Gjyqtari Dritan Banushi pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Lajme Veting

Gjyqtari Dritan Banushi kundërshton analizën e re financiare

Analiza e re financiare e kryer nga Komisioneri Publik për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Dritan Banushi, u kundërshtua nga ky i fundit dhe avokati i tij Viktor Gumi gjatë seancës të premten më 20 maj, të cilët e cilësuan të pabazuar dhe të pargumentuar.

Në seancën parardhëse më 26 prill, ish-Komisioneri Darjel Sina kërkoi prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin e Banushit dhe shkarkimin e tij nga detyra me argumentin se “nuk arrin nivel të besueshëm”. Sipas Sinës, evidentohen mungesa të burime të ligjshme për shpenzimet dhe kursimet e disa viteve nga Banushi, si dhe për blerjen e një apartamenti nga prindërit e tij, ku jeton familja e gjyqtarit.

Avokati Gumi pretendoi në seancën e mëparshme se analiza financiare e bërë nga Komisioneri Publik bazohej mbi një lapsus të transferimit të analizës së kryer nga KPK nga programi excel në ëord. Gumi lexoi në seancë një sërë ndryshimesh në shifra që sipas tij, nëse merreshin nga të dhënat në excel, e bënin të papërfillshme diferencën negative. Kolegji i kërkoi Komisionerit kryerjen e një analize të re financiare, që në seancën e premtes u mësua se u ishte paraqitur trupës gjykuese dhe subjektit të rivlerësimit pak ditë më parë.

Gjyqtari Banushi paraqiti në fillim të fjalës së tij të premten rrethana që i cilësoi ‘si emocionale’, që kishin të bënin me apartamentin e blerë nga prindërit, pasuri për të cilën Komisioneri vlerëson se nuk janë provuar burimet e ligjshme të krijimit.

Ai theksoi se në deklaratën e parë të vitit 2003, kishte pasqyruar situatën reale të apartamentit të blerë nga i ati, që sipas tij kishte qenë karabina. Banushi këmbënguli se kishte dorëzuar prova dhe foto që e vërtetonin një gjë të tillë dhe se vëzhguesi ndërkombëtar i kishte dhënë dorën në fund të procesit në KPK.

Sipas Banushit, babai e kishte vuajtur faktin se ishin gjetur probleme për një pasuri të blerë nga ai. Subjekti pohoi se kishte dorëzuar dokumente që vërtetonin se deri në dhjetor të vitit 2003, shoqëria ndërtuese nuk kishte shitur asnjë apartament, që sipas tij tregonte se nuk ishin përfunduar.

Po ashtu, Banushi evidentoi se në kontratën e porositjes përcaktohej se apartamenti do të ndërtohej si karabina dhe se do të dorëzohej i papërfunduar. Sipas tij, edhe në kontratat e tjera të shitjes që kishte dorëzuar si prova, rezultonte se apartamentet ishin përcaktuar të dorëzoheshin karabina dhe me të njëjtin çmim. “Provat tregojnë se nuk ka asnjë dyshim për apartamentin e babait tim,” pohoi subjekti.

Banushi deklaroi se tashmë vuante dhe më shumë nga kjo situatë, pasi babai kishte ndërruar jetë dhe nuk kishte pasur mundësinë të shikonte se ishin rrëzuar pretendimet e ngritura për burimet e apartamentit.

Në vijim, ai vërejti se nga ana e Komisionerit Publik ishin ndryshuar 63% e qelizave të tabelës financiare excel, por pa u dhënë asnjë argument. Sipas Banushit, për vitin 2007 vlera e shpenzimeve ishte dyfishuar krahasuar me atë të përllogaritur nga ILDKPKI sipas të dhënave të INSTAT. Sipas tij, kjo përllogritje ka ndikuar në analizën e viteve të mëvonshme duke sjellë balancën negative totale në vlerën rreth 3.4 milionë lekë.

Banushi theksoi se të ardhurat e familjes së tij, të pasqyruara dhe me të dhëna bankare, janë të padiskutueshme. Po ashtu, ai këmbënguli se gjendjet cash të deklaruara në vite nuk mund të interpretohen në mënyra të ndryshme. “Nëse do të kryhen përllogaritjet në rregull atëherë balanca ime negative mbetet 259 mijë lekë,” pohoi Banushi.

Në vijim ai pretendoi se dhuratat për vajzën në shumat rreth 3500 euro dhe 100 mijë lekë ishin krijuar gjatë viteve të ndryshme nga dhënia e vlerave modeste nga familjarët. Sipas tij, kur vajza  mbushi 18 vjeçe, i ishin dhënë këto dhurata dhe ishin deklaruar. Banushi deklaroi se prindërit kishin pasur mundësi për një pagesë për shkollimin e vajzës, veprim që e kishin deklaruar edhe përpara noterit. “Vlera modeste nuk ndikon në analizë, por dua të mos vihet në dyshim e vërteta ime dhe e babait tim,” tha subjekti.

Avokati Gumi vërejti se në analizën e re të paraqitur nga komisionerja Irena Nino nuk pasqyrohej asnjë prapësim lidhur me parashtrimet e subjektit të paraqitura në seancën paraardhëse dhe se qëndrimet e tij do të ishin të ngjashme me ato të paraqitura në parashtrime. Ashtu si Banushi, edhe Gumi vërejti se nuk kishte asnjë argument nga ana e Komisionerit Publik lidhur me ndryshimet e kryera në analizën financiare dhe e quajti flagrante vlerën e përcaktuar si shpenzim në vitin 2007.

Gumi e cilësoi vlerën e shpenzimeve të konkluduar në vitin 2007 si një gabim që sillte ndikime të konsiderueshme në analizën e viteve të mëvonshme. Sipas tij, analiza e Komisionerit ka edhe gabime të tjera dhe kërkoi që të përllogariten ato vlera që janë gjithmonë të vlerësueshme.

Për vlerat cash, Gumi kërkoi që ato të konsiderohen sipas deklarimeve të subjektit. Ai theksoi se nëse deklarimet për kursimet cash do të lexoheshin drejt, atëherë do të rezultonin vlera të ndryshme nga ato të konkluduara prej Komisionit dhe institucioni të Komisionerëve Publikë.

Për mosdeklarimin si gjendje cash në vitin 2005 të një vlere 450 mijë lekë nga shitja e një mjeti, Gumi këmbënguli se gjithçka qartësohej në vitin 2007 kur subjekti kishte blerë një automjet tjetër dhe kishte deklaruar si burim shumën e ruajtur nga shitja e makinës së mëparshme. Ai shpjegoi se subjekti e ka deklaruar si të ardhur vlerën e siguruar nga shitja e mjetit, pasi e ka konsideruar si të tillë.

Sipas Gumit, nëse konsiderohet gjendja cash bazuar në deklarimet vjetore të subjektit, atëherë balanca negative do të ishte vetëm 321 mijë lekë. “Larg vlerës së vendosur si standart nga KPA për shkarkimin,” pohoi Gumi dhe shtoi se kishin paraqitur tre herë parashtrime dhe ekspertime lidhur me analizën financiare, por asnjëherë nuk kishin marrë përgjigje.

Lidhur me një denoncim të ri për të cilin Komisionerja që zëvendësoi Sinën, Irena Nino deklaroi se nuk ishin gjetur rrethana për hetime të mëtejshme, avokati Gumi vërejti se ishte kryer nga një denoncues i mëparshëm dhe për të njëjtin fakt. Ai e konsideroi këtë denoncim të përsëritur dhe si presion që kryhej ndaj subjektit.

Në fund të seancës, relatorja Albana Shtylla i drejtoi pyetje komisioneres Nino dhe subjektit të rilverësimit.

Shtylla e pyeti subjektin lidhur me shpenzimet e mobilimit të apartamentit. Banushi shpjegoi se nuk kishte kryer asnjë ndryshim në analizën e tij lidhur me shpenzimet e mobilimit. Ai e cilësoi të drejtë vlerësimin e KPK-së që kishte përllogaritur shpenzime për mobilimin në vitet 2006-2007 dhe 2010-2014, ndërsa u shpreh se nuk dinte përse Komisioneri kishte përllogaritur shpenzime për mobilimin në peridudhën 2006-2012, pa ndëprerje. “Komisioneri Publik nuk u qëndron deklarimeve të mia pa dhënë asnjë sqarim,” deklaroi Banushi.

Lidhur me konstatimin e Shtyllës se kishin paraqitur tre variante të ndryshme për analizën financiare dhe pyetjes së saj se kujt i qëndronin, avokati Gumi shpjegoi se ata kishin një qëndrim që e kishin paraqitur më datë 18 maj. Gumi shpjegoi se variantet e tjera ishin në funksion të kundërshtimit të qëndrimeve të Komisioneres, nëse analizat e saj do të konsideroheshin.

Shtylla kërkoi të dinte nga Nino se cila ishte metedologjia që kishte ndjekur institucioni për shpenzimet jetitke në vitet 2014-2015, duke vërejtur se ishte e ndryshme nga standarti i ndjekur prej ILDKPKI-së. Komisionerja Nino sqaroi se për këto vite ishin përllogaritur shpenzimet për tre anëtarë të familjes + një muaj shpenzimet e vajzës që ishte me studime për vitin 2014 dhe dy për muaj në 2015-ën.

Subjekti kërkoi kohë për të paraqitur qëndrim për këtë metodologji të paraqitur komisionerja  Nino për periudhën 2014-2015 dhe Kolegji vendosi të shtyjë seancën për më datë 27 maj, në orën 09:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *