuar jurisprudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Komisioni konkludon se pagesa e detyrimeve tatimore në një kohë të mëvonshme, nuk e shmang subjektin nga përgjegjësia ligjore për mospagimin e tyre në momentin dhe vitin përkatës kur ato duhej të shlyheshin.

Në përfundim, Komisioni konkludon se Xhelili ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për krijimin e të ardhurave nga qiraja e apartamentit në pronësi të prindërve të bashkëshortit në shumën 1 milion e 470 mijë lekë.

E njëjta situatë është paraqitur edhe për të ardhurat e përfituara nga dhënia me qira e një sipërfaqe tokës bujqësore 9960 m2; një shtëpie banimi dhe 30 rrënjë ullinj që zotëron familja e bashkëshortit, prej nga është konkluduar mungesë burimesh në shumën 1.2 milion lekë.

“Fakti që këto të ardhura janë deklaruar rregullisht në DPV të subjektit të rivlerësimit, provon dijeninë e subjektit mbi përfitimin e këtyre të ardhurave dhe nuk mbështetë pretendimin e subjektit se pagesa e detyrimeve tatimore është bërë në momentin kur subjekti erdhi në dijeni të mospagimit të këtij detyrimi, nga vjehrri”, argumenton Komisioni dhe shton se subjekti duhej të kishte kushtuar kujdes në legjitimitetin e këtyre të ardhurave, pasi së bashku me bashkëshortin kanë deklaruar se i kanë përdorur për blerjen e kuotave në një fond investimi në vitin 2017.

Gjithashtu, trupi gjykues arsyeton se Xhelili duhet të kishte njohuri mbi detyrimet tatimore që duhet të paguheshin për këto të ardhura, për shkak të detyrës dhe funksionit që mbante.

Si rrjedhojë e moskonsiderimit si të ardhura të ligjshme të shumave të deklaruara ndër vite të përfituara nga qiraja e apartamentit dhe toka bujqësore, Komisioni ka konkluduar pamundësi financiare edhe për blerjen e kutave të një fondi investimi në shumën 7 milionë e 556 mijë lekë në vitin 2017, si dhe për një gjendje cash në shumën 900 mijë lekë – për krijimin e të cilave janë deklaruar si burim edhe të ardhurat nga qiratë.

Pasi të ardhurat nga qiraja e apartamentit dhe toka bujqësore nuk janë përfshirë në analizën financiare, për blerjen e kuotave në fondin e investimeve është konstatuar pamundësi financiare në vlerën 3 milionë e 552 mijë lekë.

Nga analiza e përgjithshme financiare për periudhën 2009-2016 është konstatuar balancë negative në shumën 3 milionë e 545 mijë lekë dhe është çmuar se gjyqtarja Xhelili nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.

Për aspektin profesional janë konstatuar mangësi në drejtim të aftësive organizative, konkretisht për të përballuar ngarkesën e punës; plotësimin e standardeve minimale kohore; kohën mesatare që i dedikohet çdo çështjeje; moskryerjen e veprimeve të nevojshme procedurale për organizimin e procesit gjyqësor; për mos shmangien e seancave gjyqësore joproduktive dhe mos administrim i mirë i dosjeve gjyqësore.

Mangësitë e konstatuara në kriterin profesional konsiderohen jo shkarkuese, por është vendosur të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes, nga është konkluduar se subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *