Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Karriera e kryetarit të Gjykatës së Lartë plasaritet nga problemet me pasurinë

Xhezair Zaganjori u përball me një listë të gjatë problemesh me pasurinë, të cilat hodhën dyshime për deklarime të pasakta, kontrata fiktive me qëllim shmangien e taksave dhe burime të pamjaftueshme. Ai shpjegoi origjinën familjare të pasurive të paluajtshme: “Ndërgjegjen e kam të pastër dhe pasurinë të ligjshme”.  

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, duke dalë nga seanca dëgjimore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto:LSA

Karriera 40-vjeçare e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori u plasarit mesditën e së premtes, kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit renditi një listë të gjatë me 20 probleme të evidentuara në pasurinë e tij; që nga deklarimet e pasakta e deri te shmangia e taksave apo mungesa e të ardhurave të ligjshme për t’i justifikuar ato.

Gjatë seancës dëgjimore që zgjati më shumë se dy orë, gjyqtari Zaganjori hodhi poshtë disa nga gjetjet dhe këmbënguli se kishte të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar pasurinë e tij, ndonëse pranoi se kishte hasur vështirësi për të siguruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

Zaganjori është i pesti në listën e Gjykatës së Lartë që përballet me vetingun; një proces ky që ka rrëzuar deri më tani tre anëtarë të saj.

Procesi i rivlerësimit për kreun e Gjykatës së Lartë u krye nga trupi gjykues i drejtuar nga Olsi Komici, me relatore Pamela Qirko dhe anëtar Roland Ilia. Zaganjori preferoi të paraqitej përballë Komisionit pa avokat, pasi siç tha ai “ishte njeri i ligjit dhe duhej të jepte shembullin personal”.

Pjesa kryesore e debatit u përqendrua te pasuritë e paluajtshme të familjes Zaganjori; një apartament 293 metra katrorë në rrugën “Dedë Gjo Luli” në Tiranë, një dyqan i deklaruar si bibliotekë, një bodrum 65 metra katrorë dhe një zyrë prej 15 metrash katrorë, të cilat ndodhen në të njëjtën godinë të ndërtuar mbi tokën e gjyshit të bashkëshortes së tij.

Sipas relatores Pamela Qirko, gjyqtari Zaganjori kishte kryer deklarim të pasaktë për secilën prej këtyre pasurive, kishte bërë kontrata fiktive me qëllim shmangien e detyrimeve në buxhetin e shtetit dhe kishte mungesë burimesh të ligjshme.

Më konkretisht, apartamenti me sipërfaqe 293 metra katrorë ishte deklaruar në vlerën 7.4 milionë lekë në deklaratën e vitit 2003 dhe 5.8 milionë lekë në deklaratën “veting”, ndërkohë që sipas deklaratës noteriale që ka shërbyer për regjistrimin e saj në ZVRPP, kjo pronë është blerë për 500 mijë lekë.

Mospërputhje të ngjashme kishin edhe tre pronat e tjera, ndërkohë që deklaratat noteriale të blerjes prej 500 mijë lekësh ishin bërë sipas relatores, me qëllimin e shmangies së taksave.

Në anën tjetër, Komisioni i gjeti të pasakta edhe deklarimet mbi burimet financiare për këto prona. Për apartamentin, gjyqtari Zaganjori deklaronte si burim shitjen e shtëpisë së mëparshme dhe të ardhurat nga qeratë; ndërsa për pasurinë bodrum kishte shërbyer si burim qeraja e përfituar nga biblioteka.

“Ky deklarim nuk është i saktë, pasi të dyja pasuritë janë blerë në të njëjtën ditë,” tha relatorja Qirko. “Subjekti nuk ka pasur pasuri para vitit 2001 për t’i dhënë me qera,” shtoi më tej ajo.

Një problem i dytë, i ndarë në disa pika në relatimin e Qirkos ishin edhe qeratë e konsiderueshme të përfituara nga pronat e mësipërme. Sipas saj, gjatë viteve 1999-2001, ambientet janë lëshuar me qera nga një shtetase me inicialet M.H. Ndërsa gjatë viteve 2005-2007, Zaganjori ka deklaruar se ka përfituar rreth 7500 dollarë dhe 742 mijë lekë nga dhënia me qera e njësisë bodrum+zyrë te kompania “M&D”, por nuk kishte paraqitur as kontratë qeraje dhe as vërtetim të tatimit të të ardhurave në burim.

Ndërsa për qeratë e përfituara në vitet 2007-2009, subjekti ka paraqitur kontratën me një kompani private në vlerën 300 euro në muaj, por kishte sërish shmangie nga tatimet.

Një tjetër çështje e diskutueshme ishte një pagesë e kryer në vitin 2008 prej 35 mijë dollarësh dhe 1.2 milionë lekësh me shënimin “investim” te kompania 2E Construction. Zaganjori ka pretenduar para Komisionit se nuk bëhej fjalë për investim, por për një apartament, por “nuk ka dokumentacion që vërteton lidhjen e kontratës së porosisë apo që bëhej fjalë për apartament”.

Gjithashtu, Komisioni gjeti diferenca të konsiderueshme në deklarimin e shpenzimeve për shkollimin e njërit djalë në Londër dhe djalit tjetër në Gjermani.

“Shpenzimet e kryera për tarifën e shkollimit dhe pagesën e qerasë kanë qenë më të larta sesa shuma e deklaruar. Diferenca mes vlerës së deklaruar dhe asaj të shpenzuar është 12 mijë paund,” shtoi më tej relatorja.

Kryetari i Gjykatës së Lartë është vendosur gjithashtu në vështirësi për të justifikuar me dokumentacion të ardhurat e përfituara para vitit 2003 si dhe ato të deklaruara si kursime në vitin e parë të deklarimit. Për pretendimin e përfitimit të 94 mijë markave gjermane nga Instituti Max-Planck në Gjermani për vitet 1998-1999, Komisioni arriti në përfundimin se subjekti ka paraqitur dokumente për përfitimin e një burse por nuk është e qartë se si paratë kanë ardhur nga Gjermania në Shqipëri.

Kreu i Gjykatës së Lartë shpenzoi më shumë se një orë për kundërshtimin e gjetjeve të KPK-së, ndërkohë që kishte dorëzuar më parë edhe 40 faqe material me objeksionet e tij. Që në fillim, Zaganjori shpjegoi atë që ai e quajti “keqkuptim të dukshëm” dhe që lidhet me pasuritë e tij të paluajtshme në rrugën “Dedë Gjo Luli” në Tiranë.

Ai shpjegoi se apartamenti, biblioteka dhe bodrumi gjendeshin në një pallat të ndërtuar që prej vitit 1997 mbi tokën e gjyshit të bashkëshortes së tij me kontributin e përbashkët të të gjithë familjarëve. Ai shtoi se nuk i kishte blerë këto prona, por shumat e deklaruara përfaqësonin shpenzimet e kryera për to dhe në vitin 2001, secili prej familjarëve i ishte drejtuar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive për të formalizuar titullin e pronësisë.

Zaganjori pranoi se kontratat mes gjyshit dhe mbesës ishin fiktive, por mohoi që ato të ishin antiligjore.

“Fitimi i pronësisë për këtë pronë është shumë i qartë, që në vitin 1997 me krijimin e sendit. Në vitin 2001 u bë formalizimi për t’i futur këto prona në qarkullimin civil,” tha ai.

“Kontratat nuk janë antiligjore, mund të bëheshin me dhurim, mund të pritej vdekja e gjyshit… Pyetja kryesore; kontrata është formale, fiktive, por jo antiligjore,” shtoi ai.

Zaganjori shpjegoi gjithashtu mospërputhjet mes deklaratave me llogaritë që kishte bërë në fillim; 5.8 milionë lekë kosto e ndërtimit dhe 1.6 milionë lekë të shpenzuara për mobilim.

Çështja e dytë ku u ndal gjatë kreu i Gjykatës së Lartë ishin të ardhurat ndër vite. Ai pranoi se kishte pasur vështirësi për të siguruar të gjithë dokumentacionin për shkak të kohës së gjatë dhe se fundi kishte shkuar vetë në Gjermani për t’i gjetur ato, por renditi një sërë funksionesh që sipas tij i kanë sjellë të ardhura të mjaftueshme.

“Unë po i llogaris që nga viti 1987, që kemi shitur shtëpinë në Shkodër, në ‘98 kam qenë në institutin Max-Planck, nga i cili kam marrë 8 mijë… Në ’99 kam marrë 9 mijë marka për 3 muaj. Bashkëshortja ka qenë në punë, unë kam qenë ambasador,” shpjegoi Zaganjori.

“Vetëm për vitet ’98-’99 kam marrë gjithsej 94 mijë e 600 marka,” shtoi më tej ai.

Zaganjori shtoi se e kishte përjetuar me shqetësim të veçantë faktin se Instituti në Gjermani, për shkak të politikave të veta të privatësisë nuk pranonte të komunikonte me KPK-në dhe se pas 10 vitesh i zhduknin dokumentet. Ndaj ai ishte detyruar të shkonte vetë atje, të kërkonte në arkiva dhe të sillte të dhëna të mjaftueshme që vërtetonin pretendimet e tij.

“Më është thënë se pse kam fshehur veprimtarinë time në Max-Planck? Jo vetëm që s’e kam fshehur, por të punosh për të është nder dhe krenari për mua,” shtoi ai.

Sa i përket gjetjes për shmangien nga Tatimet, Zaganjori preferoi të mos përmendte rastin e kontratave 500 mijë lekëshe për pasuritë e paluajtshme, por tha se në rastin e qerave, detyrimin për t’i shlyer ato e kishin kompanitë qeramarrëse, që sipas tij kishin paguar.

Një tjetër hije dyshimi që lidhej me investimin e tij në një kompani ndërtimi në Shkodër u shpjegua nga Zaganjori me qëllimin e blerjes së një apartamenti në qytetin e tij të lindjes, edhe për shkak të nënës se tij që rrinte vazhdimisht te të afërmit atje. Ai shtoi se kompania ishte e dy shokëve të tij të gjimnazit, të cilëve nuk u shkuan punët mirë dhe nuk kishin mundësi që t’i kthenin paratë mbrapsht.

“Si mund të jem aksioner me vetëm 35 mijë dollarë? Gjykoj se ky shpjegim është i mjaftueshëm. Ata më thanë pallati do të mbarojë shpejt. Në 2014 më vdiq nëna dhe unë e humba interesin për apartamentin dhe kam kërkuar që të më kthehej shuma,” shtoi Zaganjori.

Në fund, ai pranoi mospërputhjet e shpenzimeve për shkollimin e djemve jashtë shtetit, por e shpjegoi këtë me mungesën e një metodologjie të qartë të ILDKPKI si dhe shtoi se i kishte vënë në dispozicion KPK-së të gjitha të dhënat bankare.

“Ju kam sjellë të gjithë çarçafët e bankës, i kam nënvizuar që të kuptohet pagesat e bëra për arsyet e shkollimit. Absolutisht mbulohen me të ardhurat e mia,” shtoi Zaganjori.

Me këmbënguljen se të ardhurat e tij mbulonin të gjitha shpenzimet dhe se të gjitha bilancet i dilnin pozitive, Zaganjori vuri në dyshim llogaritjet e KPK-së.

“Erdha këtu për të dhënë llogari për të tria kriteret. Kam punuar prej 40 vitesh, kam kaluar me mijëra studentë, kam dhënë me mijëra vendime. Ndërgjegjen e kam të qetë dhe të pastër sepse nuk kam përfituar asgjë të jashtëligjshme,” përfundoi ai.

Anëtarët e trupit gjykues dhe vëzhguesja ndërkombëtare nuk replikuan në sallë me kreun e Gjykatës së Lartë, duke pohuar se “gjatë hetimit administrativ ishin bërë të gjitha pyetjet dhe ishin dhënë përgjigjet”.

Në fund, vendimi për Zaganjorin u caktua të shpallej më 24 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *