Prokurori Genci Mane në KPK | Foto: Edmond Hoxhaj/ BIRN
KPK Veting

Prokurori Genci Mane jep shpjegime për të ardhurat e prindërve

Prokurori Genci Mane i Prokurorisë së Fierit u përball të mërkurën më 7 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime dhe kundërshtoi konstatimin për pamundësi të prindërve për t’i paguar atij pjesën takuese të një banese në Berat, vlerë që subjekti e ka deklaruar si një prej burimeve për blerjen e një apartamenti në Fier. Mane mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe dha shpjegime për një çështje në kriterin profesional.

Procesi i vetingut për prokurorin Genci Mane po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Genci Mane e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe prej vitit 2005 ai e ushtron funksionin si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier. Aktualisht ai ushtron funskionin e drejtuesit të kësaj prokurorie.

Konstatimet për pasurinë

Komisioni nuk ka gjetur probleme për një banesë me sipërfaqe 82 m2 + verandë dhe oborr me sipërfaqe 57 m2 në Berat, të përfituar nga familja e tij e origjinës nëpërmjet privatizimit, pasuri në të cilën subjekti ka zotëruar ¼-ën pjesë takuese.

Po ashtu, nuk janë gjetur probleme në blerjen e një automjti në vitin 2015 kundrejt shumës 180 mijë lekë, si dhe për dy hua të marra për periudha të shkurtëra në vitet 2008 dhe 2009, që janë përdorur si garanci për marrjen e vizave dhe janë rikthyer.

Ndërkohë, relatori Ilia evidentoi disa gjetje për një apartament me sipërfaqe 140 m2 + 15 m2 sipërfaqe e përbashkët e blerë në vitin 2013 në qytetin e Fierit kundrejt çmimit 4 milion e 650 mijë lekë – konstatime për të cilat subjekti i rivlerësimit dha shpjegime. Sipas Ilias, prokurori Mane ia ka likujduar një pjesë të çmimit të apartamentit shoqërisë “I. 2004” para nënshkrimit të kontratës në vitin 2013, kurse pjesën tjetër e ka shlyer me kredi.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, Mane ka deklaruar një kredi bankare në shumën 2.9 milionë lekë, vlerën 1.7 milion lekë të përfituar shitja e ¼-ës pjesë takuese në banesën në Berat, si dhe kursimet nga pagat.

Ilia vërejti se subjekti ka dorëzuar si provë për shitjen e pjesës së tij takuese të banesës në Berat një deklaratë noteriale, por nuk është vërtetuar kalimi i vlerës 1.7 milionë lekë nga prindërit tek ai, si dhe nuk është vëretuar mundësia e tyre financiare për kursimin e kësaj shume.

Sipas Ilias, subjekti ka dorëzuar dokumentacion se i ati ndërkohë që ka qenë në pension, ka punuar si specialist në një shoqëri gjatë periudhës 2007-2012. Relatori sqaroi se shoqëria ka dorëzuar dokumentacion për të ardhurat.

Megjithatë, nga analiza paraprake e Komisionit ka rezultuar se prindërit nuk kanë pasur mundësi financiare për të paguar vlerën 1.7 milionë lekë për blerjen e pjesës takuese të djalit të tyre, prokurorit Mane. Sipas Komisionit, në analizë nuk janë përfshirë të ardhurat nga puna e të atit në këtë shoqëri pasi nuk janë paguar detyrimet tatimore.

Në vijim, KPK konstaton se duket se subjekti e ka shitur pjesën e tij takuese në vlerë më të madhe nga ajo e tregut.

Ilia pohoi se duket se kontrata e shitjes së pjesës takuese të banesës në Berat është fiktive.

Në seancë u konstatua se Mane ka përfituar kredi me kushte lehtësuese nga Bashkia e Fierit. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se subjekti nuk ka ndjekur asnjë çështje të Bashkisë Fier. Megjithatë, Komisioni konstatoi se duket se subjekti e ka përfituar në mënyrë të padrejtë kredinë e butë, në cilësinë e të pastrehut, ndërkohë që ka qenë bashkëpronar në shtëpinë në Berat kur ka aplikuar.

Nga analiza financiare për këtë pasuri është konstatuar pamundësi për pagesën e këstit me anë të vlerës së deklaruar si të përfituar nga shitja e pjesës takuese të banesës në Berat.

Sipas KPK, duket se subjekti ka pasur trajtim preferencial në çmimin e apartamentit, si dhe për faktin se ka rezultuar se ka jetuar aty rreth tre vjet e gjysmë përpara se ta blinte. Por, Ilia shtoi se nuk rezulton që subjekti të ketë hetuar ortakun e kësaj shoqërie apo administratorin A.Ç..

Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake, ku nuk është përfshirë shuma 1.7 milionë lekë e dhënë nga prindërit për pjesën takuese të shtëpisë në Berat, ka rezultuar balancë negative në vlerën totale rreth 1.2 milionë lekë në vitin 2013.

Prokurori Mane e konsideroi objektiv hetimin e Komisionit. Ndërkohë, ai kundërshtoi analizën financiare për apartamentin e blerë në Fier, duke u ndaluar në konstatimin për pamundësinë e prindërve për t’i paguar atij shumën 1.7 milion lekë për pjesën takuese të shtëpisë në Berat.

Mane vërejti se rezultonte e qartë se babai i tij i ndjerë ka qenë një nga specialistët më të mirë në vend për restaurimin e monumenteve ariktekturore dhe prandaj ishte licensuar për kryerjen e punimeve të tilla. “Megjithëse ka qenë në pension ai ka vijuar të punojë”, pohoi Mane dhe shtoi se, për shkak se ka kaluar kohë e gjatë dhe babai ka ndërruar jetë, ka arritur të gjejë dokumentacion ligjor provues vetëm për një shoqëri ku i ati ka punuar.

Në vijim, subjekti i rivlerësimit shtoi se në vitet 1998-1999 babai ishte përfshirë në projektet e zyrës për punët publike dhe se këtë fakt e vërtetonte me dokumentet për punimet ku ai kishte nënshkruar.

“Kjo zyrë e konfirmon punën e tij dhe kam dorëzuar dokumentacion me nënshkrimin e tij, që provon se babai ka krijuar të ardhura të tjera veç pensionit”, këmbënguli Mane.

Lidhur me të ardhurat e siguruara nga shoqëria, subjekti solli në vëmendje se ishte vërtetuar se ishite shlyer tatimi në burim për pagesat e kryera në favor të të atit, por sipas tij, nuk mund të paguheshin sigurimet shoqërore ndërkohë që ai ishte në pension. “Vlerësoj se të ardhurat nga shoqëria R.T. duhet të konsiderohen të ardhura të ligjshme”, pohoi Mane.

Ai shtoi se prindërit kishin siguruar edhe të ardhura të tjera, duke veçuar një shumë 500 mijë lekë që sipas tij e ëma e kishte përfituar nga shitja e një objekti në vitin 1996, që e kishte blerë më parë nga ndërmarja komunale. “Vlerësoj se prindërit e mi kanë pasur mundësi për të kryer pagesën 1.7 milionë lekë”, theksoi Mane.

Në vijim subjekti u ndal në konstatimin për trajtimin preferencial në dukje. Sipas tij, çmimi i apartamentit në Fier i përket vlerave që u është shitur edhe banorëve të tjerë.

Ai shpjegoi se banesa ka një problem teknik që ia ul vlerën pasi sjell dëmtime të herëpashershme që duhen riparuar. Mane tha se kishte dorëzuar edhe një akt teknik që vërtetonte këtë fakt.

Kryesuesja Pamela Qirko ritheksoi faktin se subjekti kishte jetuar në këtë apartament tre vjet e gjysmë para se ta blinte dhe e pyeti atë për marrdhënien që kishte me pronarin e kompanisë që i’a kishte shitur.

Mane deklaroi se, në kushtet që gjendej apartamenti, kishte qenë në interes të firmës që të priste pasi nuk i shiteshin për shkak të problemit teknik të shpjeguar prej tij. Pasi Qirko insistoi duke e pyetur nëse kishte pasur marrdhënie me palën shitëse, Mane argumentoi se nuk kishte lidhje pasi dhe prejardhja e tij nuk ishte nga qyteti i Fierit.

Subjekti kundërshtoi edhe dyshimet për fiktivitet të deklaratës noteriale për blerjen e pjesës takuese të tij të banesës në Berat nga prindërit. Ai vërejti se kishte dorëzuar dokumentcion që vërtetonte se kishte hequr dorë dhe nga pjesa e trashëgimisë ligjore nga ajo banesë pasi i ati kishte ndërruar jetë.

Lidhur me kredinë e butë, prokurori Mane sqaroi se kishte aplikuar si i pastreh që prej vitit 2009 dhe kishte rezultuar përfitues në 2013-ën.

I pyetur nga Bekteshi për të sqaruar rrethanat ligjore të përfitimit të kredisë së butë, Mane deklaroi se kishte dorëzuar në bashki gjithë dokumentacionin që nevojitej për të përfituar kredi si i pastreh. Ai argumentoi se shtëpia në Berat ndahej nga katër pronarë dhe se sipërfaqja 82 m2 nuk ishte e mjaftueshme për të gjithë anëtarët e familjeve të bashkëpronarëve. Sipas tij, një banor duhej të kishte të paktën 12 m2 në dispozicion dhe duke qenë se një gjë e tillë nuk plotësohej nga sipërfaqëja e shtëpisë në Berat, familja e tij gjendej në kushtet si e pastreh.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka dorëzuar raporte pozitive për prokurorin Genci Mane duke konstatuar se nuk ka dyshime për përfshirje të tij në veprimtari të paligjshme apo kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Relatori Ilia pohoi se Komisioni ka kryer hetime bazuar në disa indicie pasi subjekti ka udhëtuar jashtë shtetit me mjetet e shtetasve R.Ç., M.R., M.Xh. dhe E.M.. Sipas relatorit, subjekti ka sqaruar se i njeh këta persona dhe se ka miqësi. Nga verifikimet ka rezultuar se Mane nuk ka hetuar ndonjë çështje me palë personat me mjetet e të cilëve ka udhëtuar, duke mos u gjetur probleme.

Ilia shtoi se bazuar në indicie është verifikuar nëse subjekti ka hetuar shtetasit A.I, V.M, F.M dhe A.K, por as në këto raste nuk janë gjetur probleme.

Komisioni ka hetuar edhe mbi numrat telefonikë të përdorur nga Mane, por nuk ka gjetur indice.

Ashtu si DSIK, edhe Komisioni konkludon se prokurori Mane nuk rezulton të ketë kontakte të papërshtashme, duke e vlerësuar pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Komisioni nuk ka gjetur probleme në tre dosjet e përzgjedhura nga vetë subjekti në kuadër të procesit të rivlerësimit, si dhe as në 10 denoncimet e depozituara nga publiku. Po ashtu, ka rezultuar se ndaj Manes nuk është dhënë asnjë masë disiplinore.

Në një prej pesë dosjeve të shortuara lidhur me një procedim penal të vitit 2014 me një të pandehur për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, Ilia konstatoi se nuk janë kryer hetime të plota për personin që është larguar nga vendi ngjarjes.

Prokurori Mane deklaroi se i pandehuri në këtë çështje, shtetasi G.K. ishte dërguar për gjykim, ndërsa kishte ndarë procedimin lidhur me autorin tjetër që ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas tij, ishin kryer veprime hetimore për zbulimin e autorit të larguar.

Në përfundim të seancës prokurori Genci Mane kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 13 dhjetor, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *