Prokurori Gjon Kodra gjatë një seance në KPK.
Analiza KPA Veting

Argumentet e KPA për shkarkimin e Gjon Kodrës

Prokurori i Tiranës, Gjon Kodra arriti të kalojë me sukses shkallën e parë të vetingut më 21 dhjetor 2021 në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, por u shkarkua në korrik të vitit 2022 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Kolegji u investua në këtë çështje bazuar në ankimin e kryer nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili iu referua rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM që kërkonte rihetimin e Kodrës në të tre kriteret e rivlerësimit për çështje që kishin të bënin me pasurinë, figurën dhe profesionalizmin. ONM shprehej në rekomandim se ishte “e pamundur që një subjekt të konfirmohet në detyrë kur ka disa çështje që nuk janë adresuar në mënyrën e duhur”.

Kodra e filloi karrierën në vitin 1989 si hetues në Tropojë dhe në vitin 1995 u emërua prokuror ushtarak. Prej më shumë se 20 vjetësh ai shërbeusi prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Deklarim i pamjaftueshëm i pasurisë

Sipas Ballhysës, përfundimi i arritur nga Komisioni për një apartament me sipërfaqe 129 m2 në Tiranë, nuk ishte i mbështetur në provat e administruara dhe në ligj, pasi subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm lidhur me burimin e krijimit. Komisioneri Publik pretendoi mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të tria pagesat e kryera për shlyerjen e çmimit të blerjes së këtij apartamenti, konkretisht në vitet 2006, 2007 dhe 2008.

Ai konstatoi se për pagesën e shumës 35 mijë e 952 euro në vitin 2006 janë pretenduar kursimet e bashkëshortes, por që nuk janë deklaruar në vitet përkatëse. Ballhysa argumentoi, se pretendimet Kodrës për paqartësi lidhur me plotësimin e formularëve të deklarimit për bashkëshorten nuk gjejnë mbështetje në rrethana objektive. Po ashtu, Komisioneri evidentoi se nuk egziston asnjë provë që të vërtetojë posedimin e këtij kursimi, pasi dhe nuk rezulton që të kenë qenë në gjendje në llogaritë bankare të bashkëshortes së subjektit në atë periudhë.

Komisioneri Publik vlerësoi se në analizë nuk mund të përfshihej si burim i ligjshëm as shuma 5000 euro që ka shërbyer për një pagesë të apartamentit në 2007-ën, pasi nuk është deklaruar burimi dhe pakësimi i likujditeve cash. Shumat 1000 euro dhe 10 mijë lekë të tërhequra nga llogaritë bankare të Kodrës dhe bashkëshortes së tij, janë vlerësuar të pamjaftueshme për pagesën në 2007-ën.

Ai konstatoi mospasqyrimin në deklaratën vjetore dhe në atë “veting” të një pagese 10 mijë euro në vitin 2008, si dhe pamundësi në masën 563 mijë lekë për kryerjen e këtij transaksioni.

Në parashtrimet në Kolegj, Kodra u shpreh se Komisioneri Publik nuk kundërshtoi faktin se bashkëshortja e subjektit ka pasur mundësi të kursejë këtë shumë.

Trupi gjykues i KPA i kryesuar Albana Shtylla, me relatore Natasha Mulajn dhe anëtarë Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo, konstatoi se konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik janë të fokusuara në aspektin ligjor të detyrimit të subjektit të rivlerësimit për të deklaruar kursimet në cash të bashkëshortes, si dhe të provuarit me dokumentacion të posedimit të vlerës së pretenduar.

Kolegji vëren se në jurisprudencën e tij, ka trajtuar gjerësisht çështjen e deklarimit të likuiditetit në cash në deklaratat e interesave private. “Në rastin objekt shqyrtimi, në kushtet e mosdeklarimit të kursimeve të bashkëshortes me burim nga të ardhurat e saj nga punësimi, në deklaratat e pasurisë dhe interesave privatë të viteve 2003, 2004 dhe 2005, ndonëse subjekti i rivlerësimit provoi teorikisht mundësinë e të ardhurave të krijuara nga bashkëshortja në vitet ‘80 dhe ‘90, në kushtet kur ekzistenca dhe gjendja e saktë e tyre nuk ka lënë gjurmë në asnjë formë…, si dhe në konsideratë të harkut kohor të konsiderueshëm, nga momenti i fitimit deri në kohën kur deklarohet ekzistenca e tyre për herë të parë, përkatësisht nga vitet 1980-1999 në vitin 2006, trupi gjykues i Kolegjit e gjen pretendimin e Komisionerit Publik të bazuar”, citohet në vendimin e arsyetuar të KPA, duke rrëzuar vlerësimin e KPK që konkludoi se Kodra, megjithëse kishte kryer deklarim të pasaktë, kishte pasur burime të mjaftueshme për kryerjen e pagesave.

Ashtu si Komisioneri, edhe Kolegji çmon se subjekti gjendet në pamundësi financiare në shumën 4 milionë lekë për kryerjen e pagesës 35 mijë e 592 euro në vitin 2006.

Me të njëjtën logjikë, Kolegji ka konkluduar edhe për pagesën e shumës 5 mijë euro në vitin 2007 me burim të pretenduar kursimet e bashkëshortes, prej nga ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 599 mijë lekë. Po ashtu, është konkluduar balancë negative dhe për pagesën e shumës 10 mijë euro në vitin 2008.

Kryesuesja Albana Shtylla është dakordësuar për shkarkimin e Kodrës, por ajo ka paraqitur mendim paralel lidhur me arsyetimin e shumicës për moskonsiderimin e kursimeve në cash të bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit, të realizuara nga punësimi i saj për periudhën 1980 – 1999, si dhe mospërfshirjen e tyre në përllogaritjen e burimeve të ligjshme për këtë pasuri.

Ajo sjell në vëmendje se bashkëshortja e subjektit, e cila është shtetase e huaj, nuk rezulton e regjistruar në certifikatën përbërjes familjare. Faktin se subjekti nuk ka deklaruar në vitet 2003, 2004 dhe 2005 të ardhurat, kursimet dhe pasuritë e  bashkëshortes, Shtylla e konsideron si qasje të Kodrës, se bashkëshortja nuk kishte detyrim ligjor për deklarim të të ardhurave dhe pasurive që dispononte veçmas, nisur nga fakti se ajo ishte shtetase e huaj dhe nuk ishte anëtare e familjes.

Shtylla vëren në vijim se kursimet nga punësimi i bashkëshortes janë pretenduar si burim për krijimin e apartamentit që në deklaratën periodike të vitit 2006, kur dhe është nënshkruar kontrata e sipërmarrjes; si dhe para ILDKPKI-së në 2010-ën.

“…Mospërfshirja e këtyre kursimeve në burimet e ligjshme, do të përligjej vetëm nëse bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit do të rezultonte me pamundësi financiare për të kursyer shumën 35.000 euro me të ardhura nga punësimi i saj për periudhën 1980 e në vijim”, vlerëson Shtylla, por mejgithatë ajo çmon se mbetet balancë negative në shumën 1.8 milionë lekë që pasjellë konkluzionin se Kodra ka kryer deklarim të pamjaftueshëm.

Cënimi i besimit

Komisioneri ka vlerësuar ndryshe nga Komisioni edhe për një situatë konflikti interesi, ku subjekti rezulton të ketë marrë vendim mbi një kallëzim të personit që i ka shitur apartamentin. Sipas Ballhysës, marrdhënia me shtetasin A.A. nuk ka përfunduar në vitin 2008 kur janë kryer pagesat, por ka vijuar deri në vitin 2016 kur është finalizuar kontrata e shitblerjes.

Komisioni ka arsyetuar se nuk është provuar që subjekti të ketë përfituar trajtim preferencial nga A.A., si dhe e ka pushuar çështjen e kallëzuar prej palës shitëse, vendim që është gjetur i drejtë dhe nga gjykata.

Por, sipas Ballhysës, Kodra duhej të kishte hequr dorë me qëllim shmangien e një situate të konfliktit të interesit apo atij në dukje.

Ky vlerësim është gjetur i drejtë nga KPA. “Fakti që subjekti i rivlerësimit, në përfundim të hetimeve, ka marrë vendimin për pushimin e procedimit penal, i cili më pas u gjet i drejtë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, që me vendimin nr. {***}, datë 11.07.2011, vendosi rrëzimin e kërkesës së kërkuesit A. A., si të pabazuar në prova dhe në ligj, nuk e përjashton subjektin e rivlerësimit nga detyrimi ligjor që ka pasur për heqjen dorë nga hetimi i kësaj çështjeje penale”, arsyeton Kolegji dhe analizon në vijim konceptin e paanësisë, duke e konsideruar si “esenciale për ushtrimin e detyrës”. Sipas KPA, perceptimi i paanësisë cënon besimin e publikut tek drejtësia.

Trupi gjykues vlerëson se Kodra ka dështuar që me veprimet e tij, të shmangë dyshimin për paanësinë e tij, duke mos paraqitur dorëheqjen nga hetimi i procedimit penal, duke afektuar kështu edhe indikatorin e rivlerësimit të tij përsa i përket kujdesit ndaj konfliktit të interesit.

Nisur nga fakti se nuk janë evidentuar raste të tjera të konfliktit të interesit, Kolegji e ka vlerësuar këtë situatë të pamjaftueshme për të afektuar kriterin e profesionalizimit dhe për këtë arsye është trajtuar në kuadër të vlerësimit tërësor të çështjes.

Bazuar në gjetjen e ONM-së lidhur me kontaktin e subjektit me shtetasin P.A, person i përfshirë në krimin e organizuar, Komisioneri Publik çmoi se përfundimi i Komisionit lidhur me kontrollin e figurës, nuk është rrjedhojë e një vlerësimi tërësor të fakteve dhe interpretimit të drejtë të ligjit të posaçëm.

KPK vlerësoi se, megjithëse shtetasi P. A. kishte qenë person i përfshirë në krimin e organizuar, nuk provohej në mënyrë të pakundërshtueshme se ai kishte qenë një kontakt i papërshtatshëm për subjektin e rivlerësimit.

Komisioni arsyetoi se, ekzistenca e një telefonate të vetme në vitin 2008 nga shtetasi P. A. drejt numrit të telefonit të Kodrës, kur nuk disponohej informacion që të ishte përfshirë në veprimtarinë e trafikut ndërkombëtar të drogës, si dhe padijenia e subjektit të rivlerësimit mbi situatën ligjore të tij, nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi për pasje kontakti të papërshtatshëm dhe mosdeklarim të tij.

Prokurori Kodra ka shpjegur lidhur me këtë gjetje se shtetasin P.A. e njeh si vëllain e deputetit S.A., por ka theksuar se nuk ka pasur lidhje shoqërore apo familjare. Ai ka deklaruar se, në kujtesën e tij, nuk ka komunikuar ndonjëherë në telefon dhe nuk ka pasur kontakte apo biseda që lidhen me detyrën të cilën kryen.

Lidhur me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare në vitin 2001 në një çështje në ngarkim të P.A. për “falsifikim të dokumenteve, subjekti parashtroi se pjesëmarrja në një seancë gjyqësore të vetme 20 vjet më parë; për një vepër penale që nuk konsiderohet e rëndë për të mbetur në kujtesën e tij; në kushtet që nuk ishte as prokurori i i çështjes; si dhe faktin se ka kërkuar dënimin dhe burgimin e atij personi, nuk mund të konsiderohet si kontakt, e aq më tepër i papërshtatshëm.

Trupi gjykues i Kolegjit sqaron se është njohur në mënyrë të drejtëpërdrejtë me informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror” dhe në përfundim ka konkluduar se pretendimi i Komisionerit Publik është i bazuar. Sipas KPA, Kodra ka pasur kontakt të papërshtatshëm jorastësor me shtetasin P. A., i cili rezultoi të jetë person i përfshirë në krimin e organizuar.

Megjithatë, Kolegji mban në konsideratë rrethansn lehtësuese që ka të bëjë me harkun kohor kur ka ndodhur komunikimi dhe se nuk ka ndonjë tregues tjetër që kontakti me këtë person ka vijuar. Sipas KPA, Kodra përjashtohet nga deklarimi i pamjaftueshëm në kontrollin e figurës.

Por vlerëson se, megjithëse nuk provohet dijenia e Kodrës mbi hetimet apo procedimet ndaj shtetasi P.A., ky i fundit nuk rezulton që të ketë qenë një emër i panjohur për Prokurorinë e Tiranës e për rrjedhojë nuk mund të pretendohet se subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur dijeni të qasjes së këtij shtetasi me organin e akuzës, pavarësisht se hetimet ndaj tij janë pushuar.

Sipas KPA, këto rrethana së bashku me telefonatën e zhvilluar në vitin 2008, nuk mund të mos komprometojnë besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, si dhe nuk mund të lihen jashtë vlerësimit tërësor të kësaj çështjeje.

Bazuar në këtë arsyetim, Kolegji ka analizuar në vlerësimin tërësor konstatimet për konfliktin e interesit dhe ato në kriterin e figurës, prej nga çmon se prokurori Kodra gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Megjithëse gjyqtarja Shtylla i bashkohet konkluzionit të shumicës se Kodra gjendet në kushtet e cënimit të besimit në vlerësimin tërësor të konfliktit të interesit dhe kontrollit të figurës, ajo vlerëson ndryshe lidhur me konkluzionin për kontakt të papërshtatshëm.

“..Rezulton se subjekti i rivlerësimit ka pasur një komunikim telefonik me shtetasin P. A., i cili nuk mund të ngrihet në nivelin e cilësimit si një kontakt i papërshtatshëm, duke qenë se nuk u arsyetua dhe më tej nuk u konkludua për ekzistencën e një rrethane specifike… e cila do të passillte për rrjedhojë kualifikimin e kësaj situate faktike”, konstaton ajo dhe e cilëson alogjik kualifikimin e një situate si cënim i besimit të publikut te drejtësia, për shkaqe e shkelje që në vetvete nuk sjellin shkarkim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *