Gjyqtari i Pogradecit, Artan Jahollari pas seancës dëgjimore. Foto: BIRN.
KPK Veting

Gjyqtari i Pogradecit, Artan Jahollari drejt konfirmimit në detyrë

Gjyqtari i Gjykatës së Pogradecit, Artan Jahollari u përball pa telashe të mërkurën më 7 dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore nuk u relatuan barra prove për asnjë prej gjetjeve në të tre kriteret e rivlerësimit.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Jahollari po kryhet nga trupa e përbërë nga trupa e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Maria Tuma.

Artan Jahollari përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2016 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua në Gjykatën e Pogradecit, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin edhe aktualisht.

Relatori Hamitaj sqaroi se KPK nuk ka gjetur probleme për një pasuri të llojit tokë-arë me sipërfaqe 16 dynymë të përfituar nga familja e subjektit pas vitit 1991 bazuar në ligjin “Për tokën”, ku subjekti ka pjesë takuese 1/4-ën.

Po ashtu, nuk janë evidentuar indicie për hetimin e burimeve të një apartamenti në Tiranë, të porositur nga prindërit e subjektit në vitin 2005 dhe të formalizuar me kontratë shitblerje në 2009-ën për çmimin 27 mijë euro, pasi ka rezultuar se e gjithë vlera është paguar rreth gjashtë vite përpara se gjyqtari Jahollari të fillonte detyrën. Subjekti e ka deklaruar si adresë banimi këtë pasuri që prej vitit 2015 kur kryente stazhin në Tiranë.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se subjekti ka kryer deklarim të saktë edhe për një depozitë bankare në shumën 136 mijë lekë, pasurinë e vetme personale që u relatua se ai disponon.

Hamitaj deklaroi se nga analiza financiare për të ardhurat dhe shpenzimet, Jahollari ka dalë çdo vit me balancë pozitive.

Gjyqtari Jahollari mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe për profesionalizmin.

Sipas relatorit Hamitaj, nuk janë gjetur shkelje procedurale, shkelje të te drejtave të palëve apo arsyetim i dobët, as në çështjet e denoncuara nga publiku.

Hamitaj sqaroi se subjektit i janë kërkuar shpjegime  për dy denoncime të cilat do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.

“Jam përpjekur të jap drejtësi. Tek – tuk dhe mund të kem gabuar, si i ri në profesion”, deklaroi në fund të seancës gjyqtari Artan Jahollari dhe kërkoi t’i jepej mundësia të vijonte të kontribuonte në sistemin e drejtësisë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 9 dhjetor, në orën 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *