Ish-gjyqtarja Marsela Balili | Foto: LSA
Analiza KPA Veting

KPA konfirmon deklarimin e rremë e të pamjaftueshëm të Marsela Balilit për pasurinë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i gjeti të drejtë thuajse të gjithë konkluzionet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Marsela Balili, duke çmuar se ajo dështoi të provojë ligjshmërinë e burimeve të pasurive që zotëron.

Balili u shkarkua nga detyra më 17 janar 2020 prej KPK për deklarim të rremë të pasurisë, për fshehje burimesh financiare dhe balanca negative në vlera të mëdha.

Balili është larguar edhe më parë nga sistemi i drejtësisë. Në vitin 2009, ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë e pezulloi nga detyra, pasi ndaj saj dhe bashkëshortit prokuror, Aleksandër Plepi, u regjistrua një procedim penal për korrupsion. Në fund të atij procesi, Balili u shpall e pafajshme dhe u rikthye në detyrë, ndërsa bashkëshorti u dënua me 1 vit burg.

KPA i ka gjetur të pabazuara pretendimet e Balilit për cënim të parimeve të procesit të rregullt ligjor dhe të aspekteve procedurale, duke vendosur të vijojë ta shqyrtojë çështjen në dhomë këshillimi.

Ish-gjyqtarja Balili e ka kundërshtuar konkluzionin e KPK-së për mungesë të burimeve të ligjshme për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 72.5 m2 në Tiranë në vitin 2002 kundrejt shumës 3.6 milionë lekë, rezultat që ka sjellë efekt negativ në analizën financiare.

Në vitin 2003, Balili ka deklaruar si burime krijimi të kësaj pasurie të ardhurat nga paga dhe të tjera. Ndërsa bashkëshorti ka deklaruar si burime “të ardhura normale të krijuara dhe të mbledhura në vite nga ndihmesa e babait, me profesion teknik ndërtimi me licencë, vjehrrit që ka punuar disa vite në emigracion në Itali, në profesion mekanik, si dhe të ardhura modeste të mbledhura dhe të kursyera personalisht edhe nga mosbërja e ceremonisë së dasmës”.

Pasi është njohur me rezultatet e hetimit paraprak në Komision, Balili ka deklaruar se vlerat që i janë dhënë nga prindërit kanë shërbyer për mobilimin e apartamentit, ndërsa banesa është blerë me të ardhurat e përfituara nga pagat. Në vendimin e KPA thuhet se subjekti nuk ka paraqitur në Komision prova për të vërtetuar mundësinë e prindërve për dhurimet, prej nga është konkluduar pamundësi e tyre për dhënien e shumës totale 600 mijë lekë.

Subjekti ka paraqitur në Kolegj akte me të cilat ka synuar të provojë se prindërit e saj dhe të bashkëshortit kanë pasur mundësi për dhënien e vlerës 600 mijë lekë, por ato nuk janë konsideruar prej KPA, pasi Balili nuk ka provuar se nuk ka pasur faj për mosdorëzimin e tyre në Komision.

Duke konsideruar paqëndrueshmërinë në deklarime të Balilit lidhur me destinacionin e kontributit të prindërve; përcaktimin e shumës vetëm pas rezultateve të hetimit; mungesën e paraqitjes së dokumentacionit provues në kohën e kërkuar nga Komisioni; por edhe në faktin se dokumentet e paraqitura në ankim nuk do ta shëronin bilancin negativ – Kolegji e gjen të drejtë qëndrimin KPK-së për mospërfshirjen e vlerës 600 mijë lekë në analizën financiare për apartamentin me sipërfaqe 72 m2.

KPA çmon të pabazuar edhe pretendimin për uljen e kostove të jetesës, vlerë për të cilën Balili ka deklaruar se është mbuluar prej prindërve. Ashtu si KPK, edhe Kolegji konkludon se prindërit e subjektit nuk kanë pasur të ardhura të ligjshme për mbulimin e shpenzimeve të jetesës për një familje me 4 persona.

Ndërkohë, bashkëshorti e ushtronte funksionin jashtë qytetit ku jetonin prindërit e saj dhe për rrjedhojë ishte e pamundur që shpenzimet të mbuloheshin prej këtyre të fundit.

Megjithëse KPA e gjen të drejtë pretendimin për korrigjimin e vlerës së përllogaritur nga Komisioni për periudhën e barrëlindjes dhe nga “paaftësia në punë”, ato janë konsideruar me efekt minimal në analizën financiare, ng aka mbetur pamundësi financiare në shumën 1.2 milionë lekë për blerjen e apartamentit me sipërfaqe 72 m2 në vitin 2002.

Kolegji ka gjetur të pabazuara edhe pretendimet e subjektit në kundërshtim të konkluzioneve të KPK lidhur me apartamentin duplex me sipërfaqëe totale 196,5 m2 në Tiranë, të blerë në vitin 2012 kundrejt çmimit 125 mijë euro.

Sipas Komisionit, Balili nuk ka deklaruar saktë marrdhënien kontraktuale me shoqërinë ndërtuese  në vitin 2007 dhe pagesën e këstit të parë, si dhe nuk provohet që fondet e sigurura nga kredia, nga një hua dhe ato nga shitja e apartamentit me sipërfaqe 72 m2 të kenë shërbyer për shlyerjen e çmimit të apartamentit duplex, duke rezultuar në pamundësi financiare.

Mosdeklarimin e porositjes dhe të pagesës së këstit të parë në vitin 2007, Balili e ka juistifikuar me faktin se apartamenti nuk ishte ende pronë e saj. Ajo ka pretenduar se aktmarrveshja dhe shlyerja e këstit të parë në shumën 40 mijë euro nuk kanë sjellë ndryshim të pasurisë së paluajtshme.

Por, Kolegji çmon se lidhja e kontratës së porosisë së apartamentit duplex prej bashkëshortit në vitin 2007 dhe kryerja e pagesës së këstit të parë, është një situatë që qartazi pasqyron lindjen e detyrimeve financiare të subjektit deklarues ndaj një personi juridik.

KPA çmon se mospasqyrimi i këtyre veprimeve vështirëson procesin e rivlerësimit për kriterin e pasurisë dhe e bën të pamundur krijimin e bindjes për vërtetësinë e deklarimit të subjektit në deklaratën “veting”.

Sipas Kolegjit, situata bëhet më e paqartë edhe për faktin se kredia 40 mijë euro që pretendohet prej subjektit se ka shërbyer për pagesën e këstit të parë të duplex-it, është marrë për porositjen në vitin 2007 të një apartamanti tjetër me sipërfaqe 128 m2.

Po ashtu, trupi gjykues i KPA vëren se pagesa e këstit të parë 40 mijë euro për apartamentin duplex, që pretendohet prej subjektit se ka burim kredinë, është e vetmja që ka mbetur e padokumentuar.

Balili ka pretenduar se kontrata e porosisë për apartamentin tjetër është lidhur me qëllim disbursimin e kredisë 40 mijë euro dhe se ajo pasuri është blerë pak kohë më vonë nga një tjetër person.

Megjithëse Kolegji gjen bindës faktin se subjekti nuk rezulton të jetë blerësi final i apartamentit me sipërfaqe 128 m2 të prenotuar në vitin 2007, nuk është gjetur informacion i besueshëm lidhur me kohëzgjatjen e ekzistencës së kontratës dhe arsyeve të zgjidhjes së saj.

KPA çmon se mosdeklarimet me korrektësi në vite sjellin pamundësi të verifikimit të vërtetësisë së deklarimeve në deklaratën “veting” dhe konludon se subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të paplotë lidhur me përdorimin e kredisë.

Balili nuk ka arritur të kundërshtojë edhe konkluzionin tjetër të Komisionit për pamundësi të vërtetimit të burimit të ligjshëm të një huaje 40 mijë euro të marrë nga shtetasi M.M. në vitin 2011, vlerë që sipas subjektit ka shërbyer për shlyerjen e një pjese të çmimit të apartamentit duplex.

Në ankim subjekti ka dorëzuar dokumente për të provuar mundësinë e huadhënësit për krijimin e vlerës 40 mijë euro me burime të ligjshme, por Kolegji konstaton se ajo ka ndryshuar deklarimet përsa i përket burimit të krijimit të vlerës së dhënë hua.

Balili ka pretenduar në Komision se ajo nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për mungesën e dividentit nga shoqëria e huadhënësit, ndërsa në Kolegj ka dorëzuar dokumentacion për të provuar mundësinë e shtetasit M.M. për dhënien e huasë në cilësinë e individit.

Kolegji vlerëson se mungesa e koherencës në deklarimet esubjektit, e bën të pabesueshëm pretendimin e ngritur në ankim se si burim i të ardhurave duhen konsideruar ato që huadhënësi ka përfituar si individ dhe jo ato nga aktiviteti i shoqërisë.

Megjithatë, KPA sqaron se ka kryer analizë edhe për mundësinë e shtetasit M.M. për dhënien e shumcës 40 mijë euro si individ, por ka rezultuar sërish pamundësi financiare.

Balili ka dështuar të vërtetojë se të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit me sipërfaqe 72 m2 kanë shërbyer për duplex-in. Sipas KPA, rezulton se pjesa më e madhe e pagesave të kësteve nga ana e blerëses së apartamentit me sipërfaqe 72 m2 janë realizuar pas përfundimit të likuidimit të kësteve të apartamentit duplex.

Po ashtu, është rrëzuar edhe një pretendim tjetër se pagesat janë kryer me të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit të motrës së bashkëshortit, rrethanë e pretenduar nga subjekti gjatë hetimit administrativ.

“Ky pretendim është ngritur gjithashtu për herë të parë pasi subjektit i ka kaluar barra e provës lidhur me këtë burim, duke e vendosur gjithashtu këtë pretendim në një nivel deklarativ e të paprovuar me dokumentacion të kohës”, konstaton KPA dhe shton se Balili nuk ka mundur të provojë se bashkëshorti ka pasur të drejtën e përdorimit të fondeve të siguruara nga shitja e apartamentit të motrës së tij.

Nisur nga deklarimet e burimeve të ndryshme të krijimit të kësaj pasurie të pretenduara prej Balilit pas kalimit të barrës së provës gjatë hetimit administrativ, me ato të shënuara në deklaratën “veting”, Kpolegji çmon se ajo ka bërë deklarim të rremë.

Në përfundim Kolegji konkludon se subjekti gjendet në kushtet e mungesës së burimeve të ligjshme për të justifikuar pagimin e shumës prej 61 mijë eurosh në vitin 2012, si edhe në kushtet e deklarimit të rremë për sa i përket burimit të përdorur për financimin e kësaj pagese.

Për shkak të moskonsiderimit të huasë 40 mijë euro nga shtetasi M.M., Balili është gjendur në pamundësi edhe për blerjen e një automjeti tip “Ford Fiesta” për çmimin 4000 euro, pasi një pjesë e kësaj vlere është deklaruar si burim krijimi.

KPA konstaton se në kohën që subjekti dhe bashkëshorti janë pezulluar nga detyra, kanë vijuar të kryejnë investime të rëndësishme për banimin duke u zhvendosur në apartamentin duplex, me vlerë disa herë më të madhe nga ai ekzistues.

Në përfundim, Kolegji konfirmon rezultatet negative të analizës financiare të Komisionit, sipas së cilës subjekti i rivlerësimit ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e investimeve dhe mbulimin e shpenzimeve në vitet 2010, 2011-2012, 2013, 2014, 2015 dhe 2016 në vlerën totale 17.8 milionë lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *