Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Gjyqtari Fatmir Hoxha shkarkohet nga detyra për mosjustifikim të pasurisë

Fatmir Hoxha është anëtari i katërt i Gjykatës Kushtetuese që digjet nga procesi i vetingut për shkak se nuk arriti të justifikonte 1.7 milionë lekë për blerjen e një apartamenti në Tiranë.  

Valbona Sanxhaktari, Alma Faskaj duke hyrë në një seancë të Komisionit te Pavarur te Kualifikimit. Foto nga : Gent Shkullaku/LSA

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha u shkarkua nga detyra të enjten pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerësoi më herët se ai nuk justifikon 1.7 milionë lekë nga shuma totale e blerjes së një apartamenti në Tiranë. Gjyqtari Hoxha është anëtari i katërt i Gjykatës Kushtetuese që digjet nga vetingu, ndërkohë që kjo gjykatë ka mbetur tashmë me 3 anëtarë, dy prej të cilëve nuk kanë kaluar ende në procesin e rivlerësimit.

Kryesuesja e trupit gjykues, Xhensila Pine deklaroi se vendimi për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Fatmir Hoxha ishte marrë me shumicë votash.  Hoxha nuk ishte i pranishëm në sallë, ndërkohë që avokati i tij, Julian Mërtiri nuk dha asnjë reagim për mediat.

Me një karrierë të gjatë në gjyqësor dhe me role drejtuese në Gjykatën e Pukës dhe Apelin e Shkodrës, Hoxha u emërua anëtar i Gjykatës Kushtetuese në qershor 2011. Zhvendosja e tij në Tiranë, e shoqëruar edhe nga blerja e një apartamenti me vlerë 140 405 euro i kushtoi atij karrierën.

Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vuri në dukje mungesën e burimeve të ligjshme në shumën e 1.7 milionë lekëve për blerjen e kësaj pasurie si dhe një mungesë financiare prej 275 mijë lekësh në deklaratën e pasurisë së vitit 2003.

Avokati i Hoxhës, Julian Mërtiri u mbrojt me argumentin se shuma prej 1.7 milionë lekësh ishte mbuluar nga shitja e mobiljeve të përdorura të shtëpisë së vjetër në Shkodër, ndërsa diferenca e vitit 2003 u justifikua me të ardhurat nga dhuratat cash që gjyqtari dhe bashkëshortja e tij morën gjatë ceremonisë së dasmës.

Deri në vitin 2011, kur Hoxha u emërua gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Fatmir Hoxha  zotëronte një pasuri familjare  me vlerë 5 milionë lekë, e përbërë nga një apartament në qytetin e Shkodrës prej 65 metrash katrorë, një automjet Volksëagen Golf dhe pjesa tjetër kursime me burim pagën e vet nga funksioni dhe atë të bashkëshortes.

Pas emërimit në Gjykatën Kushtetuese në Tiranë, Hoxha i ka shitur asetet e tij në Shkodër në mënyrë që të transferohej me shtëpi në kryeqytet me familjen. Me datë 25 shkurt 2011, gjyqtari ka lidhur një kontratë sipërmarrjeje për një apartament me sipërfaqe 112.3 metra katrorë në rrugën F. Rada, pranë ish ndërtesës së Agjencisë Telegrafike Shqiptare, për një vlerë prej 140,450 euro.

Kostoja e lartë e apartamenteve në Tiranë, shumë herë më e lartë se shtëpia modeste që gjyqtari Hoxha zotëronte në Shkodër, e blerë me vlerë 1.7 milionë lekë, e ka detyruar këtë të fundit të marrë një shumë të madhe parash në formë kredish bankare dhe huash nga persona të afërm.

Për apartamentin në Tiranë, gjyqtari Hoxha fillimisht ka paguar 51 mijë euro në cash, duke mbetur borxh te firma e ndërtimit për një shumë prej 89,450 euro. Ky detyrim deklarohet se do të shlyhej sipas një kredie të subvencionuar nga Enti i Banesave prej 5 milionë lekësh, shitjes së banesës në Shkodër si dhe pagesat në vazhdim. Gjithashtu për kaparin prej 51 mijë euro, gjyqtari Hoxha ka marrë një hua prej 28,500 euro nga kunati i tij, shtetasi A.G, e cila është shlyer gjatë viteve në vazhdim.

Në vitin 2012, Hoxha ka marrë kredinë e subvencionuar nga Enti i Banesave pranë Bankës Kombëtare Tregtare, BKT. Në vitin 2014 ai ka marrë një kredi tjetër prej 250 mijë lekësh nga BKT. Në vitin 2014, gjyqtari Hoxha gjithashtu ka shitur apartamentin e tij në Shkodër për vlerën 3.4 milionë lekë dhe në vitin 2016 makinën e tij me vlerë 1800 euro. Me anë te një huaje të re me vlerë 34 mijë euro nga shtetasi A.Z dhe kursimet familjare, gjyqtari Hoxha ka paguar në vitin 2017 detyrimet e mbetura ndaj kompanisë së ndërtimit “Vigand Kostruksion” me vlerë 37.800 euro.

Megjithë kreditë e marra nga BKT, huatë nga të afërmit dhe personat e lidhur në vlera të larta monetare, sipas relatores të trupës gjykuese të KPK-së Alma Faskaj, gjyqtari Hoxha nuk ka pasur mjaftueshëm para të ligjshme për të mbuluar shumën prej 140 mijë eurosh për blerjen e apartamentit në Tiranë. Komisioni ka konstatuar një diferencë negative burimesh financiare për pagesën e kryer ndaj kompanisë së ndërtimit “Vigand Konstruksion” në vlerën e 1.7 milionë lekëve. Komisioni gjithashtu ka ngritur dyshime mbi kryerjen e pagesave në cash për blerjen e apartamentit si dhe ligjshmërinë e sigurimit të subvencionit nga Enti i Banesave për kredinë e dhënë nga BKT.

Avokati Mërtiri sqaroi gjatë seancës dëgjimore se pagesat cash nuk ishin të paligjshme dhe se pronësia e apartamentit kishte qenë me probleme – arsye më shumë që e kishte shtyrë gjyqtarin Hoxha t’i bënte pagesat në cash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *