Gjyqtarja Elona Toro pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Veting

Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e gjyqtares Elona Toro

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 25 janar 2023 me konkluzionet përfundimtare në çështjen që ka të bëjë me ankimin e kryer ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Apelit Tiranë, Elona Toro. Komisioneri Publik, Florian Ballhysa u qëndroi shkaqeve të tij edhe pas rishikimit të analizës financiare dhe kërkoi shkarkimin e Toros nga detyra për mungesë të burimeve financiare.

Ndërsa gjyqtarja Elona Toro e kundërshtoi komisionerin, duke kërkuar që të lihet në fuqi konfirmimi, bazuar edhe në parimin e proporcionalitetit e objektivitetit.

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Elona Toro u konfirmua me shumicë votash në detyrë më 17 qershor 2020, pasi kryesuesja e trupës, Firdes Shuli dhe relatorja Pamela Qirko u bindën nga shpjegimet e saj. Anëtarja në pakicë, Etleda Çiftja arsyetoi në favor të shkarkimit, duke vlerësuar se Toro kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë të pasurisë.

Komisioneri Ballhysa kreu ankim duke e konsideruar të paplotë hetimin e KPK-së lidhur me burimet financiare që kanë shërbyer për blerjen e një apartamenti në Tiranë, konkretisht për mundësinë e personave të tjerë të lidhur për një hua dhe dhurimet e kryera.

Ballhysa u ndal fillimisht në analizën e kryer për burimet e dhurimeve të babait të subjektit në vlerat 6000 euro dhe 4000 USD. Sipas tij, analiza për mundësinë e babait të subjektit për krijimin e këtyre shumave duhet të shtrihet në periudhën shkurt 2005 – nëntor 2008. Ai deklaroi se, edhe pas provave dhe shpjegimeve të subjektit dhe analizës së kryer në Kolegj, rezulton se babai i Toros ka qenë në pamundësi financiare në shumën rreth 226 mijë lekë, duke e reduktuar kështu balancën negative të konstatuar fillimisht në shumën 700 mijë lekë. Sipas komisionerit, të ardhurat e babait të subjektit nga qiradhënia e një apartamenti nuk mund të konsiderohen pasi nuk janë vërtetuar me dokumentacion ligjor pagesat e detyrimeve tatimore.

Toro e kundërshtoi konstatimin e Komisionit, duke këmbëngulur se babai rezultonte me bilanc pozitiv. Ajo solli në vëmendje faktin se ishte vërtetuar se banesa ishte përdorur pasi ishin shpenzuar energjia dhe uji, si dhe se e kishte pasqyruar këtë të ardhur në deklaratat periodike përkatëse. Sipas subjektit, detyrimi për shlyrjet e tatimeve ka qenë nga subjekti tjetër qiramarrës. Ajo kërkoi që shuma e përfituar nga babai prej qiradhënies të jetë pjesë e analizës financiare, duke ritheksuar se ai rezultonte me balancë pozitive për dhurimet në shumat 6000 euro dhe 4000 USD.

Në vijim, Komisioneri u shpreh se subjekti nuk ka arritur të vërtetojë edhe mundësinë e huadhënësit A.Ll. për krijimin e vlerës 45 mijë euro, të dhënë hua bashkëshortit të subjektit. Sipas Ballhysës, nuk është arritur të provohet me dokumentacion ligjor përfitimi nga shtetasi A.Ll., i të ardhurave të pretenduara nga dhënia me qira e disa pronave dhe për rrjedhojë rezulton balancë negative në shumën rreth 3.1 milionë lekë për dhënien e huasë 45 mijë euro.

Gjyqtarja Toro kërkoi që analiza financiare për huadhënësin të kryhet vetëm për shumën e dhënë në vlerën 45 mijë euro. Ajo pohoi se në atë periudhë bashkëshorti nuk kishte pasur kujdes të shtuar për të verifikuar ligjshmërinë e burimeve të huadhënësit ashtu si kërkohet prej legjislacionit të vetingut.

Toro arugmentoi se ishte e provuar se huadhënësi kishte pasur biznes të suksesshëm prej vitit 1993, që e kishte zgjeruar në 1997-ën. Sipas saj, pavarësisht përpjekjeve të huadhënësit për të siguruar dokumentacion ligjor, për shkak të kohës së gjatë dhe informalitetit kishte qenë e pamundur të vërtetonte 100% të ardhurat e kirjuara në vite. “Në çdo kohë ka pasur burime të ligjshme dhe ekonomi të shëndetshme”, theksoi Toro për situatën financiare të huadhënësit dhe këmbënguli se ai kishte pasur mundësi për krijimin e vlerës 45 mijë euro me burime financiare të ligjshme.

Komisioneri Ballhysa vlerësoi se prej përllogaritjes pëfundimtare të të ardhurave, shpenzimeve jetike e atyre të udhëtimeve, si dhe për shlyerjen e huave, rezultojnë pamundësi financiare në vitet 2012, 2014, 2015 dhe 2016 në shumën totale mbi 900 mijë lekë, duke e reduktuar edhe këtë herë balancën negative të konstatuar fillimisht në vlerën 1 milion e 650 mijë lekë. Ballhysa vërejti se të ardhurat e pretenduara nga pagat e bashkëshortit e subjektit nuk janë deklaruar në vite, ndërkohë që nga dokumentacioni administruar mbetet e paqartsë se sa ka qenë pagesa reale e tij.

Ai u ndal edhe në pretendimin e parashtruar në seancat e mëparshme nga gjyqtarja Toro, për thellim të analizës financiare për pamundësitë, tej shkaqeve të paraqitura në ankim. Komisioneri vërejti se në ankim kishte kërkuar analizën financiare tërësore, mes tyre edhe verifikimin e të ardhurave të bashkëshortit të subjektit nga pagat dhe shpenzimet e udhëtimit, si dhe e cilësoi të pabazuar pretendimin për shkaqe të shtuara gjatë shqyrtimit gjyqësor në Kolegj.

Komisioneri i cilësoi pretendimet e subjektit kontradiktore me ato çfarë ka shënuar në deklaratat vjetore. Në përfundim, ai kërkoi shkarkimin e gjyqtares Elona Toro për shkak të mungesave financiare.

Gjyqtarja Toro prapësoi me argumentin se shkaqet e ankimit nuk bëhen në mënyrë të përgjithshme, por me zëra të caktuar dhe me analiza konkrete. Ajo këmbënguli që të konsiderohen në analizë pagat e bashkëshortit. Sipas subjektit, pamundësia financiare që mbetet është proporcionale dhe nuk mund të sjellë penalizim.

“Pasuria ime është krijuar me burime të ligjshme. Kërkoj vlerësim të drejtë të çështjes bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit”, deklaroi gjyqtarja Toro e cila kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të saj. Kolegji njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 2 shkurt, në orën 13:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *