Foto arkive - seancë gjyqësore në KPA.
Analiza KPK Veting

KPA: Kërkesat e Petrit Aliajt u përdorën si instrument për zvarritjen e vetingut

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e gjeti të drejtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtarit të Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj për probleme të shumta në kriterin e pasurisë dhe për sjelljen e tij gjatë procesit të rivlerësimit.

Ndërkohë, një nga anëtaret e trupit gjykues të Kolegjit ka paraqitur arsyetim paralel lidhur me trajtimin e një kërkese të subjektit për përjashtimin e trupës së KPK-së, kur kjo e fundit ishte mbledhur për të marrë vendimin përfundimtar. Pakica vlerëson se çështja duhej të ishte kaluar për shqyrtim në seancë publike, çka sipas saj do të mundësonte edhe hetimin e plotë për një pallat në emër të babait dhe vëllait të subjektit.

Ish-gjyqtari Petrit Aliaj u shkarkua nga detyra më 15 qershor 2020 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi, KPK pasi u konstatuan një sërë problemesh, përfshi përpjekje për të fshehur pasurinë dhe cënim i besimit te drejtësia. Po ashtu, vendimi i arsyetuar i Komisionit tregon se gjatë procesit të rivlerësimit gjyqtari Petrit Aliaj dërgoi në 4 muaj, katër raporte mjekësore me diagnoza të ndryshme – një prej të cilëve u provua se ishte i rremë.

Pavarësisht trajektores së ndërlikuar të karrierës së tij, Aliaj u promovua në detyrë në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Vlorës. Në vitin 2015, ai u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij si dhe për deklarime të rreme. Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit, e cila vendosi të pushojë çështjen penale kundër tij.

Pengimi i procesit të vetingut

Ashtu si KPK, dhe Kolegji vëren se nga subjekti janë paraqitur një sërë raportesh mjekësore, pikërisht në fazën e fundit të procesit të rivlerësimit, kur ai duhej të përballej me konkluzionet e hetimit paraprak në seancën dëgjimore. Nisur dhe nga fakti se Aliaj nuk ka marrë asnjë masë për të realizuar të drejtën e mbrojtes së tij, KPA konstaton se dukshëm ka pasur një tendencë të qëllimshme të subjektit të rivlerësimit për shtyrjen e seancave dëgjimore të caktuara nga Komisioni.

“Subjekti i rivlerësimit ka paragjykuar vazhdimisht procesin e tij të rivlerësimit dhe anëtarët e trupës gjykuese, duke pasur si qëllim zvarritjen e këtij procesi, veprime këto që bien në kundërshtim me nenin 48 të ligjit nr. 84/2016”, vlerëson KPA dhe i ka rrëzuar si të pabazuara pretendimet që lidhen me procesin e rregullt ligjor në shkallën e parë të vetingut.

Kolegji i çmon të pabazuara edhe pretendimet e subjektit kundër qëndrimeve të Komisionit për dy kërkesa të tij për përjashtimin e trupës gjykuese, ku një prej tyre është kryer në ditën e shpalljes së vendimit, për të cilën trupi gjykues i KPA-së është ndarë në vlerësim.

KPA konstaton se kërkesa e dytë për përjashtimin e trupës së KPK-së është depozituar ditën e shpalljes së vendimit, kur kishte përfunduar seanca dëgjimore dhe ishte duke u marrë vendimi përfundimtar. Gjithashtu, vërehet se argumentet e paraqitura në kallëzimin penal ndaj trupit gjykues nga Aliaj që është përdorur si argument nga ky i fundit për përjashtimin, janë pothuajse të njëjtë me ato të paraqitura në kërkesën e parë për përjashtimin e subjektit, që është rrëzuar si e pabazuar nga një tjetër trupë e Komisionit.

“Kolegji konstaton se kërkesa e subjektit të rivlerësimit është paraqitur në një fazë procedurale, kur Komisioni ishte tërhequr për marrjen e vendimit përfundimtar, që do të thotë se çdo komunikim me palët ishte përfunduar dhe Komisioni duhet të vendoste mbi aktet të cilat ishin administruar ndërkohë”, citohet në vendim dhe vlerësohet se trupa e KPK e ka pasur të pamundur që gjatë asaj kohe të merrte dijeni për çdo kërkesë të paraqitur.

Komisioni ka njoftuar subjektin në të njëjtën ditë, po nëpërmjet komunikimit elektronik, se kërkesa është e përsëritur dhe se është disponuar me një vendim të mëparshëm, që është rrëzuar si e pabazuar në ligj dhe në prova. Përgjigja që KPK i ka kthyer subjektit konsiderohet prej Kolegjit me natyrë administrative, por jo si një vendimmarrje, pasi në atë kohë ishte marrë ndërkohë vendimi përfundimtar për çështjen.

Shumica e trupit gjykues të Kolegjit, duke mbajtur në konsideratë sjelljen e subjektit gjatë gjithë procesit të tij të rivlerësimit, me paraqitjen e vazhdueshme të kërkesave për shtyrjen e seancave dëgjimore, e konsideron edhe kërkesën e dytë për përjashtim të trupit gjykues, pikërisht ditën e shpalljes së vendimit, si një instrument të përdorur për të penguar procesin e rivlerësimit.

Në përfundim, KPA ka arritur në përfundimin se debati gjyqësor nuk ishte i nevojshëm dhe se lidhur me këtë çështje mund të arrihej në vendim nga shqyrtimi mbi bazën e dokumenteve të administruara në fashikullin e Komisionit.

Gjyqtarja Natasha Mulaj në pakicë, megjithëse shpreh dakordësi me zgjidhjen e çështjes, ndan mendim ndryshe lidhur me aspektin procedural. Ajo çmon se çështja duhej të kalohet për shqyrtim në seancë gjyqësore publike, duke konsideruar si shkelje të rëndë procedurale shqyrtimin e kërkesës së dytë për përjashtimin e trupës së KPK-së, nga vetë ajo trupë.

“…Kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues duhej shqyrtuar nga një tjetër trup gjykuese e Komisionit… në kushtet kur për çështjen Komisioni nuk kishte shpallur vendimin përfundimtar dhe çështja në këtë fazë konsiderohet ende në shqyrtim,” vlerëson Mulaj ndërkohë që vëren se kurrsesi nuk e mbështet sjelljen e Aliajt në këtë çështje.

Në përfundim, Kolegji çmon se ish-gjyqtari Petrit Aliaj, për qasjen dhe sjelljen e tij ndaj procesit të rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit gjendet në kushtet e nenit 61, pika 5 e ligjit për vetingun e magjistratëve, të shkarkimit nga detyra për shkak të cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Vlerësimi për pasurinë

Lidhur me një banesë private të përbërë nga një kat nëntokë dhe tri kate mbi tokë në Sarandë, Komisioni ka konstatur se Aliaj nuk ka arritur të vërtetojë se një hua e marrë në vitin 2000 është përdorur për të ndërtuar banesën në vitin 2004.

Edhe Kolegji arrin në përfundimin se Aliaj nuk arriti të provojë me dokumentacion ligjor provues burimin e ligjshëm të të ardhurave që kanë shërbyer për shlyerjen e huasë ndër vite, dhe për rrjedhojë çmohet se ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimine kësaj banese.

Nga hetimi i KPK për origjinën e kësaj prone ka rezultuar se me një vendim të vitit 1999 të Gjykatës së Sarandës, ku subjekti ka qenë kryesues i trupit gjykues, është rivendosur në afat e drejta e shtetasit K.N., për paraqitjen e dokumentacionit në ish-Komisionit të Kthimit e Kompesimit të Pronave, duke i dhënë atij të drejtën që me vendim të vitit 2000 të këtij Komisioni të përfitonte ligjërisht kthimin e një sipërfaqe trualli, 200 m2 të të cilit i disponone vetë gjyqtari Aliaj.

KPK ka evidentuar se një tjetër fakt që tregon problemet e kësaj prone dhe interesin e subjektit në marrjen e vendimit të vitit 1999 në favor të shtetasit K.N., është mosregjistrimi i spërfaqes së truallit 200 m2 nga ZVRPP-ja Sarandë, duke detyruar Aliajn t’i drejtohet gjykatës me padi me objekt regjistrimin e kontratës së shitblerjes të vitit 1998.

Kolegji çmon Aliaj duhej të hiqte dorë nga çështja objekt shqyrtimi, për arsye se ka pasur interesa në çështjen që ka trajtuar dhe këto interesa kanë qenë personale me karakter ekonomik.

Nga hetimi në Komision ka rezultuar se subjekti në vitin 2003 nuk ka deklaruar tokën truall prej 200 m2 në Sarandë. Po ashtu, gjatë periudhës 2003-2016 nuk ka deklaruar huanë e marrë nga vëllai të shënuar prej tij në deklararën “veting” si burim për krijimin e kësaj pasurie, si dhe nuk ka vërtetuar mundësinë financiare të huadhënësit.

KPK ka konstatuar deklarime kontradiktote për huamarrjen nga vëllai. Për shkak se subjekti nuk ka vërtetuar mundësinë e vëllait për huanë e dhënë; konstatimin të mungesës së burimeve financiare të ligjshme për ndërtimin e banesës në vitin 2004; si dhe pamundësisë financiare për shlyerjen e huasë të deklaruar si burim për këtë investim; KPK ka arritur në përfundimin se subjekti është përpjekur të fshehë dhe paraqesë në mënyrë të pasaktë këtë pasuri në pronësi.

Të njëjtën përfundim ka arritur edhe Kolegji, duke konkluduar se Aliaj ka mungesë të burimeve të ligjshme për blerjen e truallit dhe ndërtimin e banesës, si dhe gjendet për këto pasuri në kushtet e fshehjes.

KPA ashtu si KPK konkludon se subjekti nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e një depozite në bono thesari në vlerën 3 milionë lekë

Kolegji konstaton se subjekti në vitin 2012 kur ka krijuar depozitën, ka deklaruar si burim të ardhurat nga avokatia të mbajtura cash në banesë, për të cilat është vlerësuar se nuk është vërtetuar burimi i ligjshëm sipas kërkesave ligjore – ndërsa në deklaratën “veting” ka shënuar se si burim kanë shërbyer të ardhurat nga shitja e një shtëpie në Delvinë në vitin 2004.

KPA konkludon se subjekti nuk ka deklaruar në mënyrë të saktë dhe të potë burimin e depozitës dhe vëren se të ardhurat e përfituara nga shitja e shtëpisë në Delvinë në vitin 2004, në raport me krijimin e depozitës në 2012-ën, kanë një distancë të gjatë kohore. Po ashtu, është konstatuar se ato të ardhura nuk janë deklaruar si gjendje cash në fund të vitit 2004, si dhe në deklaratat periodike të viteve pasardhëse.

KPA çmon se subjekti dhe i biri rezultojnë në pamundësi financiare për blerjen e një automjeti tip MNV Pajero, në pronësi të këtij të fundit. Ashtu si KPK, edhe Kolegji çmon se nuk është arritur të vërtetohen me dokumentacion justifikues ligjor të ardhurat e djalit nga punësimi në shtetin grek, që janë deklaruar si burim për krijimin e kësaj pasurie.

Po ashtu, është konfirmuar konkluzioni i KPK, se subjekti nuk ka justifikuar burimet e ligjshme të shkollimit të vajzave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

KPA e ka gjetur të drejtë edhe konkluzionin tjetër të KPK se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe nuk ka vërtetuar burimin e ligjshëm të një vlere 50 mijë USD të kaluar në llogarinë e djalit të tij nga shtetasi O.L.. Subjekti ka pretenduar se huaja e marrë në shumën 50 mijë USD është përdorur si garanci për efekt të vizës për në SHBA dhe është kthyer brenda një afati shumë të shkurtër, 10-ditor. Por KPA konstaton se Aliaj nuk paraqiti dokumentacion justifikues ligjor për destinacionin dhe kthimin e shumave shtetasit O. L.

Ndërkohë, është gjetur i drejtë pretendimi i subjektit lidhur me konstatimin e KPK për çmim fiktiv në kontratën e blerjes së një sipërfaqe toke. Subjekti ka pretenduar se çmimi i vendosur në kontratë përfaqëson vlerën e shitjes mbi bazën e vullnetit reciprok të palës blerëse dhe shitëse.

KPA, ndryshe nga Komisioni çmon se konstatimi për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për çmimin e blerjes prej 250 lekësh për sipërfaqen 712 m2, mbetet i pavërtetuar.

Qëndrimi i ndryshëm për pallatin

Në Komision janë paraqitur tre denoncime në të cilat janë raportuar të dhëna për pasuri të fshehura nga subjekti i rivlerësimit, një ndër to edhe një pallat 7-katësh, pasuri të cilat janë vënë në emër të babait dhe vëllait.

Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se vëllai dhe babai i Aliajt nuk kanë pasur burime të ligjshme për të financuar ndërtimin e pallatit dhe është konkluduar se subjekti nuk arriti të provojë burimet e ligjshme të pasurisë së personave të tjerë të lidhur me të, si dhe nuk arriti t’i provojë trupit gjykues se nuk gjendet në kushtet e fshehjes së pasurisë.

Kolegji vëren se është e provuar nga hetimi administrativ se midis subjektit të rivlerësimit dhe babait të tij ka ekzistuar një marrëdhënie dhurimi, ndërsa midis tij dhe vëllait ka ekzistuar një marrëdhënie huamarrjeje, që janë përdorur për shlyerjen e huasë për blerjen e truallit ku është ndërtuar banesa e subjektit.

“…Duke marrë në konsideratë faktin se vëllai i jepte subjektit hua në vitin 1998 për blerjen e truallit me sipërfaqe 200 m2, ndodhur në Sarandë, mbi të cilën është ndërtuar banesë private përbërë nga kati nëntokë dhe tri kate mbi tokë me sipërfaqe ndërtimi 105 m2, kontribuonte personalisht në ndërtimin e kësaj banese dhe jepte vlerën monetare 15.000 USD, për 1/3 e pjesës takuese të tij, për shlyerjen e detyrimeve monetare për ndërtimin e kësaj banese, i falte më pas subjektit pjesën takuese në këtë banesë, krijon bindjen se rrethana të tilla flasin për një marrëdhënie të pazakontë të subjektit me vëllanë e tij”, argumenton shumica e Kolegjit dhe vlerëson se me të drejtë KPK ka kërkuar informacion për ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pallatit nga babai e vëllai i subjektit, duke referuar edhe denoncimin për fshehje si bazë për këtë konkluzion.

Sipas Kolegjit, dyshimet e ngritura mbështeten edhe nga të dhënat e një shkrese mbi konstatimin e një veprimi në vitin 2011, ku përshkruhet se babai i subjektit, ka kaluar vlerën 2 milion lekë në favor të një shoqërie ku ishte e punësuar bashkëshortja e subjektit.

Sipas shumicës, ky fakt përforcon argumentin e paraqitur në denoncim. Dhe se është një rrethanë që “simbolizon në dukje marrëdhënien që ka subjekti i rivlerësimit me këtë pasuri”. Në përfundim, edhe shumica e KPA vlerëson se me të drejtë Komisioni ka konkluduar se subjekti gjendet në kushtet e fshehjes së pasurisë.

Mulaj paraqet mendim ndryshe. “Nëse do të provohej fshehja e kësaj pasurie, ajo do të përbënte kryefjalën e procesit të rivlerësimit të subjektit Petrit Aliaj”, shprehet ajo dhe thekson se, që të konkludohet mbi faktin e një pasurie të fshehur, “provat duhet të flasin qartë dhe të nxjerrin në dritë këtë fakt”.

Sipas saj, nga aktet e administruara për këtë pasuri, nuk arrihet të provohet që vërtet pallati 7-katësh, në Sarandë, është një pasuri e subjektit të rivlerësimit, por e regjistruar në emër të vëllait dhe babait të tij. Po ashtu, ajo vlerëson se babai dhe vëllai i subjektit të rivlerësimit nuk mund të cilësohen si persona të tjetër të lidhur, pasi marrëdhëniet e huas e të dhurimit në kuadër të kësaj dispozite, nuk lidhen me këtë pasuri.

“Nuk mund të arrihet në një përfundim mbi bazë dyshimi e, për pasojë, provueshmëria në këtë rast do të ishte e domosdoshme, gjë e cila mungoi dhe nuk u krye as në Komision dhe as në Kolegj”, shprehet Mulaj dhe vlerëson se kalimi i çështjes në seancë gjyqësore publike do të çonte në një hetim më të plotë mbi gjendjen e fakteve dhe do t’i shërbente vendimmarrjes së gjykatës lidhur me këtë pasuri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *