Gjyqtarja Fahrije Stringa Budo pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

“Rast i vështirë”: Mosdeklarimi i kursimeve sjell pamundësi në pasuritë e gjyqtares Stringa

Gjyqtarja Fahrije Stringa Budo e Gjykatës së Tiranës u përball të martën më 11 prill 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për balancat negative në vlera të konsiderueshme, të krijuara kryesisht nga mosdeklarimi i kursimeve cash ndër vite.

Budo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërsa në aspektin profesional u konstatuan disa ankesa dhe denoncime ku ngriheshin pretendime për zvarritje të procesit dhe tejkalim të afeteve në gjykim, për të cilat ajo dha shpjegime të detajuara duke shpjeguar se zvarritjet nuk kishin ardhur prej saj.

Fahrije Stringa e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Tiranë.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Fahrije Stringa Budo po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Kursimet cash të padeklaruara

Komisioni konstatoi pamundësi financiare për krijimin e një depozite në vlerën 30 mijë euro në vitin 2009, si burime krijimi të së cilës janë deklarur një shumë e dhuruar nga motra e subjektit në vitin 1999 dhe të ardhurat e prindërve në vlerën 2.9 milionë lekë.

Relatorja Bungo shpjegoi se shuma e depozituar prej motrës së gjyqtares në vitin 1999 nuk është konsideruar në analizën financiare, pasi subjekti nuk ka depozituar dokumentacion për të vërtetuar të ardhurat e dhurueses.

Bungo renditi edhe të ardhurat e familjes së origjinës së subjektit, të deklaruara se kanë shërbyer për krijimin e vlerës 2.9 milionë lekë. Sipas Komisionit, rezulton mospërputhje në vlerën e përfituar nga nëna e subjektit nga shitja e një pasurie të paluajtshme, pasi në kontratën e shitjes figuron shuma 500 mijë lekë dhe jo 1.5 milionë lekë sa është deklaruar. Po ashtu, nuk janë vërtetuar të ardhurat e motrës së ndjerë. Ndërkohë, sipas KPK-së, nuk është dokumentaur se letrat me vlerë të përfituara nga babai i subjektit si ish i persektuar politik, janë këmbyer me vlerën e plotë të tyre. Për rrjedhojë është konstatuar pamundësi për kursimet e deklaruara nga familja e subjektit dhe për rrjedhojë edhe për krijimin e depozitës 30 mijë euro në 2009-ën.

Po ashtu, Komisioni konstatoi pamundësi për një pjesë të vlerës së një depozite në shumën 3.5 milionë lekë të çelur nga babai i subjektit, i cili ka përfshirë edhe gjyqtaren Budo në administrimin e kësaj llogarie. Edhe për këtë depozitë, janë deklaruar të ardhurat nga dëmshpërblimi i babait si i persektuar politik dhe pensioni i motrës së ndjerë.

Për krijimin e një depozite 16 mijë USD në vitin 2015 në emër të bashkëshortit dhe subjektit, është deklaruar si burim krijimi kthimi i një huaje të dhënë në vitin 2014. Si burim për vlerën 16 mijë USD të dhënë hua në 2014-ën, janë deklaruar të ardhurat nga dhënia me qira e pronave të paluajtshme të trashëguara nga bashkëshorti.

Bungo vërejti se të ardhurat e qirave vjetore nuk janë deklaruar në fund të viteve përkatëse si gjendje cash dhe nuk janë përfshirë në analizën financiare si burim për krijimin e kursimeve. Për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi financiare për krijimin e shumës 16 mijë euro të dhënë hua nga bashkëshorti i subjektit në vitin 2014.

Ndërkohë, nga analiza e kryer për huamarrësin, ka rezultuar se ai ka pasur mundësi për kthimin e vlerës 16 mijë euro në 2015-ën.

Situatë e ngjashme është konstatuar prej Komisionit edhe për një depozitë në vlerën 20 mijë euro në vitin 2010. Si burim janë deklaruar të ardhurat nga qiradhënia; nga shitja e një automjeti.Sipas Bungos, subjekti nuk ka deklaruar kursimet cash, si dhe bahskëshorti nuk ka specifikuar të ardhurat nga qiratë dhe bonot e thesarit. KPK nuk i ka përfshirë kursimet cash të pretenduar se janë krijuar në 2009-ën dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi financiare.

Në vitin 2012 është shtuar në depozitë shuma 13 mijë euro. Nga analizimi të ardhurave të përfituara nga shitja e automjetit të llojit Ford, ka rezultuar se kjo pasuri e luajtshme është blerë në vitin 2002 kundrejt shumës 1500 euro dhe së bashku me shpenzimet për plotësimin e dokumentacionit janë shpenzuar gjithsej rreth 350 mijë lekë. Ndërkohë, i është shitur një të afërmi të subjektit pas 10 vjetësh për çmimin 5000 euro. Bazuar në këto të dhëna janë ngritur dyshimet për çmim fiktiv të shitjes. Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se nuk janë paguar detyrimet tatimore për fitimin e krijuar dhe nuk janë përfshirë në analizën financiare për krijimin e shtesës së depozitës.

KPK konstaton se Stringa nuk ka deklaruar kursimet cash nga të ardhurat nga qiratë dhe për këtë arsye nuk janë konsideruar në analizën financiare. Për rrjedhojë është konstatuar balancë negative edhe për shtesën e depozitës.

Sipas Bungos, bashkëshorti i subjektit rezulton në pamundësi financiare për krijimin e një depozite 7000 USD në vitin 2000, që në momentin e deklarimit “veting” ka arritur në vlerën 56 mijë USD. Edhe në këtë rast janë deklaruar si burim të ardhurat nga qiratë që janë konsideruar të pamjaftueshme.

Bashkëshorti e ka përfshirë subjektin në një depozitë në vlerën 36 mijë euro të çelur në vitin 2014. Si burim krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti për çmimin 9.5 milionë lekë. Në deklarim është shpjeguar se nga çmimi është zbritur një hua që i është marrë blerësit dhe për rrjedhojë është paguar vlera 53 mijë euro në favor të bashkëshortit të subjektit. Ndërkohë, subjekti ka shpjeguar se kjo shumë e paguar më parë ka qenë një kapar për apartamentin.

Bungo tha se nga hetimi administrativ ka rezultuar se apartamenti është përfituar prej bashkëshortit të subjektit vite më parë, ndërkohë që blerësi A.B. duket se nuk ka pasur mundësi për dhënien hua të shumës 1.9 milionë lekë.

Nisur nga fakti se nuk janë gjetur gjurmë të dokumentuara për pagesën e çmimit të apartamentit, KPK ngre dyshime se çmimi është shlyer de facto nga A.B. që prej vitit 2000, ndërkohë që kontrata e vitit 2013 mund të jenë lidhur me qëllim që prona t’i kalohej atij. Bazuar në këto dyshime, KPK nuk e ka konsideruar në analizën financiare vlerën 53 mijë euro dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi për krijimin e depozitës.

Për shkak të mospërfshirjes së vlerës 53 mijë euro nga shitja e apartamentit, është konstatuar pamundësi edhe për krijimin e një depozite tjetër.

Sipas KPK, ka rezultuar pamundësi financiare për një pjesë të një depozite në bono thesari në vlerën 6 milionë lekë të krijuar në vitin 2008, si burim krijimi të së cilës janë deklaruar të ardhurat nga shitja e një sipërfaqe toke në Sauk të Tiranës, kundrejt çmimit 80 mijë euro dhe interesat bankare.

Komisioni konstaton pamundësi për blerjen e një automjeti të llojit Toyota në Gjermani nga bashkëshorti i subjektit, pasi vlera e deklaruar si burim është tërhequr më vonë nga llogaria bankare.

Komisioni nuk ka gjetur probleme nga krijimi i një depozite tjetër me burim të ardhurat e përfituara nga shitja e tokës, si dhe për pronat e kthyera familjes së bashkëshortit në rrugën e Durrësit në Tiranë, prej nga janë përfituar ndër vite të ardhurat nga qiradhënia e tyre. Po ashtu, nuk janë gjetur probleme në një apartament të privatizuar në vitin 1994.

Në përfundim të relatimit të gjetjeve për pasurinë, Bungo vërejti se subjekti nuk ka deklaruar në vite kursime cash, ndërsa në atë “veting” ka shënuar kursime. “Subjekti ka deklaruar se ka dashur të sqarojë pasaktësitë e gjendjes cash, por ka qenë e paqartë”, tha Bungo dhe shtoi se mundësia e kursimeve nuk është përfshirë në analizën financiare, ç’ka ka sjellë një bilanc negativ total në vlerën 14.9 milionë lekë për gjithë vitet e verifikuara.

Analiza financiare e Komisionit u kundërshtua nga gjyqtarja Fahrije Stringa Budo, e cila tha në seancë se kishte përgatitur një analizë financiare për periudhën 1994-2016, ku sipas saj rezulton se ajo dhe familjarët e saj kanë pasur mundësi për krijimin e pasurive.

“Theksoj se tërësia e burimeve lidhet me të ardhurat e prindërve nga pensionet, shpërblimet e tyre si ish-të persekutuar politikë; të ardhurat e bashkëshortit nga qiraja e pronave të paluajtshme dhe tjetërsimi i tyre. Unë nuk kam krijuar pasuri,” deklaroi ajo dhe kërkoi që në analizë të përfshiheshin të ardhurat nga qiratë, duke u korrigjuar situata aktuale.

“Është pasqyruar nga vetë Komisioni se për të ardhurat nga qiratë janë paguar tatimet, por nuk janë përfshirë,” u ankua ajo.

Gjyqtarja kërkoi që të konsiderohej edhe dhurimi nga motra e ndjerë, duke këmbëngulur se kishte provuar se kishte pasur mundësi financiare. Po ashtu, ajo u shpreh se motra që jetonte në Itali kishte fituar pension në vitin 2004 në Shqipëri dhe ia kishte lënë prindërve, pasi ishte në gjendje të mirë ekonomike. Ajo kërkoi që të ardhurat nga pensioni i saj t’u shtoheshin të ardhurave ndër vite të prindërve.

Po ashtu, Stringa kërkoi që të konsiderohen të ardhurat e babait nga dëmshpërblimi si ish- i persektuar politik. Ajo vërejti se një vlerë e këtyre të ardhurave ishte konvertuar në euro në bankë, por nuk ishte marrë hua.

Stringa theksoi se nuk kishte qenë asnjëherë titullare e depozitave të prindërve, por i ishte dhënë e drejta për t’i menaxhuar pasi ata ishin të moshuar. Sipas saj, babai nuk do t’i kishte këmbyer me vlerë më të vogël letrat me vlerë, pasi ishin dëmshpërblimi për vuajtjet e tij gjatë internimit dhe burgimit të padrejtë.

Ajo pohoi se nëna nuk mund ta kishte shitur banesën në shumën 500 mijë lekë sa ishte në kontratë, pasi sipas referencave të EKB-së, vlera ishte rreth 2.6 milionë lekë. Subjekti këmbënguli se nëna e ka shitur 1.5 milionë lekë, në vlerën e deklaruar.

Në vijim ajo u ndal në huanë e dhënë nga bashkëshorti në vitin 2014, duke theksuar se burim ishin qiratë e tre viteve që ishin të mjaftueshme. “Është i drejtë konstatimi për cashin, por jam përpjekur të jem e saktë në rubrikën e të ardhurave të përvitshme. Asnjëherë nuk e kam deklaruar gjendjen cash për shkak të padijenisë time për t’i deklaruar. Çdo e ardhur nga qiratë është kursyer dhe mbyllur në depozita,” shpjegoi Stringa, duke ritheksuar se mospasqyrimi cashit kishte të bënte me moskuptimin e ligjit.

“Mosdeklarimi në rubrikën e duhur nuk duhet të përbëjë shkak për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm, pasi bie në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit. Pasaktësitë nuk mund të përbëjnë shkak për masë disiplinore, pasi janë mangësi formale”, shtoi subjekti.

Ajo solli në vëmendje të Komisionit jurispudencën e Kolegjit, sipas të cilit pasaktësitë në deklarime të pashoqëruara me mungesa financiare, nuk mund të sjellin penalizim.

Në vijim, Stringa kërkoi që të mos ngarkohej me përgjegjësi lidhur me burimet e depozitës 36 mijë euro të çelur nga bashkëshorti në vitin 2014, duke pretenduar se bëhej fjalë për burime të krijuara prej tij përpara se ata të lidhnin martesë dhe përpara fillimit të detyrës.

Ajo kundërshtoi dyshimet e KPK-së për veprime fiktive të apartamentit nga ana e bashkëshortit, duke argumentuar se kontratat lidheshin bazuar në dakordësinë e palëve. Sipas siubjektit, kontrata ishte finalizuar pas daljes së certifikatës së pronësisë.

“Asnjëherë nuk është përdorur nga ne dhe është deklaruar rregullisht nga viti 2003,” sqaroi Stringa lidhur me apartamentin e shitur nga bashkëshorti.

Ajo këmbënguli se shuma 1.9 milionë lekë e paguar për kaparin nuk mund të përfaqësonte gjithë çmimin e për rrjedhojë nuk mund të ishte shlyer në 2000-in ashtu si ngre dyshime Komisioni. Lidhur me moskalimin në bankë të shumës së mbetur në vitin 2013, ajo theksoi se një gjë e tillë nuk kërkohej në atë kohë nga ligji. Stringa vërejti se kishte përfshirë në analizën financiare edhe të ardhurat e palës blerëse, që sipas saj kanë pasur mundësi.

Lidhur me shitjen e automjetit të llojit Ford më shumë nga çmimi i blerjes 10 vite më parë, subjekti deklaroi se bashkëshorti e kishte blerë me çmim okazion në Gjermani. Ajo tha se makina ishte shitur në vlerën që kishte, pasi ishin kryer edhe shpenzime.

Për depozitën 7000 USD të çelur nga bashkëshorti në vitin 2000, subjekti kërkoi që të përfshiheshin në analizë të ardhurat prej vitit 1994. Sipas saj, rezulton bilanc pozitiv në shumën rreth 4 milionë lekë. Ajo shtoi se familja e bashkëshortit ka pasur mundësi edhe për shtesën e depozitës deri në vitin 2003 e në vijim.

“Vlerësoj se kemi pasur të ardhura të mjaftueshme për kursimet. Kam menduar se ka qenë i mjaftueshëm deklarimi i të ardhurave,” ritheksoi ajo duke kërkuar që të saktësohen prej Komisionit të ardhurat nga qiratë.

Në fund të seancës, relatorja Bungo e cilësoi rivlerësimin e Stringës si “një rast të vështirë”, pasi problemet ishin konstatuar për shkak të mosdeklarimit të gjendjes cash.

Ajo e konsideroi si të komplikuar analizën financiare për këtë subjekti rivlerësimi dhe shtoi se probleme kishin sjellë edhe mospërputhje në deklarimet vjetore me atë “veting”.

“Këto janë arsyet përse juve iu dalin llogaritë dhe neve nuk na dalin,” ju drejtua Bungo subjektit.

Në përfundim, gjyqtarja Fahrije Stringa Budo kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 13 prill, në orën 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *