Prokurorja Elfrida Bregova në seancën dëgjimore në KPK. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Lajme Veting

Elfrida Bregova kalon shkallën e parë të vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten më 8 prill vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurores së Tiranës, Elfrida Bregova. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të mërkurën më 6 prill, Bregova u përball me pikëpyetje mbi mundësitë financiare të saj dhe të bashkëshortit po ashtu prokuror, Saimir Bahiti, në blerjen e një apartamenti 104 m2 në Tiranë.

KPK vuri në dukje se nga analiza financiare paraprake Bregova rezultonte me fonde të pamjaftueshme dhe një bilanc negativ në total prej 2.9 milionë lekësh, që siç u tha në seancë, vinin nga mosnjohja si burim i ligjshëm i një huaje 1.2 milionë lekë, mosnjohja e shpenzimit të një dhurate 10 mijë euro dhe një transfertë e dyshimtë bërë në emër të bashkëshortit prej 21 mijë eurosh.

Bregova e mohoi transfertën duke këmbëngulur se ishte falsifikuar dhe solli si provë në seancë dokumente që sipas saj vërtetonin se ditën e transferimit të fondeve në një bankë në Tiranë, bashkëshorti ishte ndodhur në gjykatën e Shkodrës.  Ajo e cilësoi pasaktësi mosdeklarimin e shpenzimit të shumë 10 mijë euro, ndërsa këmbënguli se huadhënësi i shumës 1.2 milionë lekë kishte pasur të ardhura dhe huaja duhej të njihej e ligjshme. Prokurorja Bregova e cila u vlerësua pozitivisht për profesionalizmin dhe figurën, kërkoi konfirmimin e saj në detyrë.

Trupa e KPK që kreu rivlerësimin e Bregovës kryesohet nga Alma Faskaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtar Lulzim Hamitajn.

Elfrida Bregova përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua fillimisht prokurore pranë Prokurorisë së Kavajës. Prej vitit 2010, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *