Prokurori Olsian Çela pas vendimit të konfirmimit në detyrë nga vetingu. Foto: LSA
KPK Lajme Në Fokus

Kandidati për kryeprokuror Olsian Çela përballet me vetingun

Olsian Çela, njëherazi rivali kryesor i Arta Markut në garën për Prokuror të Përgjithshëm. u përball me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Çela u hetua në të tre kriteret, ndërsa iu bënë pyetje kryesisht mbi hetimin e një çështje të vitit 2006.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, duke hyrë në një seance të Komisionit te Pavarur te Kualifikimit, KPK, | Foto : LSA

Prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela foli para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit si kandidat për Prokuror të Përgjithshëm, duke evidentuar problemet e institucionit që garon të drejtojë. I pyetur mbi hetimet e një çështje të pushuar në vitin 2006 për të cilat kishte dyshime se nuk ishin kryer të gjitha veprimet, Çela vuri në dukje një mori problemesh të sistemit.

“Ne jemi vend i varfër, nuk i kemi mundësitë të vendosim burimet e duhura financiare dhe njerëzore për të arritur sukses në hetime”, tha Çela përmbledhtazi, ndërsa i shpjegoi KPK-së se përtej bindjes së tij të brendshme, hetimet në atë rast kishin dështuar të provonin fajësinë e personave të përfshirë. Ai tha se në atë rast kishte pasur mungesë vullneti për bashkëpunim nga policia, gjë që e cilësoi si problem sistematik.

Çela po ashtu u pyet, siç thanë anëtarët e trupës “për transparencë” edhe mbi disa transaksione finaciare brenda familjes kryesisht me nënën me të cilën jetonte në vlerë 66 mijë euro, për të cilat ai shpjegoi se ishin bërë vetëm për formalizim juridik të pasurive dhe se nuk kishin qëllime fitimi.

KPK vuri po ashtu në dukje një mospërputhje në shumën prej 355 mijë lekësh dhe mungesën e dokumenteve për një shit-blerje makine në vlerë 300 mijë lekë. Çela sqaroi procedurën për shumën e parë, por tha se për makinën nuk kishte gjetur dokumente, ndërsa deklaroi se ai kishet pasur të ardhura të mjaftueshme për transaksionin edhe sikur kjo shumë të mos konsiderohej e ligjshme.

Çela ka një karrierë të gjatë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, institucion të cilin e ka drejtuar midis vitit 2008 dhe vitit 2012.

Ai u hetua nga një trupe gjykuese e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relator Olsi Komici dhe anëtare Brunilda Bekteshi. Përfaqësues ndërkombëtar ishte Ferdinando Buatier de Mongeot.

Relatimi mbi pasurinë

Prokurorit Çela iu përmendën gjatë relatimit një mori transaksionesh që ishin përmbyllur me blerjen prej tij të një njësie tregtare në vlerën prej 78 mijë eurosh. Kontribues kryesorë në këtë blerje rezultoi nga hetimi të ishte nëna e prokurorit.

KPK tha se kishte gjetur se në vitin 2011 prokurori kishte blerë, duke përdorur kursimet, tre hua në vlerë rreth 2.4 milion lekë dhe kursimet e nënës së tij në vlerë 1.8 milion lekë, një apartament 6.8 milion lekë.

Apartamenti më pas me një kontratë kalimi të drejtash i ishte “shitur” nënës së tij në shumën 66 mijë euro, para që bashkë me kursimet e disa viteve ishin përdorur për të blerë një njësi tregtare për 78 mijë euro.

KPK vuri në dukje se deklarimet e subjektit përputheshin me të dhënat e gjetura prej hetimit administrativ. Komisioni gjeti se nëna e subjektit kishte pasur burime të ligjshme, por Çela u pyet në këtë pikë mbi arsyet e këtij transaksioni brenda familjes, pasi siç rezultoi ai jetonte me nënën e tij.

Prokurori tha se në të vërtet nuk bëhej fjalë për një akt të mirëfilltë shit-blerje mes tij dhe nënës së tij për qëllime fitimi pasi ata bashkëmenaxhonin të ardhurat, por një mënyrë juridike e formalizimit të një kalimi pronësie.

Ai vuri në dukje se kishte qenë interesi i tij të investonte në blerjen e njësisë tregtare, ndërsa nëna kishte kërkuar të kishte banesën. Ai shpjegoi se kalimi i pronësisë dhe çmimi që i ishte vënë kësaj ishte vetëm mënyra si ishte vendosur të formalizohej menaxhimi i të ardhurave brenda familjes. Ndërsa shpjegoi se vijonte të jetonte më nenën dhe se paratë i menaxhonin bashkë. KPK vuri në dukje se nuk kishte në këtë rast probleme.

Megjithatë Çelës i ishin kërkuar shpjegime për tre huatë nga të afërm në shumë prej 900 mijë lekë, 800 mijë lek dhe 700 mijë lekësh të marra në vitin 2011. Njëra prej huave rezultonte e shlyer. Për huatë e tjera Çela kishte sjellë deklarata noteriale nga të afërmit, tezja dhe dy kushurij dhe po ashtu edhe dokumente mbi të ardhurat e këtyre të fundit.

Komisioni tha se kishte kërkuar informacion shtesë për këto të ardhura dhe se në një rast ishte provuar ekzistenca e një testamenti që i kishte siguruar huadhënësit të ardhura të mjaftueshme për të dhënë huanë. Në dy raste të tjera huadhënësit kishin provuar pagesë tatimesh e sigurimesh shoqërore në Greqi për disa vite në shuma të mjaftueshme që mundësonin dhënien e huave.

Çela shpjegoi në seancë një pikëpyetje të KPK mbi huanë e marrë nga tezja dhe faktin që paratë që ishin trashëguar prej saj në testament nuk ishin qarkulluar nga banka. Ai tha se një pjesë e parave të trashëguara kishin qenë në cash dhe se provohej vendosja e tyre në bankë më vonë dhe se prej kësaj shume ishte dhënë huaja.

Pikëpyetje KPK ngriti edhe për një shumë prej 1 milion lekësh nga të ardhurat e nënës së Çelës. Shuma siç rezultoi pretendohej e fituar nga INSIG si dëmshpërblim për humbjen e jetës së babait të prokurorit në një aksident në vitin 1998. Çela tha se INSIG i kishte kthyer përgjigje se nuk kishte dokumentacion për atë kohë, për shkak se ligji e detyronte për ruajtje të dokumenteve jo më shumë se 5 vjet. KPK pranoi se kishte marrë të njëjtën përgjigje nga INSIG. Çela kishte vënë në dispozicion hetimin e aksidentit dhe shpjegime që Komisioni tha se do i shqyrtonte.

Të ardhurat e tjera të nënës, nga pensioni i saj dhe i bashkëshortit dhe trashëgimia u duk se u cilësuan pa probleme nga KPK, po ashtu edhe llogaritë bankare të kursimeve dhe një investim në bono thesari. KPK vuri në dukje pagimin e tatimit në burim për 2 qiradhënie nga prokurori në vitin 2017.

Si çështje u përmend edhe një transaksion me vëllain. KPK sqaroi se Çela kishte blerë një makinë me një kontratë leasing nga banka dhe pasi kishte paguar një pjesë të kontratës, pjesën tjetër të saj e kishte shlyer i vëllai i cili kishte marrë edhe të drejtën mbi makinën. KPK vuri në dukje se Çela kishte deklaruar se nuk kishte përfituar asnjë shumë pas nga vëllai dhe se makina i ishte lënë atij.

Një shitje makine 300 mijë lekë në vitin 2003 dhe blerja e një mjeti me të njëjtën shumë parash, rezultoi e padokumentuar. Çela tha para KPK se transaksioni i deklaruar në vitin 2003 kishte ndodhur, por Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor nuk kishte dokumente mbi këto veprime. Çela tha se me gjasë bëhej fjalë për një gabim njerëzor në DPSHTRR, por shtoi se ai kishte pasur të ardhura të mjaftueshme të tjera në këtë vit dhe edhe nëse shuma prej 300 mijë lekë nuk konsiderohej e ligjshme ai kishte burime të tjera për blerjen e makinës.

Çela sqaroi edhe mospërputhjen për një shumë prej 355 mijë lekësh që rezultonte nga verifikimet e KPK. Ai shpjegoi se përshkak se në një transaksion i ishin dashur paratë brenda ditës prej shitësit dhe atë shumë nuk mund ta tërhiqte nga banka atë ditë, kishte marrë nga gjendja cash e nënës së tij.

Çela shpjegoi se shumë më pas ishte tërhequr pjesë pjesë nga banka ku ai e kishte pasur gjendje në ditët në vijim, për të mbuluar shpenzimin e kryer.

Pyetje përgjigje për dosjen e 2006

KPK në relacion nuk vuri në dukje probleme të figurës dhe as të profesionalizmit. Pesë denoncime u konsideruan pa prova dhe indicie, ndërsa nga dosjet e shqyrtuara me short nuk u gjetën probleme.

Atij megjithatë iu vu në dukje nisja e një procedimi disiplinor nga Prokuoria e Përgjithshme. Procedimi i cili quhej i mbyllur nuk kishte dalë me rezultat, pasi siç u tha në KPK kompetenca për të kryer këto procedime i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, organ i cili nuk është ngritur ende.

BIRN kuptoi se procedimi kishte të bënte me debatin e brendshëm në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për përfaqësimin e çështjes ndaj Emiljano Shullazit dhe të tjerëve. Atëherë një grup prokurorësh përfshi Çelën kundërshtuan veprimet e drejtueses së kësaj Prokurorie Donika Prela dhe më pas edhe ato të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku. Në një nga vendimmarrjet e tij të para Këshilli i Lartë i Prokurorisë rrëzoi me 6 vota, masat e marra nga Marku përfshi transferimin e Çelës në prokurorinë e Beratit.

Komisioni tha se kishte hetuar për një çështje të vitit 2006, për të cilën ishte hetuar edhe një prokuror tjetër.

KPK vuri në dukje po ashtu se ishte krijuar dyshimi se në çështjen për një grup të dyshuar për dhënie ndihme kalimi të paligjshëm të kufirit nuk ishin kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore. “Duket se hetimet nuk kanë qenë të plota”, tha relatori Komici gjatë prezantimit të relacionit.

Nga relatimi u bë me dije se hetimet ishin pushuar nga Krimet e Rënda dhe më pas ishte shpallur moskopetencë dhe i kishin kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës. Komici tha se Çela kishte dhënë shpjegime duke e lidhur situatën me hetimet proaktive dhe me faktin se policia në këtë rast nuk kishte qenë bashkëpunuese dhe nuk kishte ndihmuar hetimin.

Anëtarja e KPK Brunilda Bekteshi kërkoi nga Çela shpjegime të detajuara për vendimmarrjen mbi këtë çështje përtej shpjegimeve mbi hetimet proaktive që ishin dhënë me shkrim për KPK. Çela dha detaje mbi procedurën e ndjekur në këtë rast, duke këmbëngulur se një pjesë e mirë e punës në këtë hetim duhej të kryhej nga policia që sipas tij nuk ishte angazhuar.

Çela këmbënguli ndër të tjera se me dëshminë nga përgjimet dhe të dhënat që kishin pasur pushimi kishte qenë e vetmja mundësi.

Kryesuesi i seancës Lulzim Hamitaj këmbënguli pas kësaj me një sërë pyetjesh po mbi këtë çështje. Pas një përgjigje të Çelës se vendimmarrja e prokurorit për të bërë apo jo një veprim hetimor kishte brenda subjektivitet, Hamitaj kërkoi të dinte se si ishte ndjerë ai si prokuror pas dështimit të hetimit.

Çela u përgjigj se në këtë rast kishte vlerë logjika e ligjit dhe jo bindja e tij personale. Këmbënguljes së Hamitaj se pse nuk ishin kryer veprime të tjera hetimore Çela iu përgjigj se ato nuk kishin qenë të mundura.

Hamitaj shtroi se problem mos marrjen në pyetje të të dyshuarit, pasi ndaj tij ishin bërë kontrolle që kishin zbuluar prova të tjera rrethanore mbi përfshirjen në aktivitet. Prokurori bëri me dije se kishte pasur dyshime për përfshirjen ne aktivitetin kriminal, por kjo nuk ishte mundur të provohej dhe se përpos përgjimeve nuk kishte prova të tjera.

Ai shpjegoi se nga kontrolli ishin gjetur të dhëna për veprimtari të dyshuar të paligjshme në vitet 2001 dhe 2002, por Çela tha se emrat dhe shënimet nuk mund të verifikoheshin pasi nuk kishte informacion të detajuar për kalimin e kufirit dhe se në këtë kohë nuk kishte pasur sistem TIMS për të bërë verifikimet.

I pyetur për mundësinë e sabotimit nga policia, që kishte braktisur në një moment përgjimet kur dukej se mund të provohej aktiviteti, Çela nuk u përgjigj drejtpërdrejt. Ai shpjegoi se kishte një mori arsyesh për të ndërprerë një përgjim ambjental, nga mundësia e zbulimit, te rrezikshmëria dhe disa arsye të tjera. Ai tha se vendimin për këtë e kishte marrë drejtuesi i forcës speciale dhe se nuk ishte bërë me dije se pse ishte marrë ky vendim.

Këmbënguljes nëse ishte kërkuar hetim në këtë rast, Çela i tha se vendimmarrja për këto raste ishte e policisë dhe hetimi ishte administrativ. Çela vuri në dukje se dështimi i hetimeve për shkak të mungesës së bashkëpunimit me policinë dhe për shkak të mungesës së burimeve njerëzore ishte një problem kronik. Ai tha se një pjesë e mirë e hetimeve proaktive dështonin për shkak të këtyre arsyeve dhe faktit se nuk mund të mbështeteshin financiarisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *