Drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj. Foto: BIRN
Analiza KPK Veting

Vendimi i KPK: Erjon Shehaj e përmbysi barrën e provës për pasurinë

Drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj u konfirmua në detyrë më 1 prill 2022, pasi trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u bind nga shpjegimet dhe provat e tij për barrën e provës për pasurinë dhe për konstatimet në kriterin profesional, për të cilat iu kërkuan shpjegime.

Erjon Shehaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në qershor të vitit 2012 dhe prej asaj kohe vazhdon ta ushtrojë detyrën në Prokurorinë e Rrethit Lezhë, ku prej prillit të vitit 2021 mban dhe funksionin e drejtuesit.

Procesi i tij i vetingut u krye nga trupa e kryesuar nga Alma Faksaj, me relatore Pamela Qirko dhe anëtare Brunilda Bekteshin.

Në seancën e parë dëgjimore të zhvilluar më 7 janar, prokurori Shehaj dha shpjegime dhe dorëzoi prova lidhur me mospërputhjet, pasaktësitë dhe mungesën e burimeve të ligjshme të huave të marra nga babai për blerjen e një apartamenti. Ai kërkoi që të riçelej hetimi për kriterin e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin. Po më datë 7 janar, KPK njoftoi riçeljen e hetimit për të tre kriteret.

Problemi kryesor me të cilën u përball prokurori Shehaj kishte të bënte me një hua në vlerën 30 mijë euro të marrë nga babai i tij për llogari të subjektit për pagesën e këstit të parë të një apartamenti në Tiranë që ishte porositur në vitin 2009.

Si burim krijimi të kësaj pasurie, Shehaj ka deklaruar kredi në shumën totale 4 milionë lekë dhe hua 2.5 milionë lekë të marrë nga babai i tij në vitin 2009. Po ashtu, ka deklaruar se shuma 13 mijë e 500 euro për këstin e tretë, është paguar me një hua tjetër të marrë nga babai në vitin 2013, në vlerën 14 mijë euro. Për të dyja këto hua subjekti ka depozituar deklarata noteriale të viteve kur janë marrë.

Kësti i parë në vlerën 30 mijë euro ka rezultuar se është paguar në maj të vitit 2009, ndërsa kredia është marrë më 6 tetor të atij viti. Nga hetimi është konstatuar se kredia është tërhequr pjesë -pjesë në tetor në shumën 2.2 milionë lekë dhe 400 mijë lekë, në nëntor 100 mijë lekë dhe më 31 dhjetor 1 milion e 247 mijë lekë.

Nisur nga fakti se kredia ka rezultuar të jetë disbursuar disa muaj pas pagesës së këstit të parë, KPK i ka kërkuar shpjegime subjektit. Shehaj ka sqaruar se në vitin 2009 ka shfaqur interes për blerjen e një apartamenti në Tiranë dhe pasi ka marrë kontaktet me shoqërinë e ndërtimit, është rënë dakord për porositjen e apartamentit, duke bërë në të njëjtën kohë edhe planin për përballimin e blerjes.

Sipas subjektit, për të formalizuar marrëdhënien e shitblerjes, shoqëria ka kërkuar pagesën e një kësti në shumën 30 mijë euro. Ai ka deklaruar se i është ofruar ndihmë nga i afërmi i tij, djali i xhaxhait të nënës, për ta ndihmuar nëpërmjet një huaje të përkohshme në shumën 30 mijë euro, që e jepte në cilësinë e administratorit dhe ortakut mazhoritar të shoqërisë ku ai ishte aksioner.

Edhe në këtë rast, prokurori Shehaj ka dorëzuar në Komision deklaratë noteriale të muajit prill 2009, ku pasqyrohet shuma e dhënë hua nga i afërmi kundrejt babait të subjektit, si dhe qëllimi i huasë, ashtu si ka shpjeguar prokurori Shehaj gjatë hetimit administrativ.

Subjekti ka theksuar se i ka deklaruar pasurinë dhe detyrimet në mbyllje të vitit 2009, kredinë në shumën 4 milionë lekë dhe huanë nga babai 2.5 milionë lekë dhënë nga babai i tij. Ai ka pretenduar se nuk ka pasur detyrim për të deklaruar huanë e marrë nga babai prej shoqërisë ku ishte aksioner kushëriri i nënës, pasi ka qenë një marrëdhënie e përkohshme detyrimi, që ishte krijuar për disa muaj dhe ishte mbyllur brenda vitit 2009.

Në vendim sqarohet se pas këtyre shpjegimeve dhe provave të depozituara nga prokurori Shehaj, është vendosur riçelja e hetimit për pasurinë që pasoi edhe me çeljen e hetimit për dy kriteret e tjerë, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit dhe në fund me konfirmimin e tij në detyrë. Trupi gjykues shprehet se riçelja u krye edhe për të hetuar mbi vërtetësinë e huasë 30 mijë euro të deklaruar nga subjekti gjatë hetimit administrativ.

Në vendim thuhet se KPK i ka kërkuar informacion noterit publik në lidhje me regjistrimin e deklaratës noteriale të datës 30 prill 2009, të lëshuar nga shoqëria që ka dhënë huanë. Komisioni ka administruar dhe statutin e shoqërisë, për të verifikuar kompetencat e administratorit në lidhje me të tretët.

Nga aktet e paraqitura nga subjekti është konstatuar se nuk ka pasur autorizim nga asambleja e ortakëve në lidhje me këtë huadhënie. Ndërkohë, referuar ekstraktit të shoqërisë, ka rezultuar se në katër muajt e parë të vitit 2009, nga llogaria e shoqërisë në fjalë janë tërhequr cash 12.5 milionë lekë, vlerë që sipas KPK-së është sa trefishi i huasë 30 mijë euro.

Shehaj ka këmbëngulur se shoqëria ka pasur mundësi për dhënien e kësaj huaje. Lidhur me mungesën e autorizimit ndërmjet ortakëve për dhënien e huasë, subjekti ka deklaruar se ekzistenca ose jo e një autorizimi përbën një praktikë pune që lidhet me menaxhimin e brendshëm të shoqërisë.

Bazuar në këto shpjegime, dokumente të dorëzuara nga subjekti, si dhe nga verifikimet e kryera, Komisioni konkludon se është arritur të provohet e kundërta e barrës së provës për pagesën e këstit të parë në shumën 30 mijë euro.

“Huaja e dhënë nga shoqëria e mësipërme vërtetohet me deklaratën noteriale të kohës, e cila i jep vlerë provuese pretendimit të subjektit në lidhje me burimin e pagesës së këstit të parë për blerjen e apartamentit. Subjekti gjithashtu arriti të provonte me dokumentacion ligjor provues burimin e krijimit të shumës së dhënë nga shoqëria…,” argumenton KPK dhe shton se huaja rezulton të jetë kthyer brenda vitit 2009, bazuar kjo në një deklaratë noteriale të janarit të vitit 2022 të lëshuar nga shoqëria.

Po ashtu, Komisioni konkludon se nga analiza e shpjegimeve të subjektit në raport me faktet dhe dokumentacionin e administruar, është krijuar bindja se huaja 30 mijë euro është shlyer me huanë 2.5 milionë lekë që prokurori Shehaj ka marrë nga babai në shtator të 2009-ës, si dhe me pjesën e mbetur të kredisë, pas shlyerjes së këstit të dytë. Trupa e KPK-së vëren se vlera e kredisë është tërhequr e gjitha brenda vitit 2009.

“Të gjitha veprimet e konstatuara përgjatë vitit 2009 kanë qenë koherente dhe i krijojnë trupit gjykues bindjen se huaja prej 30,000 eurosh i është shlyer/kthyer shoqërisë “****” sh.p.k., brenda datës 31.12.2009, pra brenda periudhës së vitit financiar, me qëllim që shoqëria të mbyllte bilancin vjetor të vitit 2009”, citohet në vendim.

Në vijim trupi gjykues vlerëson se subjekti me të drejtë nuk e ka deklaruar këtë hua si detyrim në deklaratën e pasurisë së vitit 2009, duke sjellë si argument bindjen se shuma shumën 30 mijë euro është marrë dhe kthyer brenda vitit.

“Trupi gjykues vlerëson gjithashtu se me të drejtë subjekti ka deklaruar në deklaratën periodike të vitit 2009 si detyrim të këtij viti huanë e marrë nga babai i tij në shumën 2,500,000 lekë, për sa kjo hua rezultoi e marrë në këtë vit dhe e pashlyer, duke deklaruar gjendjen e këtij detyrimi për këtë vit dhe në deklaratat periodike vijuese shumën e mbetur të detyrimit”, arsyeton Komisioni dhe konkludon se Shehaj arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës për këtë gjetje.

Komisioni është bindur dhe për mundësinë babait të subjektit për dhënien e huasë në shumën 2.5 milionë lekë në vitin 2009. Si burim krijimi të kësaj vlere, Shehaj ka deklaruar gjatë hetimit se kanë qenë kursimet e prindërve dhe një hua që babai ka marrë po në vitin 2009 në shumën 1.5 milionë lekë nga një i afërm.

Prokurori Erjon Shehaj ka dorëzuar si prova deklarata noteriale të vitit 2009, ku pasqyrohen veprimet e deklaruara, një për huanë në favor të tij të nënshkruar nga babai dhe tjetra për llogari të këtij të fundit, e nënshkruar nga i afërmi S.N..

“Nga analizimi i veprimeve të kryera në lidhje me marrjen e huasë të babait të subjektit nga z. S. N., për t’ia dhënë në vijim subjektit të rivlerësimit për krijimin e shumës prej 2,500,000 lekësh, krijohet bindja se ato janë të ndërlidhura në kohë me njëra-tjetrën. Gjithashtu, provohet me deklaratë të kohës se huaja e dhënë subjektit të rivlerësimit në shumën prej 2,500,000 lekësh ka pasur burim krijimi të ardhurat e marra hua nga z. S. N. në shumën prej 1,500,000 lekësh, si dhe kursimet e z. N. Sh..,” vëren Komisioni dhe konkludon se shtetasi S.N. dhe babai i subjektit kanë pasur mundësi për dhënien e huave.

KPK vlerëson se për këstin e dytë sipas kontratës së porosisë në shumën 15 mijë e 600 euro ka shërbyer një pjesë e kredisë. Për likuidimin e këstit të tretë në shumën 13 mijë e 500 euro, subjekti ka deklaruar një hua në vlerën  14 mijë euro të marrë nga babai. Dhe në këtë rast Shehaj ka dorëzuar si provë një deklaratë noteriale të vitit 2013, të nënshkruar nga i ati.

KPK nuk ka gjetur probleme për mosdeklarimin e deklaratës noteriale të huamarrjes së vitit 2013, duke i vlerësuar bindëse shpjegimet e subjektit se ai nuk e ka poseduar në atë vit këtë shumë, pasi ka vlerësuar që ta mbante babai deri në momentin e pagesës. Komisioni është bazuar edhe në faktin se Shehaj e ka deklaruar huanë në seksionin e detyrimeve financiare në vitin 2013. Po ashtu, ka rezultuar se prindërit kanë pasur mundësi për krijimin e vlerës 14 mijë euro.

Subjekti ka arritur të bindë trupën e KPK-së edhe për mundësinë financiare për blerjen e një automjeti në vitin 2016 kundrejt çmimit 300 mijë lekë. Megjithëse ka rezultuar fillimisht balancë negative në shumën 359 mijë lekë për shkak të pasaktësive në deklarimin e likujditeteve në banesë, KPK është bindur se Shehaj i ka deklaruar ato si gjendje të disponuara në fund të vitit. Pasaktësitë nuk janë vlerësuar penalizuese.

Komisioni ka gjetur bindëse shpjegimet për gjendjet cash dhe balancat negative në disa vite të konstatuara në analizën paraprake, në vlerën totale rreth 4.2 milionë lekë. Sipas analizës financiare përfundimtare, balanca negative është reduktuar në një vlerë të papërfillshme vetëm në një vit.

KPK nuk ka gjetur probleme për pastërtinë e figurës dhe për profesionalizmin.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *