Gjyqtarja e Apelit të Gjirokastrës, Miranda Andoni pas vendimit të KPK-së.
Artikull kryesor Lajme KP Lajme Vendi

Komisioneri Publik apelon vendimin e konfirmimit të gjyqtares Miranda Andoni

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës u konfirmua në detyrë në qershor por Komisioneri Publik Dariel Sina kërkon në apel rihapje të hetimit duke konsideruar punën e KPK të mangët dhe duke argumentuar se Andoni nuk arrin të justifikojë bindshëm pasurinë dhe kursimet e saj.

Gjyqtarja e Apelit të Gjirokastrës, Miranda Andoni pas vendimit të KPK-së.

Komisioneri Publik Dariel Sina apeloi vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtares së apelit të Gjirokastrës Miranda Andoni duke kërkuar rihaphjen e hetimit administrativ të saj dhe rivlerësim të çështjes duke e gjykuar punën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit “me mangësi” ndërsa vlerëson se subjekti nuk është në gjendje të justifikojë me burime të ligjshme shpenzimet dhe kursimet e saj për së paku katër vite dhe një shumë monetare prej disa mijëra eurosh. Sina nuk ka kërkuar shkarkim të Andonit por i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të ndryshojë vendimin e konfirmimit ose ta lërë atë në fuqi në varësi të rezultatit të rihetimit gjyqësor.

“Komisioneri Publik, duke çmuar se ky vendim objekt ankimi, shfaq edhe mangësi në hetimin administrativ, konstaton se indiciet e dala nga aktet e administruara janë shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit,” thuhet në njoftimin e ankimit.

“…për kriterin e pasurisë, rezulton se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm, duke mos mbuluar me të ardhura të ligjshme shpenzimet e deklaruara për vitet 2008 – 2016,” vijon më tej vendimi për ankim.

Miranda Andoni e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si gjyqtare në Gjykatën e Përmetit. Në vitin 2005 u emërua si gjyqtare e Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, ndërkohë që në dhjetor 2019, Andoni u zgjodh me short anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Ajo ka blerë një apartament 123 metra katrorë në Tiranë në vitin 2008 me vlerë 105 600 euro dhe një garazh në shumën 13 mijë euro, blerje për të cilën komisioneri thotë se i dalin diferenca të pajustifikuara me të ardhura. Komisioneri thotë se të ardhurat e gjyqtares nga qiradhënia, të cilat janë përdorur për këtë blerje, duhet të konsiderohen si të paligjshme për shkak se tatimi për këtë qiradhënie nuk është paguar në kohën kur është realizuar e ardhura por është paguar vetëm gjatë procesit të rivlerësimit, kur ligji për rivlerësimin përcaktoi detyrimin e pagesës së tatimit si kriter për gjykimin e një të ardhure si të ligjshme.

Komisioneri vlerëson si të pamjaftueshëm hetimin administrativ të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në lidhje me gjendjen financiare të mamasë së subjektit, e cila ka kontribuuar në blerjen e apartamentit me një hua/ndihmë në masën 3780 euro.

“vlerësojmë se në analizën financiare të burimeve të ligjshme të krijimit të pasurive deri në periudhën e kryerjes së pagesës në qershor 2008, nuk duhet konsideruar shuma e pretenduar nga subjekti mbi të ardhurat nga qiradhënia, pasi rezulton se për të ardhurat e realizuara gjatë vitit 2008 nga ky burim, detyrimet tatimore janë paguar gjatë procesit të rivlerësimit,” shkruan komisioneri publik.

Për këto arsye, komisioneri kërkon rihapje të hetimit gjyqësor nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndërsa e lë në varësi të hetimit gjyqësor nëse Andoni duhet rikonfirmuar në detyrë apo të ndryshojë vendimin e konfirmimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *