Gjyqtari Kastriot Gramshi | Foto: BIRN/ Edmond Hoxhaj
KP Lajme Veting

Komisioneri Publik ankimon konfirmimin e gjyqtarit Kastriot Gramshi

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të martën më 24 maj vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës, Kastriot Gramshi duke kërkuar shkarkimin e tij, me pretendimin se nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë. Ankimi i komisionerit bazohet në gjetjet e rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM.

Duke iu referuar rekomandimit të ONM-së, Komisioneri konstaton se subjekti nuk ka deklaruar saktë një kredi për blerjen e një apartamenti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këstin e dytë për shlyerjen e çmimit të kësaj pasurie.

Kastriot Gramshi e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 1999 në Shkodër dhe në vitin 2004 është larguar nga detyra me kërkesën e tij. Përpara se të kthehej në Shqipëri dhe të riniste karrierën si gjyqtar në vitin 2014, ai ka punuar si pedagog i së drejtës penale në SHBA. Gramshi punon prej 7 vitesh pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Gramshi u konfirmua në detyrë më 25 mars nga trupa e KPK e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Firdes Shuli dhe anëtare Suela Zhegu.

Në deklaratën përpara fillimit të detyrës në vitin 2014, Gramshi ka deklaruar blerjen e një apartamenti në vlerën 290 mijë USD, pasuri për të cilën ka shpjeguar fillimisht se ka parapaguar shumën 29 mijë USD dhe se ka marrë kredi vlerën 261 mijë USD. Në deklaratën “veting” ai e ka deklaruar kredinë si burim, por pa e përcaktuar vlerën.

Gjatë dy pyetësorëve ka deklaruar se ka marrë kredi në shumën 261 mijë USD, ndërsa në pyetësorin e tretë ka deklaruar se kësti i parë në shumën 29 mijë USD është paguar prej tij dhe të vëllait, ndërsa kredia bankare ka qenë në shumën 217 mijë USD. Për të finalizuar kontratën e shitjes është nevojitur që diferenca e mbetur të mbulohej nga blerësit.

Ballhysa vëren se rrethanat e pasqyruara në deklaratën para fillimit të detyrës, ato në deklaratën “veting” dhe përgjigjet gjatë hetimit administrativ në Komision deri në pyetësorin e tretë, janë jo të plota mbi burimin e krijimit të pasurisë. “Komisioneri Publik vlerëson se mospërputhjet e mësipërme në deklarimet e subjektit lidhur me vlerën e kredisë dhe, si rrjedhojë, pagesën e këstit të dytë, çojnë në deklarim të pasaktë,” citohet në ankim.

Në analizën e burimeve të krijimit të pagesave të këstit të parë në vlerën 28 mijë USD dhe të këstit të dytë në vlerën 46 mijë e 638 USD, Komisioni u kundërshtua nga ONM dhe për konkluzionin se subjekti ka qenë në pamundësi objektive të sigurojë dokumente për të vërtetuar të ardhurat e ligjshme për vitet 2003 dhe 2004 – me argumentin e pretenduar prej Gramshit se ato ruhen prej institucioneve shtetërore në SHBA për një periudhë 10-vjeçare.

Duke iu referuar rekomandimit të ONM-së, komisioneri konstaton se në momentin e plotësimit të deklaratës së parë përpara fillimit të detyrës në vitin 2014, gjyqtari Gramshi e kishte pasur mundësinë të siguronte dokumentacionin që ofronte sistemi “IRS”, së paku për vitin 2004. “Ndaj dhe pamundësia objektive, sipas kuptimit të nenit 32, pika 2 e ligjit 84/2016, nuk gjendet e justifikuar”, vlerëson Ballhysa dhe shprehet se nëse analiza financiare do të kryhet që prej vitit 2003, atëherë do të ndryshonte mundësia e kursimit. Bazuar në këto konstatime, komisioneri vlerëson se Gramshi gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm.

Sipas Ballhysës, analiza financiare duhet të kryhet prej vitit 2003 edhe për depozitat bankare që subjekti ka zotëruar në vitin 2014, për të verifikuar ligjshmërinë e krijimit të tyre. Komisioneri  shprehet se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e barrës së provës në Komision dhe se pamjaftueshmëria e akumuluar deri në vitin 2014, kur ai ka filluar detyrën, është në vlerën rreth 25 mijë USD. Në ankim thuhet se kjo pamjaftueshmëri do të ndikonte në rezultatin financiar të vitit 2015, kur është shlyer pjesërisht kredia për shkollimin e bashkëshortes së subjektit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *