Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit, Blerona Hasa pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

‘Pavlefshmëria absolute’ për borxhin 7 miliardë lekë rrezikon gjyqtaren Blerona Hasa

Në një vendim të vitit 2017, gjyqtarja e Apelit Administrativ si pjesë e trupës gjyqësore kishte rrëzuar një urdhër të Tatimeve për një kompani me 7 miliardë lekë detyrime tatimore – por gjyqtarja Blerona Hasa deklaroi në seancë se paligjshmëria në atë rast kishte qenë “ulëritëse”.

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit, Blerona Hasa pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Gjyqtarja Blerona Hasa e Gjykatës Administrative të Apelit u përball të enjten më 23 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Olsi Komici kryesues, Brunlida Bekteshi relatore dhe Xhensila Pine anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Mia Roessing.

Blerona Hasa ka kryer studimet e Magjistraturës në vitet 1998-2001 dhe është emëruar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Në vitin 2011, Hasa është transferuar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa në vitin 2013 është dekretuar si gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.

Gjatë seancës dëgjimore u evidentuan probleme lidhur me ndërtimin e një kati banimi dhe papafingo që zotëron familja e gjyqtares në pjesën e sipërme të një shtëpie në qytetin e Durrësit – që sipas Komisionit përbëhej nga tre kate dhe bodrum, ndërsa gjyqtarja Hasa pretendoi se ishte me pesë kate.

Sipas relatores Brunilda Bekteshi, ka mospërputhje mes të dhënave të pasqyruara në deklaratën veting nga gjyqtarja Hasa dhe dokumentacionit të administruar nga institucionet për këtë pasuri.

Gjyqtarja Hasa ka pasqyruar në deklaratën venting përfundimin e dy kateve që zotëron familja e saj në muajin dhjetor të vitit 2007. Si burim krijimi, ajo ka deklaruar dy kredi të marra prej saj dhe bashkëshortit në vitin 2007, një në vlerën 30 mijë euro dhe tjetrën 10 mijë euro.

Sipas Bekteshit, nga dokumentacioni i siguruar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, rezulton se shtëpia ka qenë në gjendje karabinaje në vitin 2008.

Hasa ka deklaruar në vitin 2016 marrjen e një kredie tjetër në vlerën 59 mijë euro me destinacion shlyerjen e një pjese të kredive të marra në vitin 2007 dhe vlerën 30 mijë euro për përfundimin e banesës.

Leja e ndërtimit për banesën në fjalë ishte marrë nga vjehrri i gjyqtares Hasa në vitet 1997-1998 për ndërtimin e një objekti dy kate + garazh dhe se karabinaja e objektit është përfunduar në vitin 1999.

Bekteshi e quajti të paplotë deklarimin për këtë pasuri dhe ngriti dyshime se papafingoja del jashtë lejes ndërtimore. “Ka mospërputhje në regjistrimin e pasurisë lidhur me katet,” tha relatorja.

Sipas Komisionit, në vitin 2008 banesa ka qenë ende në gjendje karabinaje dhe është përfunduar në vitin 2010.

“Nga kryerja e analizës financiare duket se subjekti i vlerësimit nuk ka pasur mundësi financiare në vlerën 6.1 milionë lekë për kryerjen e investimeve për banesën dhe shpenzimet familjare”, tha Bekteshi.

Ajo renditi shpjegimet e gjyqtares Hasa, e cila i ka kundërshtuar gjetjet e Komisionit. Hasa ka pretenduar se leja është dhënë për pesë kate duke paraqitur si provë projekt-idenë për ndërtimin e banesës të dorëzuar në lejen e ndërtimit. Edhe gjatë seancës dëgjimore, Hasa këmbënguli se leja ndërtimore kishte qenë për pesë kate, duke shpjeguar se përshkrimi “sofito” përfaqësonte papafingon.

“Vjehrri e ka ndërtuar me leje objektin dhe ka pasur projekt teknik. Në leje është e shënuar bodrum + 3 kate + papafingo. Si në shesh dhe në leje thuhet sipas projektit bashkëngjitur dhe dokumentet janë me vulat e të gjithë institucioneve,” shpjegoi Hasa.

Komisioni konstaton pamundësi për rregullimin dhe arredimin e shtëpisë si dhe shpenzimet në vitin 2016 në vlerën 456 mijë lekë. Gjithashtu u konstatuan pamundësi financiare për kryerjen e shpenzimeve për periudhën 2009-2010 në vlerën 1.2 milionë lekë. Gjyqtarja Hasa kundërshtoi balancat negative të konkluduara nga analiza financiare.

Hasa shpjegoi se në vitin 2007 kishin përfunduar të gjitha punimet për papafingon dhe aty kishin jetuar deri në vitin 2016. Për katin e tretë, ajo tha se kishin përfunduar punimet kryesore në vitin 2007, por nuk ishin kryer punimet për sistemin e ngrohjes dhe të ftohjes dhe se në këto kushte ishte e pabanueshme. Sipas Hasës, në vitin 2016 ishte përfunduar të gjitha punimet edhe në katin e tretë dhe ishte kryer arredimi.

Komisioni evidenton përdorimin e pesë automjeteve nga bashkëshorti, të cilat nuk ishin në pronësi të tij. “Subjekti ka thënë se pronari i makinave është i afërm i bashkëshortit dhe se mjeti nuk mund të quhet në përdorim, nëse përdoret ndonjëherë.

Vendimi për 7 miliardë lekë detyrime tatimore

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, fillimisht ka depozituar në KPK një raport për përshtatshmërinë e gjyqtares Blerona Hasa. Por pas kërkesës së KPK për verifikimin e disa informacioneve të klasifikuara, DSIK ka konstatuar papërshtathsmërinë duke ngritur dyshime për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme nëpërmjet shpërdorimit të detyrës.

Gjyqtarja Hasa e quajti tronditës raportin e DSIK për kriterin e pastërtisë së figures, ku u trajtua e njëjta çështje për të cilën u ngritën probleme edhe për kriterin e profesionalizimit. “Sjellja e DSIK është tronditëse për mua. Bëhet fjalë për një çështje të vitit 2017. Kallëzimi është kryer në vitin 2019. Prokurori që ka verifikuar kallëzimin ka thënë se fakti nuk ekziston dhe se nuk mund të kryente hetim proaktiv, pasi kishin kaluar dy vite,” tha Hasa.

Çështja për të cilën gjyqtarja Hasa e ka shqyrtuar në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë ka lidhje më një tatimpagues që me anë të vendimit të kësaj gjykate ka shmangur pagesën e detyrimeve tatimore në buxhetin e shtetit në vlerën 7 miliardë lekë.

Treshja gjykuese e Apelit Administrativ ku bënte pjesë edhe gjyqtarja Hasa ka konkluduar në pavlefshmërinë absolute të një akti adiministrativ të Drejtorisë së Tatimeve për Biznesin e Madh ndaj shoqërisë D. sh.p.k. për pagesën e detyrimeve tatimore në vlerën 7 miliardë lekë.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e ka rrëzuar kërkesë-padinë e kësaj shoqërie që kërkonte deklarimin absolutisht të pavleshëm të aktit administrativ të tatimeve që e detyronte të paguante taksat. Vendimi i shkallës së parë është ndryshuar nga Apeli dhe çështja ka përfunduar më pas në Gjykatën e Lartë.

Bekteshi sqaroi se në vendim thuhej se akti administrativ nuk ishte nënshkruar nga titullari i drejtorisë së tatimeve, por nga një vartës i tij, në mungesë dhe me porosi. Sipas relatores, subjekti nuk ka hetuar lidhur me kalimin e kompetencave nga titullari tek vartësi dhe ka vendosur pavlefshmërinë absolute, duke i dhënë mundësi kësaj kompanie të mos paguante në buxhetin e shtetit 7 miliardë lekë detyrime tatimore.

Gjyqtarja Hasa deklaroi gjatë seancës dëgjimore se kur pushteti delegohet, duhet të publikohet në fletoren zyrtare. “Hetuam dhe nuk ishte publikuar. Në atë rast, pavlefshmëria absolute ishte ulëritëse. Ju thoni se kemi favorizuar tatim- paguesin. Ne kemi thënë se kishte pavlefshmëri absolute dhe i kemi dhënë mundësinë Tatimeve që të rikuperonte gabimet. Tatimet mund të kishin rregulluar aktin dhe të kërkonin sërish detyrimet, por kryen rekurs,” tha Hasa.

Ajo theksoi se Tatimet i kishin rimbursuar të njëjtës kompanie miliarda lekë TVSh pak kohë më vonë.

“Kam konstatuar se në dy raste, titullari i DSIK i ka deleguar kompetencat tek vartësit dhe e ka publikuar delegimin në fletoren zyrtare. Kjo tregon se DSIK i njeh mirë procedurat. Kjo gjë ka lënë një gjurmë shumë të hidhur tek personi im,” tha Hasa.

Ndaj gjyqtares Blerona Hasa janë depozituar 13 denoncime nga publiku në KPK. Denoncuesit pretendojnë se Hasa ka kryer zvarritje të proceseve dhe në një rast se ka pasur sjellje jo etike.

Lidhur me konstatimin për sjellje jo etike, Hasa shpjegoi se ishte detyruar nga veprimet e ndihmëses ligjore që të komunikonte me atë gjuhë, pasi prej kohësh ajo nuk e ushtronte detyrën si duhej. “Janë pak ata ndihmësa ligjorë që dinë të punojnë. Shumica vijnë për të treguar këpucët dhe kostumet. Ju duhet të më pyesni se çfarë ndodhi që përdora atë gjuhë me ndihmësen. U detyrova se askush nuk merrte masa edhe pasi i kisha vënë në dijeni të gjithë. Ajo kishte qëllim që të ndërronte gjyqtaren dhe ja arriti, e ndërroi,” pohoi Hasa.

“Ju mund të më shkarkoni, por unë raportin me vehten time e kam pozitiv, nuk i kam shërbyer askujt gjatë ushtrimit të detyrës sime si gjyqtare. Kërkoj vlerësim objektiv dhe konfirmin në detyrë,” përfundoi ajo.

KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 27 korrik, ora 08:50.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *