Prokurorja e Prokurorisë së Rrethit Tiranë, Anisa Qilimi | Foto : Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Në Fokus

Prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Anisa Qilimi përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi dy balanca në vlera të vogla lidhur me krijimin e një depozite bankare dhe blerjen e një makine duke argumentuar se nuk ishte pasqyruar pakësimi i gjendjeve ‘cash’ që ishin deklaruar më parë prej prokurores. Qilimi u vlerësua pozitivisht për figurën dhe ju kërkuan shpjegime për disa çështje që kishte hetuar.

Prokurorja e Prokurorisë së Rrethit Tiranë, Anisa Qilimi | Foto : Edmond Hoxhaj

Prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Anisa Qilimi u përball të premten më 24 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Etleda. Çiftja kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Anisa Qilimi ka përfunduar studimet e Shkollës së Magjistraturës në vitin 2007 dhe është emëruar prokurore në Prokurorinë e Krujës. Prej vitit 2014, ajo punon si prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Kryesuesja e trupit gjykues, Etleda Çiftja tha në fillim të seancës se hetimi administrativ për prokuroren Qilimi ishte përfunduar në të tri kriteret, atë të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Relatorja Xhensila Pine renditi verifikimet e kryera nga Komisioni për pasurinë e prokurores Qilimi që kishin rezultuar të ishin, një autoveturë tip “Opel” dhe dy depozita bankare, njëra në vlerën 5118 euro dhe tjetra 600 mijë lekë.

Për krijimin e depozitës bankare në shumën 600 mijë lekë në vitin 2015, si burim krijimi i të cilës Qilimi ka deklaruar kursime nga paga, Komisioni nuk ka gjetur probleme.

Për krijimin e depozitës 5118 euro në vitin 2014, kanë shërbyer dy depozitime nga ana e prokurores. Në vitin 2011 ajo ka çelur depozitën në euro duke arkëtuar 2500 euro, si burim krijimi i të cilave ka deklaruar të ardhurat nga puna. Për shkak të mosdeklarimit të pakësimit të gjendjes cash nga ana e Qilimit pas depozitimit të vlerës 2500 euro, Komisioni nuk i ka përfshirë në analizën financiare kursimet e deklaruara. Pavarësisht moskonsiderimit të gjendjes cash, KPK konkludon se prokurorja Qilimi ka pasur burime të mjaftueshme për depozitimin e shumës 2500 euro në vitin 2011.

Pine shpjegoi se e njëjta situatë është paraqitur edhe lidhur me gjysmën tjetër të vlerës të depozituar në vitin 2014. Për shkak të moskonsiderimit të gjendjes cash në analizën financiare, në vitin 2014 Komisioni konstaton një balancë negative në shumën -177 mijë lekë.

Prokurorja Qilimi deklaroi gjatë seancës dëgjimore se pasaktësia e mosdeklarimit të pakësimit të gjendjes ‘cash’ nuk mund të çonte në pambulimin e vlerës 2500 euro të investuar në depozitën bankare. “Gjendja cash është deklaruar në vitin paraardhës”, shpjegoi ajo.

Për autoveturën tip “Opel”, Qilimi ka deklaruar si burime krijimi një hua në shumën 3000 euro të marrë nga babai dhe 400 mijë lekë të kursyera nga të ardhurat prej punës së saj si prokurore. Komisioni konstaton se prindërit e prokurores kanë patur mundësi të kursenin 3000 euro që i kanë dhënë hua të bijës – ndërkohë që kursimet e deklaruara nga subjekti nuk janë përfshirë edhe këtë herë në analizën financiare për shkak të mosdeklarimit të pakësimit të gjendjes cash. Pine tha se nga analiza financiare, pa përfshirë kursimet cash të deklaruara nga prokurorja Qilimi, rezulton një balancë negative në shumën 398 mijë lekë.

Gjatë fjalës së saj, prokurorja Qilimi shpjegoi se kishte deklaruar vlerën 400 mijë lekë si kursime në cash dhe huanë e marrë nga prindërit për blerjen e makinës. “Blerja e makinës është kryer 8 ditë pasi kisha deklaruar gjendjen cash”, pohoi Qilimi. Ajo tha se konstatimi i balancës negative për shkak të mosdeklarimit të pakësimit të gjendjes cash nuk qëndronte, pasi në vitin që kishte blerë autoveturën rezultonte me balancë pozitive në shumën 510 mijë lekë.

“Nisur nga vitet e punës dhe të ardhurat e përfituara nga puna i mbuloj të dy vlerat e depozitave dhe shumën e shpenzuar për blerjen e autoveturës”, pohoi prokurorja Qilimi.

Komisioni ka hetuar edhe për pasuritë e prindërve dhe të vëllait të prokurores Qilimi, për të cilat Pine tha se nuk janë evidentuar probleme.

Prokurorja Anisa Qilimi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Për aspektin profesional, relatorja Pine tha se prokurorja Qilimi shfaq aftësi në drejtim të arsyetimit ligjor dhe përballon ngarkesën me eficencë.

Nga pesë dosjet e shortuara, Komisioni i ka kërkuar shpjegime Qilimit për tre prej tyre. Gjithashtu, i janë kërkuar shpjegime edhe për 5 nga 8 denoncimet e mbërritura në KPK kundër prokurores Qilimi.

Kryesuesja Etleda Çiftja e pyeti prokuroren Qilimi lidhur me konkludimin e kësaj të fundit për një çështje penale të hetuar prej saj që kishte të bënte me një aksident rrugor me pasojë vdekjen e dy personave.

Qilimi shpjegoi se konkluzioni ishte bazuar në akt-ekspertimin e kryer nga policia gjyqësore, prej nga kishte rezultuar se, viktimat që udhëtonin me motorçikletë ishin përplasur në pjesën e prapme të një automjeti dhe se drejtuesi i kësaj të fundit nuk mund të ngarkohej me përgjegjësi.

Çiftja pyeti edhe për denoncimet. Sipas kryesueses së trupit gjykues, në një rast hetimi vazhdonte prej dy vitesh dhe nga ana e prokurorisë nuk ishte marrë asnjë masë.

Qilimi shpjegoi se bëhej fjalë për një çështje komplekse dhe se dosja ishte transferuar në disa prokurorë dhe ajo ishte e katërta. Ajo tha se bëhej fjalë për një konflikt pronësie ku dyshohej se mund të ishin përfshirë edhe punonjës e zyrtarë të institucioneve shtetërore që e kishin thelluar konfliktin mes palëve. Sipas Qilimit, hetimi ishte shtrirë në disa institucione shtetërore dhe se ishin duke konkluduar lidhur me një subjekt.

Në fund të seancës dëgjimore, prokurorja Anisa Qilimi kërkoi që Komisioni të merrte në konsideratë shpjegime te saj dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet me datë 28 korrik, ora 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *