Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Transfertat bankare drejt Kinës vënë në dyshim “të ardhmen” e ndihmësit ligjor Artor Ylli

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se kishte gjetur sjellje jo etike dhe mungesë integriteti që cënon figurën e gjyqtarit, pas hetimit administrativ mbi pasuritë e ndihmësit ligjor pranë Gjykatës Administrative Artor Ylli. Ylli i cili  vazhdon shkollën e Magjistraturës për tu bërë gjykatës, është studenti i parë që paraqitet para KPK-së.  

Ndihmësi ligjorë pranë Gjykatës Administrative Artor Ylli, gjatë seancës së KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Ndihmësi ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Artor Ylli, nuk mundi ta fshihte që ishte i emocionuar, ndërsa u pa të luante me pasaportën apo lëvizte këmbët në mënyrë të pakontrolluar, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ylli ishte i pari student magjistrature që u përball me procesin e vetingut që ka shkarkuar tashmë një sërë gjykatësisht në karrierë.

Seanca dëgjimore për Yllin, ndihmës ligjor pranë Gjykatës Administrative, i cili njëkohësisht ndjek edhe Shkollën e Magjistraturës për gjyqtar u zhvillua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit paraditen e të mërkurës.

Treshja që shqyrtoi rastin e Yllit u kryesua nga Etleda Çiftja, relator Roland Ilia dhe anëtare Brunilda Bekteshi ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Theo Jacobs. Relatori tha se ndërsa nuk ishin gjetur probleme sa i përket pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, hetimi kishte zbuluar probleme “etike dhe mungesë integriteti që cënon figurën e gjyqtarit”.

Artor Ylli, i cili ka nisur punë si ndihmës ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së parë Tiranë më datë 3 qershor 2015, ndërsa më parë ka punuar si avokat, kërkoi të rikonfirmohej gjë që do i hapte atij mundësinë për tu emëruar më pas gjykatës.

Në nisje të seancës, relatori Roland Ilia u shpreh se vlerësimi i subjektit është bazuar në të tre komponentët; në kriterin e pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe aspektin profesional.  Ai theksoi se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), kishte deklaruar se subjekti kishte kryer deklarim jo të saktë, por nuk ishte konstatuar fshehje e pasurisë apo deklarime të rreme. Gjithashtu, ka rezultuar se burimet financiare mbulonin të ardhurat e subjektit.

ILDKPKI ka raportuar se kishte konstatuar dy transferta të pajustifikuara valute të kryera nga subjekti për llogari të një shtetasi Kinez; në vlerën 16 mijë USD në vitin 2010 dhe 30 mijë USD në vitin 2012. Ndërkohë, gjatë hetimit administrativ KPK ka zbuluar një tjetër transfertë drejt Kinës në vlerën e 10 mijë USD-ve të kryer në vitin 2010.

I pyetur nga KPK lidhur me këto transferta, subjekti Artor Ylli i ka shpjeguar komisionit se transfertat e valutës i kishte kryer për llogari të shtetasit N.M., në zyrën e të cilit kishte kryer stazhin si avokat. Ky pretendim i subjektit të rivlerësimit është mbështetur edhe nga deklarata e N.M., i cili ka shpjeguar se paratë e transferuara drejt Kinës kishin qenë të tijat dhe se i kishte dërguar për shlyerje detyrimi të mallrave që kishte blerë atje.

N.M. ka deklaruar se me këto transferta janë kryer pagesat e blerjes së sasive të mallrave të ndryshme në Kinë për llogari të biznesit të familjes së tij në Shqipëri. Nga verifikimi i kryer së fundmi, komisioni ka konstatuar se llogaria rrjedhëse prej nga janë kryer trasnfertat e valutës drejt shtetit të Kinës, aktualisht nuk është aktive.

Ndërkohë, KPK ka konstatuar se subjekti Ylli kishte pasur detyrime të pashlyera ndaj Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë në vlerën 190 mijë lekë dhe kundrejt njësisë administrative Kashar në shumën 144 mijë lekë, të cilat ishin akumuluar kur ai punonte si avokat. Gjatë seancës, subjekti ka dorëzuar pranë komisionit mandat pagesën për shlyerjen e detyrimeve kundrejt njësisë Administrative Kashar, ndërkohë që ka dhënë shpjegime më parë se për detyrimet ndaj Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë nuk e kishte mundësinë për t’i shlyer aktualisht.

Pasuria totale e deklaruar nga subjekti ka rezultuar rreth 20 mijë dollarë, ku burimi kryesor ishte paga në vlerën e 1.9 milion lekëve. Ylli rezulton se jeton në shtëpinë e prindërve të tij në Kashar të Tiranës.

Komisioni e ka cilësuar subjektin si bashkëpunues gjatë procesit të hetimit administrativ, si në dhënien e shpjegimeve ashtu edhe në dorëzimin e provave. Por në përfundim të vlerësimit të kriterit të pasurisë, sipas komisionit, subjekti paraqet mungesë etike dhe integriteti që cënon figurën e gjyqtarit.

Lidhur me kriterin e pastërtisë së figurës, relatori Ilia është shprehur se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar(DSIK), ka konstatuar përshtatshmërinë e subjektit Artor Ylli për vazhdimin e detyrës.

Ndërkohë, në raportin e KLD për aftësitë profesionale konstatohet se janë vlerësuar pesë dosje për të cilat subjekti ka punuar. Gjatë periudhës që subjekti rivlerësimit ka punuar pranë Gjykatës Adminitrative të Shkallës së Parë Tiranë nuk rezulton që ndaj tij të jenë marrë masa disiplinore.

Ndërkohë, Shkolla e Magjistraturës i ka përcjellë komisionit rezultatet e testimeve profesionale, ku në të parin subjekti ka arritur të sigurojë 60 pikë nga 100 të mundshme, ndërsa në të dytin 134 pikë nga 200.

Sipas raportit të Shkollës së Magjistraturës, subjekti ka arritur të sigurojë 60% të pikëve në testime dhe ka të drejtë të ndjekë shkollën. Sipas komisionit, subjekti Ylli ka cilësi dhe eficencë të pranueshme dhe se nuk janë konstatuar konflikte interesi.

Vetë subjekti pohoi ara trupës gjykuese se u përmbahet deklarimeve të dhëna më parë. Pyetjes së anëtares së trupës gjykuese, Brunilda Bekteshi, se cila ishin rregullat themelore të magjistratit, subjekti ju përgjigj se ishin “pavarësisa dhe mosndikimi i jashtëm”.

Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs, u shpreh se nuk kishte pyetje, por i shpjegoi subjektit se jo çdo sjellje ligjore është etike dhe anasjelltas dhe se një gjyqtari do t’i duhet t’i ketë parasysh të dyja. Në përfundim, subjekti i rivlerësimit, Artor Ylli u shpreh se do ta mbante mend gjithë jetën këshillën e vëzhguesit ndërkombëtar dhe se kërkonte konfirmimin e tij në detyrë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *