Gjyqtari Laurent Fuçia në KPA
KPA Lajme Veting

KPA njihet me parashtrimet dhe konkluzionet përfundimtare në çështjen e gjyqtarit Laurent Fuçia

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të martën më 9 korrik me parashtrimet dhe konkluzionet përfundimtare në çështjen e gjyqtarit të Vlorës, Laurent Fuçia. Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin e Fuçisë për probleme në kriterin profesional, ndërsa subjekti i kundërshtoi duke kërkuar lënien në fuqi të konfirmimit të tij.

Laurent Fuçia u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 8 mars 2023, pasi u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe pastërtinë e figurës, ndërsa për mangësitë në aspektin profesional u çmua se nuk mund të konsideroheshin serioze dhe as të përsëritura në mënyrë të vazhdueshme. Sipas Komisionit, veprimet e subjektit në gjykimin e çështjeve nuk kanë qenë të qëllimshme, në kundërshtim të hapur me ligjin apo me praktikat unifikuese të gjykatave më të larta.

Por, Operacioni Ndërkombëtar i Monitormit, ONM vlerësoi se Komisioni dështoi të zbatonte standarde të sakta në vlerësimin profesional të Fuçisë dhe kërkoi që çështja të shqyrtohej në KPA. Sipas ONM, vlerësimi i saktë i provave të çështjes dhe zbatimi korrekt i kuadrit ligjor përkatës, do të sillte rrëzimin e vendimit të Komisionit.

Komisioneri Publik, deklaroi se u qëndronte gjithë shkaqeve të parashtruara në ankim. Ai konstatoi fillimisht rastet që paraqesin gjykim të dobët, me gabime që i cilësoi thelbësore dhe serioze.

Lidhur me revokimin e një mase arresti dhe shuarjen e masës së sigurisë ndaj një personi të kërkuar për ekstradim, Komisioneri Publik konstatoi se subjekti ka interpretuar sërish gabim përcaktimet e Kodit të Procedurës Penale, pasi një vendim i Gjykatës së Apelit Vlorë, që kishte vendosur miratimin e ekstradimit, duhej të konsiderohej i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm.

Një tjetër shkak i parashtruar nga Komisioneri kishte të bënte me një çështje civile, me objekt regjistrimin e një prone. Sipas Ballhysës, rezulton se subjekti ka dhënë një vendim të pabazuar në ligj dhe prova, si dhe ka urdhëruar regjistrimin e titullit të pronësisë në favor të një personi, ndërkohë që ky titull pronësie nuk ka kaluar fillimisht nga pronari shtet te palët e treta. Komisioneri solli në vëmendje dhe faktin se vendimmarrja e Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me këtë çështje, ka evidentuar se vendimi i subjektit ka sjellë pasoja të rënda dhe për shumë palë të përfshira në proces.

Komisioneri vlerëson se gjetjet e këtij rasti janë të një natyre të rëndë, serioze dhe me pasoja për pale. Sipas tij, ky vendim nuk duhej transferuar për verifikim të mëtejshëm pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ashtu si ka bërë Komisioni, por duhej të vlerësohej së bashku me gjetjet e tjera.

Gjyqtari Fuçia deklaroi në seancë se do të paraqiste mbrojtjen e tij bazuar në dy momente, kundërshtimin në mënyrë të përmbledhur të shkaqeve të Komisionerit dhe parashtrimin e një panoramë më të qartë të profesionalizimit, duke vendosur në dispozicion dhe vendime të dhëna prej tij, për të cilat tha se gjykonte të kishin vlerë orientuese. Ai tha se bëhej fjalë për akte që nuk i kishte depozituar më parë.

Kolegji vendosi të administrojë si provë të gjitha ato akte të dorëzuara, që ishin në formën e kërkuar nga ligji.

Lidhur me vendimarrjen për shuarjen e masës së sigurisë ndaj personit të kërkuar për ekstradim, subjekti tha ndër të tjera se kohëzgjatja duhet të bazohet dhe në zgjidhjen e çështjes në themel. Sipas tij, vendimi Apelit është i formës së prerë përsa i përket ekzekutimit, ndërkohë që themeli gjykohej dhe në shkallën e tretë.

Për çështjen civile, Fuçia vërejti se ky vendim i tij është jashtë periudhës së rivlerësimit. Subjekti nënvizoi se është paraqitur si shkak ankimi citimi i gjykatës për një dispozite ligjore, kur në fakt është cituar dhe një tjetër dispozitë. Sipas Fuçisë, çështja ka pasur të bëjë me shitjen e të drejtave reale dhe jo me shitjen e sendit. Ai theksoi se kur çështja ka të bëjë me të drejtat reale, është kompetencë e gjykatës civile, edhe pse kundërshtohej vendimi i një inctitucioni “kuazi gjykatë”.

Në vijim Komisioneri Publik parashtroi raste, që sipas tij paraqesin një seri të qartë dhe të vazhdueshme të gjykimeve të gabuara – të cilat u kundërshtuan nga subjekti.

I pyetur nga Komisioneri, nëse ndaj tij kishte pasur ndonjë vlerësim apo masë disiplinore, jyqtari Fuçia tha se nuk kishte pasur asnjë vlerësim etiko-profesional.

Kolegji pasi pranoi provat çeli shqyrtimin gjyqësor dhe u kërkoi palëve të paraqisnin konkluzionet përfundimtare.

Komisioneri Ballhysa kërkoi shkarkimin e Fuçisë për problemet profesionale të konstatuara. Ai u shpreh se mangësitë e konstatuara në aspektin profesional nuk mund të plotësohen nëpërmjet programit të trajnimit, për pasojë subjekti i rivlerësimit duhet të konsiderohet si i papërshtatshëm për të ushtruar funksionin e gjyqtarit. Sipas Komisionerit, gjetjet për të cilat subjekti nuk provoi të kundërtën e barrës së provës, kanë pasur pasoja serioze në vijimin e proceseve përkatëse dhe respektimin e të drejtave të palëve

Ndërsa Fuçia kërkoi që prapësimet e tij dhe aktet e dorëzuara të shqyrtohen në një vlerësim tërësor, duke u konkluduar lënia në fuqi e vendimmarrjes së Komisionit për konfirmimin në detyrë.

Kolegji vendosi mbylljen e shqyrtimit gjyqësor dhe njoftoi se vendimi do të shpallet më 25 korrik, në orën 15:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *