Lajme

KPK konfirmon prokurorin Bledar Bejko

Prokurori i Durrësit Bledar Bejko u konfirmua të enjten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Vendimi u mor pas dy seancave dëgjimore dhe hetimeve në të tri kriteret e rivlerësimit.

Trupa e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Olsi Komicin, njoftoi se Bejko ishte konfirmuar në detyrë.

Prokurori iu nënshtruar dy seancave dëgjimore, me pyetje kryesisht mbi pasurinë dhe mbi profesionalizmin.

Në seancën e parë të zhvilluar më 28 mars, Bejko dha shpjegime mbi pretendimin se kishte një balancë negative në shumën 1.8 milionë lekë për një apartament në Tiranë. Bejko e kundërshtoi këtë konstatim, duke kërkuar që analiza financiare të bazohej në deklarimin e vitit 2008 kur ai kishte kryer transaksionin. Në seancën e dytë ai u pyet mbi veprime bankare të kryera nga bashkëshortja për llogari të babait të tij.

Bledar Bejko e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2007, ai u transferua në Prokurorinë e Fierit dhe prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Durrësit.