Gjyqtarja Marjana Velçani në KPA
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e Marjana Velçanit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të enjten më 26 maj vendimin për lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të ish-kryetares së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës, Marjana Velçani. Vendimi u mor nga trupa gjykuese e Kolegjit e kryesuar nga Rezarta Schcuetz, me relatore Albana Shtyllën dhe anëtarë Ina Rama, Mimoza Tasi dhe Sokol Çomo.

Në momentin që kryesuesja Schuetz ishte duke njoftuar konkluzionet e Kolegjit për këtë çështje, ish-gjyqtarja Velçani u largua nga salla. Pas shpalljes së gjithë vendimit u largua edhe përfaqësuesja e saj ligjore.

Marjana Velçani u shkarkua nga detyra me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 12 dhjetor 2019. Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, ajo rezultoi me mungesë burimesh të ligjshme për blerjen e një apartamenti, një makine si dhe për shpenzimet familjare.

Problemi kryesor i evidentuar prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK në vlerësimin e pasurisë së Velçanit ishte blerja e një apartamenti me sipërfaqe 111 m2 në Berat në vlerën e 3 milionë lekëve. Sipas Komisionit, gjyqtarja Mariana Velçani ka pasur mungesë burimesh të ligjshme prej 1.5 milionë lekësh si dhe ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm.

Për këtë pasuri të rivlerësuar në nëntor të vitit 2011 në vlerën 6.3 milionë lekë, Velçani ka deklaruar si burim krijimi të ardhura nga paga në shumën 300 mijë lekë dhe një kredi në vlerën 20 mijë euro në Alpha Bank, që është disbursuar më datë 2 korrik 2003, rreth tre muaj pas blerjes së apartamentit.

Sipas KPK, në kontratën e kredimarrjes nuk është parashikuar qëllimi i përfitimit të kësaj vlere dhe nuk rezulton që kredia të ketë kaluar me transaksion bankar në favor të shoqërisë ndërtuese, ndërkohë që kredia është përfituar bazuar në këtë pasuri që është lënë si kolateral.

Vendimi i Komisionit u ankimua prej Velçanit në KPA. Kryesuesja Rezarta Schuetz sqaroi gjatë shpalljes së vendimit se Kolegji e kaloi çështjen në seancë gjyqësore me qëllim konstatimin e situatës faktike dhe përsëritjen e marrjes së provave nga Alpha Bank.

Sipas Kolegjit, pas shqyrtimit të parashtrimeve të subjektit dhe provave të administruara, është arsyetuar se Velçani ka kryer deklarim te pasaktë për apartamentin pasi nuk u prova se kredia 20 mijë euro e deklaruar si burim krijimi, të ketë shërbyer për likuidimin e çmimit të kësaj psurie. Për rrjedhojë është konstatuar edhe mungesë e burimeve të ligjshme.

KPA arsyetoi se Velçani ka qenë në pamundësi financiare edhe për blerjen e automjetit tip “Ford Fiesta” dhe nga analiza e përgjithshme financiare ka rezultuar pamundësi për kryerjen e investimeve dhe mbulimin e shpenzimeve në dy vite.

Në përfundim Kolegji vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për shkarkimin nga detyra  të Velçanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *