Prokurori Kudusi Shahu pas seancës së dytë dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

“Jam stoik në bindjen se do të konfirmohem”: Kudusi Shahu jep shpjegime në seancën e dytë

Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Kudusi Shahu u përball për herë të dytë të mërkurën më 7 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, pas riçeljes së hetimit administrativ për dy kriteret e tjerë, figurën dhe profesionalizmin. Në seancën e parë më 2 nëntor u evidentuan mospërputhje e pasaktësi në deklarimin e pasurisë, si dhe balanca negative në vlera të mëdha për krijimin e tyre, ku për periudhën 2009-2011 u relatua balancë negative në shumën 10.8 milionë lekë. Shahu parashtroi në seancën e parë karrierën e tij profesionale dhe dha shpjegime të përmbledhura për një pjesë të gjetjeve, ndërsa kërkoi riçeljen e hetimit në dy kriteret e tjerë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin – kërkesë që është pranuar nga KPK.

Procesi i rivlerësimit për prokurorin Shahu po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ka qenë i pranishëm Gerrit Sprenger.

Prokurori Shahu e ka filluar karrierën në vitin 1991 në ish-hetuesinë e Kukësit e në vijim në ish-Hetuesinë e Përgjithshme duke vijuar më pas si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme. Në vitin 1999 ai është emëruar në Prokurorinë e Tiranës, ka punuar për një periudhë në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda dhe aktualisht e ushtron funksionin në Prokurorinë e Përgjithshme.

Në përfundim të fjalës së tij gjatë seancës së parë, prokurori Kudusi Shahu deklaroi se zotëron certifikatë sigurie të nivelit tepër sekret dhe vizë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vizë Kanadeze dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Ai kërkoi që pas çeljes së hetimit për dy kriteret e tjerë të konfirmohej në detyrë, me argumentin se kishte punuar gjithmonë me ndershmëri.

Relatorja Çiftja sqaroi në fillim të seancës të mërkurën se pas vendimit të Komisionit për çeljen e hetimit administrativ për figurën dhe profesionalizmin, ishte përmbyllur verifikimi edhe për këto dy kritere. Prokurori Shahu e falënderoi Komisionin për marrjen në konsideratë dhe pranimin e kërkesës së tij për çeljen e hetimit për pasurinë dhe profesionalizmin.

Shahu mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërkohë që dha shpjegime për gjetjen në kriterin profesional.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP ka paraqitur raport pozitiv në KPK për Shahun. Komisioni nuk ka gjetur probleme në tre dosjet e dorëzuara nga vetë subjekti në funksion të procesit të rivlerësimit, ndërkohë, në një prej dosjeve të shortuara për trafikimin të personave të mitur, është pushuar prej subjektit pa u administruar më parë deklarimet e një shtetasi maqedonas.

Lidhur me procedimin penal për trafikimin e qënieve njerëzore, Shahu u shpreh se kishte qenë pakujdesi e tij kur sapo kishte filluar punë tek ish-Krimet e Rënda, kur i ishte kaluar kjo dosje që ishte hetuar nga një tjetër prokuror më parë.

Ai pohoi se në arsyetimin e zgjatjes së hetimeve krijohet ideja se janë të njëjtat detyra. “Në fakt nuk është kjo për faktin se ka ndodhur një ngërç. Unë e gjeta atë procedim të regjistruar tek ish-Krimet e Rënda. …Ra interesi kallëzueses. Fillimisht ajo ishte shprehur se do ta sillte vetë shtetasin maqedonas”, shpjegoi ndër të tjera Shahu dhe shtoi se u ishte dërguar letërporosi autoriteteve maqedonase, por nuk ishte kthyer përgjigje.

Sipas Shahut, kallëzuesja kishte shprehur dëshirën për të krijuar lidhje martesore me këtë shtetas, familja e të cilit kishte ardhur disa herë në Shqipëri. Ai argumentoi se, këto situata dhe një udhëzim i Prokurorit të Përgjithshëm për mbylljen e hetimeve në rast të mospërgjigjes së letërporosive, ishin rrethanat ku ishte bazuar për pushimin e çështjes.

Një tjetër konstatim që u relatua kishte të bënte me një kallëzim penal të kryer në vitin 2018 në Prokurorinë e Tiranës, ku sipas relatores dukej se subjekti në vendimin e mosfillimit për një konflikt pronësie nuk ka kryer veprimet e plota hetimore, pasi nuk ka caktuar një ekspert.

Shahu sqaroi se kishte vendosur mosfillim të hetimeve duke pasur ndjeshmëri për këto çështje. Ai pohoi se në këtë rast kishte pasur disa probleme dhe se nuk diskutohej pjesa e pronësisë. “Vendosa mosfillim se nuk kishte vepër penale dhe konflikti ishte me natyrë civile”, theksoi Shahu duke argumentuar se provat dhe rrethanat e bënin të paqartë pronësinë e palëve.

Ndaj prokurorit Kudisi Shahu janë depozituar gjashtë denoncime nga publiku. Në tre denoncime të vitit 2018 pretendohet për moskryerjen e veprimeve hetimore nga ana e subjektit.

Sipas relatores Çiftja, Denoncuesi L.S. e akuzon Shahun për shkelje ligjore, njënashmëri dhe për vendim abuziv. Denoncuesit P.T. dhe H.D. pretendojnë se Shahu ka mbajtur qëndrim të njëanshëm dhe ka pushuar hetimin. Një prej denoncuesve ka kryer kallëzim penal ndaj Shahut, por është vendosur mosfillimi i procedimit penal.

Shahu i kundërshtoi pretendimet e denoncuesve për njëanshmëri. Ai sqaroi se në një rast kishte pasur lidhje gjaku shumë të largët me të dy palët, por theksoi se nuk i njihte. Sipas subjektit, nëse do kishte qenë i njëanshëm do të kishte ankimuar vendimin e gjykatës. “Nuk jam treguar asnjëherë i njëanshëm”, deklaroii aid he shtoi se kallëzuesja e tij kishte kryer akt të falsifikuar pasi ka kryer kallëzimin në emër të fëmijëve kur ata kanë rezultuar se gjendeshin jashtë shetit.

Çiftja sqaroi se Shahu ka dhënë shpjegime për një denoncim anonim të kryer në nëntor të vitit 2022, ku pretendohet tejkalim i afateve ligjore ne një procedim të vitit 2018, si dhe për mosarsyetim të shkakut përse gjykata ka kthyer çështjen.

Shahu deklaroi se pavarësisht situatës dhe pasojës së ardhur nga aksidenti, nuk mund të penalizonte një person pa faj. Ai pohoi se edhe Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë kishte vlerësuar si ai duke e pranuar kërkesën për pushimin e çështjes.

Sipas tij, Apeli e ka prishur vendimin duke arsyetuar se akti-ekspertimit për aksidentin nuk ishte kryer nga ekspertë teknikë. “Kam bërë akt ekspertimi me grup ekspertësh, me pesë ekspertë dhe rezulton se drejtuesi i mjetit ishte pa shkelje dhe bëra kerkesë per miratimin e pushimit”, pohoi Shahu dhe shtoi se në atë kohë është transferuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe nuk ka mundur të sigurojë të dhëna pasi çështja vijon të jetë në hetim.

Prokurori Shahu dha shpjegime në seancë edhe lidhur me një masë disiplinore të dhënë ndaj tij në vitin 2004. “Kam qenë në një sektor që hetonin çështje të rëndësishme. Kam hetuar dosje të rëndësishme dhe pasi u ndërruan drejtuesit e prokurorisë u krijua një tension për të me larguar. Se nga njëra anë është marrë masë disiplinore dhe në anën tjetër promovohem. Mu kërkua të hiqja dorë nga ato dosje dhe nuk pranova se nuk kisha arsye procedurale. Prandaj u fillua dhe kuptohet se ka pasur një lloj tendence. Po kjo prokurori, i ka kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm për të krijuar një sektor për ekzekutimin e vendimeve dhe e kaloi butë se më vendosi shef të asaj zyrë dhe më paguhej edhe telefoni. E kaluan butë pastaj”, argumentoi ai ndër të tjera lidhur me masën disiplinore.

Në seancë u relatua lidhur me përdrimin nga subjekti të një automjeti në pronësi të shtetasit N.P. Shahu ka deklaruar se ka pasur miqësi me pronarin e mjetit, shtetasin N.P., me të cilin rezulton të kenë kryer dy udhëtime.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se ndaj pronarit të këtij mjeti, ka pasur në atë kohë të regjustruara 26 procedime penale për mashtrim, falsifikim dokumentesh, vjedhje, pastrim i produkteve të veprës penale, etj. Çiftja pohoi se subjekti ka përdorur mjetin N.P. kur ai ka qenë i proceduar për mashtrim. Sipas KPK, Shahu në këtë rast nuk ka përdorur kujdesin e duhur.

Prokurori Shahu deklaroi se kishte një histori të trishtë me shtetasin N.P. Ai shpjegoi se në vitin 2014 i ishte sëmurur babai dhe ishte shtruar në të njëjtën dhomë me vjehrrin e shtetasit N.P.. Subjekti pohoi se kishte konstatuar se familjarët e N.P. punonin në spital dhe se në atë moment kishte pasur nevojë për njohje me mjekët për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar të të atit.

“Kjo ka qenë njohja ime si fillim”, pohoi Shahu dhe shtoi se N.P. ka qenë biznesmen, ndërsa aktualisht është në pension. Ai deklaroi se të 26 procedimet e filluara ndaj tij kishin të bënin me një konflikt me pronarët e tokës për ndërtimin e një objektit. Sipas Shahut, kallëzimi penal për vjedhje ishte kryer nga shtetasi N.P. dhe jo e kundërta si u relatua prej Komisionit.

Subjekti këmbënguli se nuk kishte pasur ndonjë ndikim në këto çështje dhe se kjo vërtetohej ng fakti se prokuroria kishte mbajtur gjithmonë qëndrim më të rreptë se gjykat ndaj shtetasit N.P. Ky person nuk është hetuar për vepra të rënda penale dhe nuk është shpallur asnjëherë fajtor”, pohoi Shahu.

Në përfundim, prokurori Kudusi Shahu u shpreh se kishte qenë dhe vazhdonte të ishte “stoik” në bindjen e tij se do të konfirmohej. “Nga ku dhe e besoj. Ju falënderoj!”, deklaroi ai. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 12 dhjetor në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *