Foto arkive e KPA | BIRN/Nensi Bogdani
Analiza Artikull kryesor ! KPA

ONM ‘totalisht kundër’; Si e mbajti në detyrë KPA gjyqtarin Gerd Hoxha

Gjyqtari i Tiranës, Gerd Hoxha u konfirmua në detyrë me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 3 qershor 2021, rezultat që e ruajti po me shumicë votash në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA më 6 korrik 2022, nëpërmjet një vendimmarrje të diskutueshme, që u kundërshtua gjatë shpalljes edhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM.

Në të njëjtën ditë, Kolegji vendosi me shumicë votash shkarkimin nga detyra të ish-bashkëshortes së gjyqtarit Hoxha, Elbana Lluri, megjithëse një pjesë e shkaqeve të ankimit të Komisionerëve Publikë për kriterin e pasurisë ishin të njëjta. Shkaqet e ngritura për profesionalizmin nuk u gjetën penalizuese.

Vendimi i arsyetuar i KPA tregon se shumica e trupit gjykues e përbërë nga kryesuesja Rezarta Schuetz, relatorja Albana Shtylla dhe anëtarja Natasha Mulaj janë kujdesur të interpretojnë faktet dhe legjislacionin në funksion të heqjes së barrës së provës për Hoxhën lidhur me një pjesë të shkaqeve të ngritura nga ish-komisioneri Darjel Sina që përfshinin edhe ligjshmërinë e burimeve të kursimeve të ish-bashkëshortes të subjektit dhe një huaje të marrë prej saj nga prindërit. Ndërkohë, nuk i janë përgjigjur plotësisht një shkaku ankimi për pamundësinë e krijimit të një pjese të kursimeve cash të deklaruara nga subjekti në vitin 2003, si dhe janë bindur me shpjegimet e tij kontradiktore lidhur me burimin e një automjeti luksoz të blerë nga i ati dhe të përdorur prej tij.

Pakica e përbërë nga gjyqtarët Ina Rama dhe Sokol Çomo e cilësojnë të pabazuar arsyetimin e shumicës, duke konkluduar se Hoxha gjendet në pamundësi financiare në vlera të konsiderueshme për krijimin e pasurive, si dhe se ka fshehur të drejtat e pronësisë mbi një automjet “Audi Q7”, në pronësi të babait të tij – pasuri për të cilën konkludojnë se prindërit e subjektit nuk kanë pasur mundësi financiare ta blinin.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit për lënien në fuqi të konfirimit të gjyqtarit Gerd Hoxha, reagoi në seancë vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs i cili u shpreh se po mbante qëndrim në emër të vëzhguesve ndërkombëtarë. “[…]Do doja të theksoja se jemi totalisht kundër këtij vendimi, jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për procesin e vendimmarrjes. Drejtësia shërbehet kur vendimi bazohet në fakte, jo kur faktet i përshtaten rezultatit të dëshiruar. Reforma në drejtësi, procesi i vetingut, ky Kolegj dhe qytetarët e Shqipërisë meritojnë më shumë se sa ky vendim,” tha Jacobs dhe shtoi se vendimi hedh hije mbi imazhin e Kolegjit.

Problemet që u evidentuan gjatë dy proceseve në Kolegj të çështjeve për Llurin dhe Hoxhën, kishin të bënin me ligjshmërinë e burimeve për blerjen e një apartamenti në Vlorë dhe një tjetri në Tiranë.

Katër anëtarë të të dy trupave gjykuese që shqyrtuan në Kolegj ankimet ndaj Llurit dhe Hoxhës, ishin të njëjtë.

Arsyetimet e kundërta për burimet

Komisioneri Publik kërkoi që të rivlerësohen nga Kolegji burimet e krijimit të deklaruara nga Hoxha se kishin shërbyer për krijimin e likujditeteve dhe investimet e kryera në pasuritë e paluajtshme.

Konkretisht, u kërkura verifikimi kursimeve të deklaruara nga subjekti në shumën 1.5 milionë lekë, si të përfituara nga puna në sektorin privat në periudhën 1995-2000 që ishin pasqyruar si pjesë e kursimeve në vitin 2003 dhe për një hua 25 mijë euro e marrë prej ish-bashkëshortes nga prindërit e saj, që është përdorur për rregullimin e një apartamenti në Tiranë.

Sipas komisionerëve Darjel Sina që kreu ankimin dhe zëvendësueses së tij, Irena Nino që parashtroi shkaqet dhe kërkimet në seanca, është provuar se nuk janë paguar detyrimet tatimore për të ardhurat e siguruara prej subjektit nga puna në sektorin privat në vitet 1995-2000, duke mos plotësuar kushtet për t’u konsideruar të ligjshme.

Pas shpjegimeve të Hoxhës, shumica vlerësoi se, edhe pse provat e paraqitura prej tij hedhin dritë mbi indicie të ekzistencës së një marrëdhënieje pune, ato nuk arritën të provojnë ekzistencën e elementeve të detyrueshme të përfitimit periodik të pagës, si dhe për pagesën e detyrimeve tatimore.

Për rrjedhojë, shuma 1.5 milionë lekë e deklaruar si e përfituar nga puna në sektorin privat në periudhën 1995-2000, para fillimit të detyrës, është vlerësuar se nuk përmbushin kërkesat për t’u konsideruar të ardhura të ligjshme në kuadër të procesit të vetingut të magjistratëve. Por, shumica është mjaftuar me këtë konkluzion dhe nuk ka arsyetuar nëse subjekti duhej të ishte penalizuar ose jo lidhur me balancën negative të konstatuar për krijimin e kursimeve në shumën 2.5 milionë lekë në 2003-in.

Ndërkohë, gjyqtarët në pakicë, Ina Rama dhe Sokol Çomo vlerësojnë ndryshe. Ata çmojnë se konkluzioni i shumicës nuk i përgjigjet plotësisht kërkimit të Komisionerit Publik, si dhe nuk përfaqëson sipas konceptit të ligjit, efektin që ky përfundim ka në verifikimin dhe kontrollin e burimeve të krijimit të pasurive të subjekteve të rivlerësimit.

Sipas pakicës, si pasojë e mospërfshirjes në analizë të shumës 1.5 milionë lekë të pretenduar si të përfituar nga puna në sektorin privat për të cilën nuk është provuar burimi i ligjshëm, Hoxha gjendet me balancë negative në vlerën 1 milion e 281 mijë lekë për kursimin e 2.5 milionë lekëve të deklaruara prej tij në 2003-in.

Komisionerët e kundërshtuan konkluzionin e KPK për përjashtimin e gjyqtarit Hoxha nga përgjegjësia për të vërtetuar burimet e ligjshme të huasë në vlerën 25 mijë euro të marrë nga ish-bashkëshortja e subjektit prej prindërve të saj, shumë me të cilën është shlyer një kredi e përdorur për apartamentin në Tiranë në bashkëpronësi të ish-bashkëshortëve Lluri-Hoxha, ku subjekti rezulton të ketë qenë në cilësinë e dorëzanësit.

Komisionerët konstatuan se subjekti dhe ish-bashkëshortja kanë qenë në posedim të apartamentit, e për rrjedhojë në marrdhënie interesi, kohë më parë nga momenti i deklarimit të fitimit të pronësisë së kësaj pasurie. Bazuar në këto rrethana, ata vlerësuan se Hoxha ka pasur detyrimin për të provuar ligjshmërinë e burimit të huas 25 mijë euro.

Shumica e Kolegjit vëren se komisionerët e mbështetën këtë pretendim vetëm në faktin se huaja është deklaruar nga subjekti se ka shërbyer për shlyerjen e kredisë së marrë nga ish-bashkëshortja, që është përdorur në funksion të pasurisë apartament në bashkëpronësi të tyre, si dhe faktit se Hoxha ka qenë në cilësinë e dorëzanësit në këtë kredi.

Në vijim, shumica vlerëson se dorëzania ka përfunduar me shlyerjen e kredisë, përpara se apartamenti të posedohej nga subjekti. Sipas shumicës, fakti pse subjekti ka qenë dorëzanës në kredinë e marrë nga ish-bashkëshortja nuk e vendos atë në kushtet e detyrimit për të justifikuar ligjshmërinë e burimeve të shlyerjes së kësaj kredie.

Shumica sjell si argument edhe faktin se subjekti i rivlerësimit e ka ushtruar formalisht cilësinë e dorëzanësit dhe konkludon se si burim financiar për rikonstruksionin dhe arredimin e apartamentit ka shërbyer kredia, ndërsa huaja e marrë nga ish-bashkëshortja e subjektit prej prindërve të saj, ka shërbyer vetëm për shlyerjen e kësaj kredie.

Bazuar në këto konstatime dhe argumentime, shumica çmon se huaja 25 mijë euro nuk mund t’i atribuohet gjyqtarit Hoxha. Por, shumica i rikthehet sërish këtij shkaku ankimi dhe vlerëson se prindërit e ish-bashkëshortes se subjektit nuk kishin pasur mundësi për dhënien hua të shumës 25 mijë euro në vitin 2011.

Megjithëse gjyqtarja Natasha Mulaj është pjesë e shumicës që la në fuqi konfirmimin e Hoxhës, ajo ka paraqitur mendim paralel lidhur me analizimin e konceptit të dorëzanisë. Mulaj çmon se ekziston marrëdhënia e interesit pasuror mes subjektit të rivlerësimit dhe bankës, pasi në kontratën e kredisë bankare Hoxha ka nënshkruar në cilësinë e dorëzanësit.

Ajo gjykon se dorëzanësi në këtë rast ngarkohet gjithashtu me detyrimin ligjor si kredimarrësi për të justifikuar mënyrën e shlyerjes së kredisë, por bashkohet me arsyetimin e shumicës për sa i përket likujdimit të kredisë nga ish-bashkëshortja, duke mos e ngarkuar Hoxhën me përgjegjësi për këtë pjesë.

Rama dhe Çomo çmojnë se, bazuar në të dhënat e administruara, rezulton një situatë e ndryshme nga sa konkludon shumica. Sipas pakicës, mbetet i paprovuar dhe i pabesueshëm pretendimi i subjektit se ai nuk ka përgjegjësi për justifikimin e burimeve të ligjshme të kësaj huaje.

Duke iu referuar Kodit Civil, pakica vëren se subjekti dhe ish-bashkëshortja qëndronin karshi bankës huadhënëse si debitorë.

Po ashtu, Rama dhe Çomo gjejnë të pambështetur pretendimin e subjektit se nuk ishte në posedimin e apartamentit deri në momentin e fillimit të bashkëjetesës në vitin 2011. “Nga analiza e të dhënave që rezultojnë në dosje, duket se subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur kanë nisur jetesën faktike në apartamentin për rikonstruksionin e të cilit u mor huaja më parë se kjo bashkëjetesë të deklarohej prej subjektit në deklaratën periodike të pasurisë të vitit 2011”, vëren pakica dhe rendisin provat që vërtetojnë konkluzionin e tyre, ku veçojnë dokumentet e nënshkruara për kredinë në vitin 2009, ku si subjekti dhe ish-bashkëshortja kanë shënuar apartamentin në Tiranë si adresë banimi për njoftimet që do t’u bëheshin prej bankës.

Po ashtu, ka rezultuar një kontratë noteriale e ish-bashkëpronarëve të këtij apartamenti e shkurtit 2009, me anë të së cilës kalonin pronësinë e kësaj banese në favor të subjektit të rivlerësimit dhe ish-bashkëshortes, brenda një viti nga data e hartimit të deklaratës.

Pakica vlerëson se kjo rrethanë tregon se interesi i subjektit në marrjen e kredisë për rikonstruksionin e apartamentit, ishte i njëjtë si ai i personit të lidhur, pasi sendi do të kalonte në bashkëpronësi të përbashkët brenda vitit.

Parashikim i njëjtë është gjetur edhe në kontratën e kredisë, ku është përcaktuar se huamarrësi do të transferonte titullin e pronësisë nga ish-bashkëpronarët, tek subjekti dhe ish bashkëshortja e tij brenda datës 31 mars 2010. Kjo kontratë rezulton të jetë nënshkruar edhe nga vetë gjyqtari Hoxha dhe pakica vlerëson të provuar dijeninë e tij e plotë rreth të ardhmes së afërt të tij me këtë pasuri, si bashkëpronar i saj.

Po ashtu, pakica konstaton se fotot e gjetura bashkëngjitur aktit për shlyerjen e parakohshme të kredisë, tregojnë se punimet kanë përfunduar përpara vitit 2011.

Pagesa e disa kësteve të kredisë nga gjyqtari Hoxha konsiderohet prej pakicës si e dhënë që tregon për një pjesëmarrje me përgjegjësi të plotë të tij në këtë marrëdhënie.

Bazuar në këto argumente, Rama dhe Çomo arrijnë në konkluzionin se jetesa e subjektit në apartamentin në Tiranë ka filluar kohë më parë nga sa deklarohej në vitin 2011 dhe për rrjedhojë ka pasur një marrëdhënie detyrimi me bankën ashtu si dhe ish-bashkëshortja.

Ashtu si shumica, edhe pakica vlerëson se prindërit e ish-bashkëshortes së Hoxhës nuk kanë pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për kursimin e vlerës 25 mijë euro të dhënë hua. Por, ndryshe nga shumica, Rama dhe Çomo çmojnë se Hoxha nuk arriti të justifikojë plotësisht shumën e marrë hua prej personave të tjerë të lidhur, prindërve të ish-bashkëshortes.

Komisioneri Publik ka parashtruar në ankim nevojën e rivlerësimit të zërave përbërës të analizës financiare dhe mundësisë së subjektit dhe ish-bashkëshortes së tij, për të mbuluar me burime të ligjshme, blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 126.5 m2 në Vlorë.

KPK dhe në këtë rast ka arritur në konkluzionin se Hoxha ka kryer deklarim të saktë në përputhje me ligjin, si dhe ka pasur burime të ligjshme financiare për krijimin e kësaj pasurie.

Ndërsa komisioneri e ka kundërshtuar duke vlerësuar se subjekti rezulton me balancë negative në shumën 5.9 milionë lekë, pasi nuk janë konsideruar si të ligjshme të ardhurat e pretenduara nga puna e tij me kohë të pjesshme në sektorin privat për periudhën 1995-2000; me pretendimin se deklarimet periodike vjetore të pasurisë së ish-bashkëshortes së subjektit të rivlerësimit mbi kursimet në cash të periudhës 2006-2010 nuk mbështesin pretendimet e Hoxhës të dhëna gjatë hetimit administrativ; si dhe për faktin se kursimet jashtë sistemit bankar të vitit 2011 nga shitja e një automjeti në shumën 1.2 milionë lekë, nuk janë deklaruar si të disponuara cash.

Shumica ka vlerësuar që të konsiderojë si burim të kursimeve cash për blerjen e apartamentit në Vlorë pjesën e vlerës 2.5 milionë lekë të deklaruar në 2003-in, për të cilën është provuar ligjshmëria. Po ashtu, është përfshirë shuma 1.2 milionë lekë nga shitja e automjetit me argumentin se është deklaruar në 2011-ën.

Ndërsa për një kursim në shumën 5 milionë lekë të deklaruar nga Lluri në vitin 2004 si kursim, shumica konstaton se ligjshmëria e kësaj vlere nuk është kontestuar në ankim apo në rekomandimin e ONM-së dhe e ka marrë të mirëqënë si burim të ligjshëm.

Duke konsideruar këto vlera si burime për blerjen e apartamentit në Vlorë, shumica ka konkluduar një balancë negative në shumën 662 mijë lekë, por e ka konsideruar këtë mungesë të pamjaftueshme për të sjellë penalizim.

Ndërsa pakica ndan të njëjtin mendim me Komisionerët Publikë. Rama dhe Çomo qartësojnë në fillim qëndrimin e tyre lidhur me kufijtë e shkaqeve të paraqitura për këtë pasuri duke konstatuar se ankimi i Komisionerit Publik përfshin edhe kontrollin e verifikimin e kursimeve të bashkëshortes së subjektit.

Në vijim pakica sjell në vëmendje paragrafët e ankimit të komisionerit, ku referohet nevoja e kontrollit për ligjshmërinë e burimeve të pasurisë së deklaruar. Sipas Ramës dhe Çomos, komisioneri i ka ngritur në nivelin e një shkaku ankimi pretendimet për këtë pasuri.

Pakica vlerëson se pas paraqitjes së analizës paraprake financiare të përgatitur prej Kolegjit dhe të mbështetur mbi shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, rezulton se ky i fundit është shprehur qartë se kursimi i bashkëshortes në shumën 5 milionë lekë ishte një nga burimet që duhej t’i nënshtrohej kontrollit.

Duke konsideruar gjendjen e mungesës së burimi të ligjshëm të një pjese të kursimeve cash të deklaruara nga subjekti në vitin 2003; pamundësinë e kursimeve të ish-bashkëshortes në vlerën 5 milionë lekë në 2004-ën; kursimet e saj në vitet 2006-2012 dhe kursimet e përbashkëta në vitet 2012-2016, pakica vlerëson se subjekti dhe ish-bashkëshortja mund të justifikonin vetëm shumën rreth 1 milion lekë, duke rezultuar me një balancë negative në vlerën totale rreth 6.5 milionë lekë për të blerë apartamentin në Vlorë.

Sipas pakicës, rezultati i shumicës ndryshon pasi janë konsideruar si burime të ligjshme kursimet e bashkëshortes në vlerën 5 milionë lekë dhe shuma 1.2 milionë lekë nga shitja e një automjeti.

Automjeti luksoz

Kolegji është ndarë edhe në vlerësimin e përdorimit nga subjekti të një automjeti luksoz tip “Audi Q7”, të blerë nga babai i gjyqtarit Hoxha në vitin 2011, kundrejt shumës 37 mijë USD + 932 mijë lekë për zhdoganimin.

KPK ka konstatuar se babai i Hoxhës ka pasur të ardhura të mjaftueshme për blerjen e kësaj pasurie, rezultat që është kundërshtuar nga komisioneri, i cili ka çmuar të nevojshëm rivlerësimin e fakteve dhe të rrethanave mbi burimin e ligjshëm të krijimit të këtij automjeti, përdorimi dhe përgjegjësia fizike e të cilit i kaloi subjektit të rivlerësimit një javë pas nxjerrjes së lejes së qarkullimit.

Shumica rendit disa rrethana që i cilëson në favor të shpjegimeve të subjektit se mjeti ka qenë vetëm në përdorim. Sipas KPA, Hoxha e ka formalizuar përdorimin e këtij mjeti në vitin 2011; ka deklaruar këtë të drejtë përdorimi; pagesa për blerjen e mjetit është kryer me transfertë bankare nga babai; se subjekti është kujdesur që të pasqyrojë në një pagesë për shërbimet e makinës se e ka kryer për llogari të të atit; faktin se ky i fundit e ka shitur në 2018-ën; se subjekti ka pasur automjet tjetër; si dhe rrethana të tjera që sipas shumicës mbështesin përfundimin se ky mjet nuk është pasuri e fshehur.

Po ashtu, shumica ka konkluduar se në anakizën e kryer në kuadër të regjimit të përbashkët familjar ku janë përfshirë dhe të ardhurat e subjektit dhe të motrave, babai ka rezultuar me mjaftueshmëri të burimeve financiare të ligjshme për të blerë automjetin tip “Audi Q7”.

Këto konkluzione kundërshtohen nga pakica që vlerëson se kontrolli i të drejtave të subjektit drejt kësaj pasurie, duhet të nisë sipas pretendimit të Komisionerit Publik – nga kontrolli i burimeve të financimit.

Sipas analizës së kryer nga pakica, ku janë përfshirë si burime të ardhurat e prindërve të gjyqtarit Hoxha, pa konsideruar të ardhurat e këtij të fundit dhe të motrave gjatë shkollimit të tyre, ka rezultuar një balancë negative në shumën 4.9 milionë lekë.

“Subjekti ka pretenduar se të ardhurat e tij dhe ato të motrave të tij duhet të konsiderohen si burime të krijimit të shumës së përdorur për financimin e kësaj pasurie, pretendim të cilin e ka ngritur në hetimin administrativ në një fazë të avancuar, pasi Komisioni i kishte vënë në dukje problematikat me financimin e pasurisë”, vëren pakica dhe vlerëson se ky pretendim i subjektit nuk duhet të merret në konsideratë pasi bie në kundërshtim me shpjegime që ai vetë ka dhënë përgjatë hetimit administrativ.

Pakica sjell si argument një deklaratë noteriale të prindërve të subjektit të dorëzuar prej tij në fillim të procesit të vetingut, ku kanë deklaruar se ata kishin përballuar shpenzimet jetike të fëmijëve gjatë arsimimit të tyre, duke i lejuar të kursenin sa më shumë, me qëllim përdorimin e këtyre të ardhurave në momentin e daljes si familje më vete.

Po ashtu, ata kanë deklaruar se të ardhurat e tyre që prej vitit 1973 kishin qenë të mjaftueshme për blerjen e apartamentit, shpenzimet jetike, si dhe për automjetin.

Duke ju referuar këtyre deklarimeve, pakica vlerëson se ata kanë dashur të forcojnë faktin se automjeti është blerë tërësisht me të ardhurat e krijuara nga puna e tyre.

Në vijim, pakica vëren se Hoxha e ka përdorur automjetin jashtë vendit në 24 raste, si dhe rezulton të jenë pajisur edhe me policën e sigurimit të detyrueshëm për përdorimin brenda vendit përgjatë të gjithë kohës që automjeti ka qenë në pronësi të babait të tij.

“Këto të dhëna tregojnë se subjekti është sjellë me sendin si pronar dhe duket se vetëm përdorimi i zakonshëm dhe i rregullt edhe brenda vendit, ka detyruar atë të plotësojë në emër të tij edhe policat e sigurimit të detyrueshëm për lëvizjen e automjeteve në territorin e vendit”, vlerëson pakica dhe duke iu referuar analizës financiare që konstaton pamundësi të prindërve të subjektit për blerjen e këtij automjeti, çmon se Hoxha ka qenë para fshehjes së të drejtave të pronësisë së kësaj pasurie.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *