Trupa gjykuese e KPK-së gjatë shpalljes së një  vendimi. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Prokurori Skënder Mestani u dorëhoq pasi u njoh me rezultatet e vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 5 prill 2023 të ndërpesë vetingun ndaj prokurorit të Lushnjës, Skënder Mestani dhe caktoi sanksionin që i ndalon rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, për shkak të dorëheqjes së tij nga detyra pasi u njoh me rezultat e hetimit administrativ.

Skënder Mestani u shortua për t’ju nënshtruar procesit të vetingut në qershor të vitit 2020. Më 14 shkurt të vitit 2023, trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Lulzim Hamitajn ka vendosur të mbyllë hetimin kryesisht për Mestanin në të tre kriteret e rivlerësimit dhe i ka njohur rezultatet e arritura, si dhe i është kërkuar të kthejë përgjigje e të depozitojë prova brenda datës 1 mars.

Më datë 27 shkurt, prokurori Mestani ka njoftuar Komisionin se pak ditë më parë kishte depozituar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, KLP dorëheqjen e tij nga funksioni i prokurorit. Në fillim të marsit, KLP I ka dërguar Komisionit vendimin e marrë për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për prokurorin Akënder Mestani, për shkak të dorëheqjes së tij.

Pasi vendimi i KLP ka marrë formë të prerë, Komisioni ka vendosur të veprojë bazuar në nenit G të Aneksit të Kushtetutës që përcakton ndëprerjen e procesit të vetingut të magjistratëve të dorëhequr dhe vendosjen e sanksionit që u ndalon atyre rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. Në vendim thohet se Mestani nuk ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë në një seancë dëgjmimore publike.

Në përfundim, trupa e KPK ka vendosur të deklarojë ndërprerjen e procesit të rivlerësimit kalimtar për prokurorin Skënder Mestani, si dhe i ka ndaluar atij emërimin si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *