Gjyqtarja Izabela Radovani pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Gjyqtarja Izabela Radovani jep shpjegime për balancat negative të pasurisë

Gjyqtarja e Gjykatës së Shkodrës, Izabela Radovani u përball të mërkurën më 12 prill me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati rreth tre orë e gjysmë dha shpjegime për mospërputhjet në deklarimin e pasurive, mungesat financiare për krijimin e tyre, si dhe për transaksionet për një apartament të kryera në emrin e saj – pasuri për të cilën tha se nuk kishte lidhje. Ajo e vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërkohë që dha sqarime për disa çështje të denoncuara nga publiku dhe media.

Izabela Radovani e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor si ndihmësgjyqtare në vitin 1996 dhe në vitin 2000 u emërua gjyqtare në Shkodër, ku dhe punon prej më shumë se dy dekadash. Procesi i vetingut për gjyqtaren Radovani po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.

Gjatë seancës dëgjimore, subjekti u paraqit me përfaqësuesen e saj ligjore, avokaten Evi Kolovani.

Problemet me pasurinë

Për një apartament me sipërfaqe 76 m2 në Shkodër, subjekti ka shpjeguar në deklaratën “veting” se, megjithëse është shënuar në kontratën e shitblerjes së vitit 1998 se i është dhuruar, në fakt vlera e paguar ka qenë 500 mijë lekë.

Ndërkohë, nga verifikimi i deklaratës fillestare të vitit 2003, Radovani ka deklaruar se vlera e pasurisë ka qenë 1.8 milionë lekë. Shuli konstatoi mospërputhje të vlerës së deklaruar të kësaj pasurie. Gjatë hetimit administrativ, subjekti ka deklaruar se kjo pasuri nuk i është dhuruar, por se e ka blerë kundrejt vlerës 1.8 milionë lekë.

Si burim për blerjen e këtij apartamenti, Radovani ka shpjeguar se ka shërbyer vlera e përfituar nga shitja e një banese në pronësi të saj në vitin 1997 kundrejt çmimit 1 milion e 350 mijë lekë, pasuri që e kishte blerë në 96-ën për shumën 1.3 milion lekë, si dhe të ardhurat familjare.

Sipas Shulit, subjekti nuk ka pasur mundësi për blerjen e apartamentit të parë në vitin 1996. Ndërkohë që shumën e përfituar nga shitja e kësaj pasurie nuk e ka pasqyruar në deklarimet vjetore si burim për banesën e blerë në ’98-ën, por e ka pretenduar vetëm gjatë hetimit administrativ.

Relatorja konstatoi se subjekti ka deklaruar në vitin 2003 edhe një depozitë dhe se nuk është e qartë nëse vlera e përfituar nga shitja e apartamentit në vitin 1997 kishte shërbyer për çeljen e kësaj depozite apo për blerjen e apartamentit në 98-ën. Sipas Shulit, subjekti nuk ka dhënë shpjegime për burimin e depozitës, megjithëse është pyetur.

Për rrjedhojë, në analizën financiare paraprake, shuma 1 milion e 350 mijë lekë nuk është konsideruar si burim për blerjen e apartamentit 76 m2, duke rezultuar pamundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se ky apartament është bashkuar me një tjetër me sipërfaqe 75 m2, që është privatizuar nga familja e bashkëshortit dhe i është dhuruar këtij të fundit.

Megjithëse Radovani e ka deklaruar në vijimësi si adresë banimi shtëpinë e përbërë nga dy apartamentet, nga verifikimi i librezës së energjisë elektrike ka rezultuar se në periudha të gjata kohore nuk ka pasur shpenzime, ose ka pasur pagesa aforfe në vlera minimale.

Avokatja Evi Kolovani theksoi se subjekti ka kryer deklarim të saktë në vitin 2003 për vlerën e apartamentit të blerë në vitin 1998, ndërsa në atë “veting” e cilësoi si pasaktësi të paqëllishme, që kishte të bënte me mënyrën e kuptimit të deklarimit.

Ajo këmbënguli se Radovani kishte pasur mundësi për blerjen e apartamentit në vitin 1996, çmimi i shitjes së të cilit kishte shërbyer si burim për banesën tjetër. Kolovani dhe subjekti sqaruan në seancë se familja e kësaj të fundit është persekutuar politikisht përpara vitit 1990, ku babai ka qenë i burgosur, ndërsa vëllai është vrarë. Për këtë arsye, ajo sqaroi se janë kompesuar me 886 mijë lekë në vitin 1994 dhe dy vjet më vonë me 750 mijë lekë, nga të cilat rreth një milion lekë u pretendua se i janë dhënë subjektit për të blerë apartamentin në 96-ën. Ajo kërkoi që çmimi i shitjes së kësaj pasurie në vitin 1997 të konsiderohej si burim për blerjen e banesës në 98-ën.

Po ashtu, këmbënguli se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për mbulimin e pjesës tjetër të çmimit në shumën 500 mijë lekë. Avokatja konstatoi se në analizë nuk janë konsideruar të ardhurat e bashkëshortit të subjektit për periudhën 1993-1996 si hetues, gjyqtar, kryetar gjykate, avokat e pedegog i jashtëm, në shumën totale 614 mijë lekë. Ajo shpjegoi se për shkak të kohës së largët, nuk janë gjetur dokumente për pagesat e bashkëshortit të subjektit, por janë siguruar të dhëna zyrtare të kohës që vërtetojnë pagat e gjyqtarëve.

Po ashtu, u kërkua që në analizë të përfshihen edhe të ardhurat e bashkëshortit të subjektit nga puna si noter, prej vitit 1997 e në vijim. Për periudhën që institucionet tatimore janë shprehur se nuk disponojnë dokumentacion për të ardhurat e bashkëshortit të Radovanit, Kolovani kërkoi që Komisioni ta kryejë analizën bazuar në regjistrat noterialë që ai disponon. Sipas avokates, për blerjen e apartamentit në vitin 1998, bilanci del pozitiv në shumën 645 mijë lekë.

E pyetur nga relatorja Shuli lidhur me mospërputhjen e deklarimit për përdorimin e përhershëm të apartamenteve me sipërfaqe të përbashkët 151 m2, subjekti deklaroi se kishte sqaruar se kishte jetuar aty për periudhën 1999-2013, ndërsa më pas ishte transferuar në shtëpinë e prindërve pasi nëna kishte mbetur vetëm dhe kishte nevojë për ndihmë. “Nuk kam kryer fshehje pse nuk kam deklaruar si adresë banimi shtëpinë e prindërve,” pohoi Radovani.

Komisioni konstaton pamundësi të subjektit dhe bashkëshortit të saj për pagesën e shumës 3 milionë lekë për blerjen e një njësie prej 34.5 m2 në Shkodër në vitin 2008. Po ashtu, u konstatua se Radovani nuk e ka deklaruar këtë pasuri deri në 2014-ën, kur ka pasqyruar pakësimin e një shume 500 mijë lekë. Gjatë hetimit, Radovani ka shpjeguar se pasi shitësi kishte ndërruar jetë, bashkëshortja e tij padrejtësisht kishte shtuar sipërfaqen dhe rritur çmimin. Ajo ka pohuar se në vitet 2007, 2008 dhe 2009 është shlyer vlera 3 milionë lekë, se ka paguar 500 mijë lekë në 2014-ën dhe se po aq kanë mbetur detyrim.

Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se kjo pasuri vijon të mos jetë e regjistruar në emër të bashkëshortit të gjyqtares Radovani.

Shuli pohoi se nuk janë gjetur të dhëna që të vërtetojnë se shuma 500 mijë lekë e pakësuar në vitin 2014, të jetë paguar për njësinë. Megjithatë, Komisioni e ka përfshirë si shpenzim.

KPK ka gjetur se subjekti ka shqyrtuar një çështje ku palë kanë qenë trashëgimtarët ligjorë të shtetasit me të cilët bashkëshorti kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e njësisë. Sipas Shulit, subjekti duhej të kishte dhënë dorëheqjen.

Avokatja Kolovani sqaroi se pagesat për shlyerjen e vlerës 3 milionë lekë për njësinë ishin kryer përgjatë tre viteve, ndërsa shënimi se ishte shlyer e gjitha në 2008-ën ka, qenë për shkak të besimit që ka pasur pala shitëse tek bashkëshorti i subjektit. Ajo argumentoi se i ndjeri i kishte kryer gjithë aktet noteriale për pasuritë që po ndërtonte tek bashkëshorti i subjektit. Sipas Kolovanit, kjo pasuri nuk i është vendosur ende në dispozicion bashkëshortit të gjyqtares.

Lidhur me shqyrtimin e çështjes së trashëgimtarëve të palës shitëse, Kolovani sqaroi se subjekti ishte caktuar me short. Ajo pohoi se Radovani kishte zhvilluar seancën paraprake ku kishte konstatuar se padia ishte me të meta, pasi paditësi nuk kishte përcaktuar qartë gjeneralitetet e trashëgimtarëve të shitësit të njësisë. “Do të ishte parregullsi nëse do të jepte dorëheqjen dhe prandaj ka kërkuar fillimisht verifikimin e tyre,” argumentoi Kolovani dhe theksoi se subjekti nuk e ka shqyrtuar këtë çështje.

Prej hetimit administrativ është siguruar dokumentacion për një apartament në Shkodër të blerë në emër të subjektit të rivlerësimit në vitin 1995 për çmimin 240 mijë lekë dhe të shitur në 96-ën për shumën 1 milion e 50 mijë lekë. Personat që e kanë blerë në vitin 1996 e kanë shitur dy vjet më vonë tek një shtetas tjetër, pasuri që aktualisht figuron e regjistruar në emër të trashëgimtarëve ligjorë të blerësit.

Sipas Shulit, subjekti ka theksuar se nuk ka lidhje me atë pasuri. Radovani ka paraqitur dhe një akt ekspertimi për nënshkrimin në kontratën e blerjes së pasurisë, ku eksperti ka vlerësuar se është kryer nga i njëjti person, por jo nga subjekti i rivlerësimit.

Avokatja Kolovani vërejti se subjekti ka lidhur martesë pas kontratës për blerjen e apartamentit në vitin 1995 në emër të saj dhe se ishte e pamundur që ajo të kishte kryer vetë këtë transaksion me mbiemrin e bashkëshortit, ashtu si ishte shënuar. Sipas saj, në dokumentacionin për transaksionet e këtij apartamenti nuk figuron mjet identifikimi i subjektit, si dhe as një pjesë e gjeneraliteteve të saj.

Kur Shuli e pyeti subjektin se përse kishte kërkuar akt ekspertim vetëm për nënshkrimin në kontratën e blerjes së kësaj pasurie, duke i krahasuar me ato të kontratës së shitjes, avokatja Kolovani sqaroi se ekspertit i ishin dhënë për krahasim edhe dokumente të tjera të kohës. “Duhej të provonim se ishte i falsifikuar. […] Pasi nëse nuk e kishte blerë edhe nuk mund ta shiste”, argmentoi ajo.

Komisioni e ka kryer analizën financiare paraprake në dy pjesë, për vitet 1996-2003 nga ka rezultuar një bilanc negativ në vlerën 380 mijë lekë dhe rreth 1.8 milionë lekë gjatë periudhës 2004-2016.

Avokatja Kolovani konstatoi se KPK nuk kishte konsideruar në analizë likujditete që i kishte disponuar subjekti, që sipas saj e përmbysin bilancin negativ. “Të rishikohet analiza financiare duke konsideruar çdo të ardhur të provuar,” kërkoi Kolovani dhe këmbënguli se subjekti justifikon bindshëm gjithë burimin e pasurive.

Figura dhe profesionalizmi

Gjyqtarja Izabela Radovani mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës. Ndërkohë i janë kërkuar shpjegime për disa prej 16 denoncimeve të kryera nga publiku. Dy denoncime janë kryer nga institucionet shtetërore, OST dhe Spitali Rajonal i Shkodrës që kanë ngritur pretendime se në gjykimin e çështjeve ku kanë qenë palë e paditur, subjekti ka lejuar të marrë pjesë një gjyqtar që ka këshilluar vëllanë e tij avokat.

Pretendimet e OST kanë mbetur deklarative, ndërsa nga verifikimi i regjistrimit audio të seancës ku palë ka qenë Spitali Rajonal i Shkodrës, është kuptuar se në sallë ka hyrë një person të cilit subjekti i ka thënë se në një rast të tillë merret leje.

Nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se Radovani nuk ka nënshkruar procesverbalet e seancave. Shuli relatori edhe disa denoncime ku ngriheshin pretendime ndaj vendimarrjes dhe vlerësimit e provave nga subjekti, si dhe për zvarritje të proceseve.

Lidhur me mungesën e nëshkrimit të procesverbaleve të seancave, Kolovani sqaroi se ato regjistroheshin në sistemin audio dhe për këtë arsye subjekti e kishte praktikë që të mos nënshkruante në pëmbledhjen që kryente sekretaria gjyqësore. Sipas saj, procesverbalet e sekretarisë gjyqësore janë të vlefshme.

Avokatja kundërshtoi konstatimet për zvarritje të proceseve, duke sjellë në vëmendje të Komisionit dokumentet që sipas saj vërtetonin sa pretendonte. Sipas Kolovanit, vendimet e subjektit janë lënë në fuqi nga Apeli, që nuk ka gjetur shkelje procedurale apo materiale.

Shuli evidentoi edhe dy denoncime publike të kryera në emisionin “Stop”, ku në një rast fëmijët e vëllait të ndjerë të subjektit kanë ngritur pretendime se apartamenti i tij është përfituar në mënyrë të padrejtë nga ana e djalit të gjyqtares Radovani, i cili e ka dhënë atë më pas me qira.

Subjekti dhe avokatja sqaruan se i vëllai kishte blerë nga bashkëshortja dhe vajza pjesët e tyre takuese, duke zotëruar ¾ – at, ndërsa ¼-ën e zotëronte ende djali i tij. Sipas Radovanit, bashkëshortja e vëllait dhe fëmijët e tij ishin larguar jashtë shtetit prej dekadash. Subjekti pretendoi se djali i saj ishte kujdesur për xhaxhanë, i cili kishte vendosur t’i dhuronte pjesën e tij takuese në apartament.

Lidhur me konstatimin se shënimi nga vëllai në aktin e dhurimit ishte kryer me gjurmë të gishtit dhe jo me nënshkrim, subjekti deklaroi se në atë periudhë ai kishte qenë i sëmurë rëndë dhe gjendej në spital, duke e pasur të pamundur të nënshkruante për dhurimin. Sipas subjektit, për këtë arsye kishte vendosur gjurmën e gishtit.

Në përfundim, gjyqtarja Izabela Radovani deklaroi se me gjithë padrejtësitë që i ishin bërë familjes së saj, kishte gjetur forcë për të ecur para e për të qenë e drejtë. Ajo kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 14 prill, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *