Gjyqtari Taulant Tafa pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Seanca dëgjimore e gjyqtarit Taulant Tafa shtyhet me kërkesë të tij

Seanca dëgjimore lidhur me procesin e vetingut të gjyqtarit të Gjykatës së Elbasanit, Taulant Tafa dështoi të zhvillohej të martën më 11 prill 2023, për shkak të një kërkese të tij për t’iu dhënë kohë përfaqësuesit ligjor që kishte zgjedhur, që të njihej me rezultatet e hetimit administrativ të kryer prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK.

Kur kryesuesi i trupës së KPK, Olsi Komici po paraqiste procedurën e seancës dëgjimore, gjyqtari Tafa mori fjalën dhe paraqiti kërkesë paraprake për shtyrje. Tafa shpjegoi se një ditë më parë, më datë 10 prill, i kishte dhënë prokurorë të posaçme për përfaqësimin e tij gjatë seancës dëgjimore avokatit Rezart Kthupi. Ai sqaroi se avokati Kthupi të martën ishte i angazhuar në përfaqësimin e një çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe se mungesa e tij ishte e arsyeshme. Sipas Tafës, seanca për çështjen në Gjykatën Kushtetuese kishte qenë e paracaktuar.

Subjekti kërkoi që seanca të shtyhet për një afat të arsyeshëm, që t’i jepet mundësia avokatit të zgjedhur prej tij të njihet me aktet e hetimit administrativ. Pasi trupa e KPK u tërhoq, kryesuesi Olsi Komici sqaroi se, pas verifikimit të dokumenteve të dorëzuara nga Tafa, ishte pranuar kërkesa e tij dhe seanca u shty për më datë 19 prill, në orën 13:00. Komici i kërkoi subjektit që të vendosë në dispozicion të avokatit sa më shpejtë aktet e çështjes, me qëllim që të përgatisë mbrojtjen dhe të mos ketë arsye për shtyrje të panevojshme të seancës.

Dy anëtaret e tjera të trupës së Komisionit që po kryen procesin e rivlerësimit kalimtar ndaj gjyqtarit Tafa janë Xhensila Pine dhe Firdes Shuli.

Taulant Tafa e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit të Elbasanit. Në korrik 2022, Tafa u përball me një procedim disiplinor në Këshillin e Lartë Gjyqësor për vendimin e tij për uljen e dënimit me 720 ditë për Arben Grorin.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë argumentoi se vendimi kishte favorizuar të dënuarin për vrasje dhe kërkoi shkarkimin e Tafës, por KLGJ vendosi masën e pezullimit 3-mujor për subjektin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *