KPA mbyll shqyrtimin për gjyqtaren Nertina Kosova

KPA mbyll shqyrtimin për gjyqtaren Nertina Kosova

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA pasi u njoh me qëndrimet e Komisionerit Publik Florian Ballhysa dhe gjyqtares Nertina Kosova lidhur me analizën financiare paraprake me të cilën i njohur në seancën e 12 korrikut, vendosi të premten të mbyllë shqyrtimin gjyqësor dhe t’u kërkojë palëve përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Kryetarja e Kolegjit te Posacem te Apelimit, KPA, Natasha Mulaj dhe anetaret, Ardian Hajdari, Sokol Como, Rezarta Schuetz, Luan Daci, gjate nje seance te Kolegjit te Posacem te Apelimit (KPA), i cili degjoi ankimin e Komisionerit Publik kunder vendimit te KPK, per konfirmimin ne detyre te gjyqtares, Nertina Kosova.

Para se të vendoste mbylljen e shqyrtimit gjyqësor, Kolegji administroi dy prova të reja të dorëzuara nga gjyqtarja Kosova, e cila shfaqi dakortësi me një prej tre varianteve të analizës. Ndërkohë, Komisioneri Ballhysa ishte dakort me dy prej varianteve të analizës financiare të hartuar nga KPA.

Kosova është anëtare e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda prej korrikut 2014. Më parë, ajo ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda si dhe një kohë të shkurtër në Gjykatën e Elbasanit. Ajo po ashtu ka qenë pedagoge në Universitetin e Elbasanit.

Në çelje të seancës, kryesuesi i trupës gjykuese të Kolegjit, Sokol Çomo kërkoi që palët të shfaqnin qëndrimet e tyre lidhur me analizën financiare paraprake. Komisioneri tha se analiza financiare e KPA ishte fokusuar në të ardhurat e familjes së gjyqtares Kosova të përbërë nga 4 anëtarë për periudhën gusht 1995 – 4 shtator 2006. Ndërkohë, ai shpjegoi se për gjithë periudhën janë analizuar të ardhurat, gjendjet familjare në depozita, shpenzimet për blerje automjeti, pagesë kësti, qira e udhëtime jashtë shtetit. Ballhysa shprehu dakordësinë e tij me konkluzionet e analizës financiare.  Ai sqaroi se në këtë analizë kishte tre variante lidhur me shpenzimet e jetesës. Në të parin, deri në vitin 2003, shpenzimet e jetesës përllogariteshin si 66% e totalit të të ardhurave, ndërsa më pas ëhstë kryer llogaritja nga KPA. Në variantin e dytë përllogaritja është kryer sipas ILDKPKI dhe INSTAT, ndërsa në të tretin shpenzimet janë vlerësuar në masën 66% të të ardhurave deri në vitin 2002, ndërsa për periudhën e mëvonshme analiza është bazuar në të dhënat e INSTAT lidhur me nevojën për konsum sipas qarqeve. Sipas Ballhysës, për vitet kur INSTAT nuk ka publikuar të dhëna, përllogaritja është bërë nga viti paraardhës duke përfshirë edhe inflacionin.

“Çmojmë të nevojshme se me shqyrtimin e akteve vlerësimi ynë është kryer bazuar në analizën financiare të KPA si në variantin e parë, ashtu edhe në të dytin. Varianti i parë dhe i dytë janë të mjaftueshëm për të dalë në konkluzione”, përfundoi Ballhysa.

Në fjalën e saj, gjyqtarja Nertina Kosova solli në vëmendje se në seancën e mëparshme Komisioneri Publik kishte vlerësuar lidhur me transfertën e vëllait të saj të datës 6 prill 2005. “Komisioneri Publik e ka pranuar se transferta që është kryer në këtë datë i përket shoqërisë “Alex – Profil” sh.p.k. dhe nuk lidhet e nuk ka dalë nga të ardhurat e familjes”, pohoi Kosova e cila shtoi se provat që kishte paraqitur vërtetonin se familja e saj nuk kishte kryer një shpenzim të tillë. Kosova pohoi më tej se shumës 1.5 milionë lekë paguar shoqërisë “Megi Construction” sh.p.k., i ishin kthyer me prishjen e kontratës së sipërmarrjes.“

Jam dakord me elementët e analizës financiare që përshkruajnë të ardhurat e mija dhe të anëtarëve të familjes sime të origjinës, shpenzimet e kryera për të blerë pasurinë e paluajtshme e të luajtshme si dhe shpenzimet për principal dhe interesa kredie. Elementët e kësaj analize për të cilët kam prapësime janë shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet për konsum familjar”, pohoi gjyqtarja Kosova para trupës së KPA.

Ajo shpjegoi më tej se shpenzimet për konsum familjar kanë qenë minimale dhe se prindërit ishin përpjekur maksimalisht të realizonin kursime, me qëllim që të ardhurat e saj të prekeshin sa më pak.

“Edhe ILDKPKI , por edhe KPK shpenzimet e mija të jetesës i kanë përllogaritur minimale, 2.2 milionë lekë për periudhën 2003-2016, ndërkohë që të ardhurat për të njëjtën periudhë kanë qenë 17.275.463 lekë. Pra ILDKPKI i ka përllogaritur shpenzimet e jetesës në raportin 12% të të ardhurave të mia”, pohoi gjyqtarja Kosova.

Gjyqtarja e Apelit të krimeve të Rënda tha se varianti i dytë i analizës financiare, ku përllogaritjet janë kryer sipas ILDKPKI dhe INSTAT, përputhet me realietin e fakteve të jetesës së familjes së saj.

Ajo tha se shpenzimet për konsum familjar të përllogaritura në variantin 1, janë bazuar në një vlerë prej 9 milionë lekë për periudhën janar 2003 e në vazhdim, për një familje me 4 persona. “Në këtë variant citohet Komisioni, por dua të sjell në vëmendje se analiza financiare e KPK ka qenë  e përqëndruar vetëm në vitin 2006 dhe është kryer duke më konsideruar mua si subjekt, pa anëtarët e familjes sime”, tha Kosova e cila sqaroi se nuk kuptonte dot pse përdoret si bazë për përllogaritje vlera 9 milionë lekë, kur gjatë procesit të rivlerësimit në KPK asnjëherë ishte bërë e ditur një gjë e tillë.

Kosova shtoi se në variantin e tretë, ku përllogaritjet për konsum familjar janë kryer sipas INSTAT, shpenzimet e familjes për gjithë periudhën që merret në analizë, janë përllogaritur në total 6.028.030 lekë. Ajo tha se, nëse do të përllogariteshin shpenzimet e familjarëve të saj, pa e përfshirë atë, do të përftohej një vlerë më e madhe se të ardhurat e tyre.

“Kjo do të thotë se me të ardhurat nga pagat dhe nga pensioni, familjarët e mi nuk do të mund të përballonin jetesën, gjë që është e pamundur, sepse në përcaktimin e vlerës së pagave dhe pensioneve shteti ka mbajtur në konsideratë nivelin e çmimeve, normës së konsumit, inflancionin, etj., që do të thotë se masa e pagës ose e pensionit përcaktohet me qëllim mundësimin e jetesës për këta individë. Pra në kushtet e familjes sime, nuk mund të pranoj dhe nuk ka kuptim që familjarët e mi nuk mund të përballonin shpenzimet e jetesës me pagat e tyre”.

Lidhur me udhëtimet, Kosova e shpreh se nuk ishte njohur në KPK me të dhënat e sistemit TIMS ku ishte bazuar analiza për këto shpenzime. Ajo paraqiti një deklaratë noteriale të R.V.Edge të datës 30 prill 2019, të legalizuar me vulë apostile, sipas të cilës ka qenë e ftuar në Britaninë e Madhe gjatë dy periudha kohore të datës 24 dhjetor 2004 – 3 janar 2005 dhe 24 dhjetor 2006 – 3 janar 2007 dhe se shpenzimet e qëndrimit kanë qenë të mbuluara përfshirë biletën në rastin e parë. Kosova dorëzoi dokumente edhe lidhur me një udhëtim të vitit 2005 në Kroaci, si pjesëmarrëse në një aktivitet të Bashkimit Evropian. Ajo i kërkoi Kolegjit të administronte si prova dokumentacionin e dorëzuar.

“Shpresoj që gjithë sa shpjegova, do të krijojnë bindjen tek Komisioneri Publik dhe tek trupi gjykues se familja ime kishte burime financiare të ligjshme për të justifikuar shumën prej një milion lekë për të më mundësuar mua pagesën e këstit të vetëm për blerjen e apartamentit”, pohoi Kosova.

Relatorja Mulaj e pyeti Komisionerin Publik nëse ishte dakord me metodologjinë dhe variantet e analizës financiare. Komisioneri u shpreh se ishte dakord me dy variantet e para. Ballhysa shprehu dakortësi edhe për njohjen e administrimin e provave të paraqitura nga gjyqtarja Kosova në seancën e të premtes.

Kryesuesi i seancës, Sokol Çomo sqaroi se vendosja e shifrës 9 milionë lekë për periudhën 2003-2016 është përdorur edhe në raste të tjera për shpenzimet e familjeve me katër persona dhe se ishte standarte. Ndërkohë, ai shtoi se udhëtimi në Britani në vitin 2006 nuk është marrë parasysh dhe del tej analizës.

Pasi trupa e gjykuese e Kolegjit u tërhoq për pak minuta, vendosi të pranojë provat e reja dhe të mbylli shqyrtimin gjyqësor. Kolegji shtyu seancën kur Komisioneri Publik do të shpallë konkluzionet për më datë 22 korrik, ora 08:00.

Kosova, e cila kaloi me sukses shkallën e parë të vetingut më 18 korrik 2018, pasi KPK e vlerësoi pozitivisht në të tre kriteret, u përball më pas me një ankim të Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili pretendon se hetimi i KPK në kriterin e pasurisë nuk ishte i plotë. Kosova po gjykohet nga një trupë e kryesuar prej Sokol Çomos, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ardian Hajdari, Luan Daci, Rezarta Schuetz.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *