Salla e seancave dëgjimore të KPK në Pallati e Kongreseve. Foto:BIRN
KPK Veting

Gjyqtari Arben Mickaj u dorëhoq tre vjet pasi filloi vetingu ndaj tij

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur të enjten më 1 qershor 2023 të ndërpresë vetingun e gjyqtarit të Tiranës, Arben Mickaj për shkak të dorëheqjes së tij, si dhe i ka ndaluar riemërimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Arben Mickaj e ka filluar detyrën e gjyqtarit në vitin 1997 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku dhe e ka ushtruar funksionin pa ndërprerje deri në përfundimin e procesit të vetingut ndaj tij.

Gjyqtari i Tiranës është shortuar për t’iu nënshtruar procesit të vetingut në qershor të vitit 2020. Tre vjet më vonë, në prill të 2023-it, ai i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ-së që të deklarojë mbarimin e statusit të tij si magjistrat, duke paraqitur dorëheqje.

Trupa e përbërë nga Roland Ilia, Pamela Qirko dhe Brunilda Bekteshi,  ka administruar vendimin e KLGJ-së për mbarimin e statusit të magjistratit të Mickajt, si dhe informacion se subjekti nuk ka ushtruar ankim ndaj atij vendimi.

[…]Komisioni vëren se, konfirmohet vullneti i pavesuar i subjektit për dorëheqje, pasi z. Mickaj ka paraqitur dorëheqjen para Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe se, mbasi ky këshill ka vendosur mbarimin e statusit të magjistratit, subjekti nuk ka paraqitur ankim ndaj këtij vendimi”, citohet në vendimin e KPK, ku në vijim sqarohet se gjyqtari Mickaj nuk i është përgjigjur ftesës së parë për të marrë pjesë në seancë dëgjimore.

KPK i ka kërkuar sërish kërkesë Mickajt më 29 maj që të shprehte vullnetin e tij për t’u dëgjuar në seancë publike, duke i bërë me dije se nëse nuk e shfrytëzon këtë të drejtë, procesi i rivlerësimit do të ndërpritet në bazë të nenit G, të Aneksit të Kushtetutës, që përcakton edhe ndalimin e rikthimit të tij në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Në përgjigje të kësaj kërkese, gjyqtari Arben Mickaj është shprehur se ndodhet në pamundësi për t’u paraqitur në seancë dëgjimore publike, por pa deklaruar shkaqet e pamundësisë dhe as ka depozituar dokumentacion justifikues ligjor në mbështetje të pretendimeve të tij. “Gjithashtu, nuk duket të jetë shprehur qartë vullneti për t’u paraqitur ose jo në seancë publike, me qëllim për tu dëgjuar në lidhje me procesin e rivlerësimit të kryer ndaj tij”, vëren Komisioni dhe shton se një ditë më vonë e ka ftuar sërish për të tretën herë për t’u dëgjuar në seancë publike në lidhje me procesin e rivlerësimit, me qëllim garantimin e të drejtave themelore të tij.

Në përgjigje të shkresës së tretë, Mickaj ka parashtruar se, në kushtet kur e ka shprehur qartë vullnetin nëpërmjet kërkesës për dorëheqje të paraqitur pranë KLGJ, kërkon ndërprerjen e procesit të rivlerësimit në bazë të nenit G të Aneksit të Kushtetutës.

Bazuar në këto rrethana, Komisioni ka çmuar të ndërpresë vetingun e gjyqtarit Arben Mickaj duke i hequr të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *