Prokurori Gjon Kodra në KPK | Foto: BIRN/Edmond Hoxhaj
KP Lajme Veting

Pas rekomandimit të ONM, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Gjon Kodrës

Bazuar në rekomandimin dhe gjetjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM lidhur me procesin e vetingut të prokurorit të Tiranës, Gjon Kodra, Komisioneri Publik Florian Ballhysa ka ushtruar ankim dhe i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi.

Ballhysa e cilëson të pabazuar dhe të padrejtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin e Kodrës dhe evidenton nevojën e rivlerësimit në të tre kriteret, atë të pasurisë, të figurës, aftësisë profesionale dhe etikës në lidhje me një situatë konflikti nteresi, si dhe vlerësimin tërësor të çështjes.

Ashtu si ONM, edhe Komisioneri arrin në përfundimin se Kodrës i mungojnë 35 mijë euro të përdorura në blerjen e një apartamenti. Pretendimi i subjektit se këto para ishin kursimet e bashkëshortes para martese dhe që ishin mbajtur në Itali nuk është gjetur i bazuar, pasi këto të ardhura nuk janë deklaruar para fillimit të detyrës dhe në deklarimet pasuese vjetore. Po ashtu, vlerësohet se nuk ka asnjë lloj prove tjetër për posedimin e këtyre kursimeve dhe kërkohet të mos konsiderohen si burim në analizën financiare.

“…Duke mos përfshirë këto likuiditete në mesin e burimeve të ligjshme, ashtu sikurse ka konstatuar dhe vetë Komisioni fillimisht, rezulton se subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të nuk mbulojnë me burime të ligjshme shpenzimet, kursimet dhe pagesën e kryer në vitin 2006, në shumën 35.952 euro, për një diferencë negative në shumën  4.021.882 lekë,” thuhet në ankim.

Komisioneri kundërshton edhe konkluzionin e Komisionit se Kodra nuk ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit kur hetoi kallëzimin e administratorit të kompanisë nga e cila kishte blerë apartamentin. KPK ka arsyetuar se marrëdhënia financiare mes palëve kishte përfunduar në vitin 2008 dhe kallëzimi që Kodra kishte hetuar është bërë në vitin 2010.

Duke u bazuar në rrethanat e këtij rasti, Ballhysa vlerëson se detyrimet e ndërsjella juridiko-civile mes subjektit të rivlerësimit dhe administratorit të shoqërisë ndërtuese kanë nisur prej vitit 2006 dhe i kanë përfunduar efektet e tyre në vitin 2017, kur është lidhur marrëveshja përfundimtare mes palëve. Nga analizimi i provave të administruara gjatë hetimit në KPK, ka rezultuar se Kodra ka pasur një detyrim prej 4752 eurosh në vitin 2010 dhe se ka përfituar 11 m2 shtesë në apartament në vitin 2017.

“Në këto kushte, subjekti i rivlerësimit ka qenë i detyruar, për shkak të parashikimeve ligjore, të hiqte dorë nga hetimi i procedimit penal nr. ***, datë **.6.2010, me qëllim shmangien e një situate të konfliktit të interesit apo atij në dukje,” çmon Komisioneri

Në vijim kërkohet që të verifikohen prej Kolegjit edhe konkluzionet e Komisionit për figurën, konkretisht lidhur me një bisedë telefonike që Kodra ka pasur me një person të dënuar për krim të organizuar në Itali. Komisioni ka vlerësuar se ky rast nuk mund të konsiderohet si kontakt i papërshtatshëm për subjektin, pasi ka qenë personi i dënuar ai që e ka telefonuar dhe se kjo ka qenë biseda e vetme telefonike. Po ashtu, KPK ka vlerësuar se Kodra ka qenë në padijeni të situatës ligjore të telefonuesit, duke mos e marrë në konsideratë përmbajtjen e bisedës.

Në përfundim Ballhysa kërkon që të ndryshohet vendimi i KPK-së dhe që prokurori Gjon Kodra të shkarkohet nga detyra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *