KPA dëgjon parashtrimet e palëve në çështjen për Bujar Meminë
KPA Lajme Veting

KPA dëgjon parashtrimet e palëve në çështjen për Bujar Meminë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten me parashtrimet e prokurorit të Krujës, Bujar Memia kundër vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP për shkarkimin e tij nga detyra, si dhe me parashtrimet e këtij të fundit dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD që e konsideruan hetimin dhe vendimmarrjen të bazuar në ligj e në prova. Seanca që zgjati për afro 7 orë u përmbyll me administrimin e provave të dorëzuara nga palët dhe u shty për më datë 9 maj në orën 09:00, kur pritet që pas debatit gjyqësor të paraqiten edhe konkluzionet përfundimtare. Në disa raste, prokurori Memia i kundërshtoi i tensionuar konstatimet e ILD-së dhe të KLP-së dhe Kolegji i torëhoqi vëmendjen.

Bujar Memia u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 31 mars 2021 me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me argumentin se kishte qëndruar pasiv ndaj vendimeve të gjykatës për lirimin me kusht të të dënuarve për vepra të rënda penale Ilir Paja dhe Hekuran Billa. Ky i fundit u ekzekutua pak kohë pas lirimit, më 11 qershor 2020.

Avokati i Memisë, Anteo Papa e cilësoi qëndrimin e KLP-së kontradiktor lidhur me përllogaritjet e kohës së vuajtjes së dënimit nga Billa. Sipas Papës, vetë KLP konkludon në vendim se Billa kishte kryer më shumë se ¾ e dënimit, ndërkohë që ngre pretendime se subjekti duhej të kishte konstatuar se përllogaritja nuk është në rregull. Ai shtoi se seanca e caktuar nga gjykata për shqyrtimin e kërkesës së Billës për lirimin me kusht ishte shtyrë dhe se Memia nuk kishte pasur lidhje me këtë shtyrje. “Nuk ke se si rri pasiv kur seanca është shtyrë”, pohoi ai.

Papa kundërshtoi konstatimet se Memia nuk kishte verifikaur sjelljen e mirë të konkluduar për lirimin e Billës. Sipas tij, legjislacioni i ka dhënë të drejtë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimit Penal, IEVP-së, jo gjyqtarit dhe prokurorit. Avokati Papa solli në vëmendje legjislacionin që rregullon këto kompetenca.

“Këto janë veprime të kryera nga disa institucione shtetërore dhe janë kurorëzuar me vendim gjykate”, pohoi Papa dhe sqaroi se kishin marrë përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve se nuk ishte penalizuar asnjë prej punonjësve që kishin hartuar raportet për Billën dhe se ato konsideroheshin të ligjshme. “Nuk mund të bëhet përgjegjës për akte që janë prodhuar nga institucione të tjera dhe që konsiderohen të ligjshme. Nuk ka akt të paligjshëm kur bazohet në akte të ligjshme”, pohoi ai.

Sipas Papës, vetë KLP i konsideron të rregullta aktet e hartuara nga IEPV Krujë, ndërsa vendimin e gjykatës për lirimin me kusht të Billës si të pabazuar në ligj.

Memia renditi gjithë raportet pozitive për Billën të hartuara nga IEVP-Krujë. Sipas tij nuk qëndron konstatimi se është liruar një person me impakt dhe me rrezikshmëri të lartë, pasi në Mbretërinë e Bashkuar, Billa kishte qëndruar në burg të sigurisë së zakonshme.

“Ka pasur spekullim dhe është hedhur në media për të shkarkuar prokurorin. Më bëjnë përgjegjës për diçka që nuk e kam pasur kompetencë, kur nuk kam qenë pjesë e gjykimit dhe nuk kam qenë palë”, pohoi Memia dhe shtoi se ka vepruar gjithmonë bazuar në fakte dhe në bindjen e brendshme.

Ai solli në vëmendje rastin e vendimit të gjykatës për lirimin me kusht të Genc Tafilit, që e kishte ankimuar pasi kishte konstatuar parregullsi. “Kur kam konstatuar paligjshmëri kam bërë ankim”, theksoi Memia.

“Funksionon me bindje të brendshme. Kështu e kam trurin. Kaq e kam diapazonin. Nuk kam devijuar nga bindja e brendshme”, shtoi ai.

Lidhur me një prej katër vendimarrjeve të Gjykatës së Krujës të verifikuara nga KLP, avokati Papa sqaroi se subjektit i ishte vendosur në dispozicion vendimi i arsyetuar pasi kishte kaluar afati 15-ditor i ankimit.

Po ashtu, u pyetën përfaqësueset e ILD-së nëse ka pasur hetim disiplinor të filluar ndaj tre anëtarëve të KLP-së që kanë votuar për shkarkimin e Memisë, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte kërkuar inspektimin e çështjeve të hetuara prej tyre. Nisur nga kjo, Memia pretendon se tre prej anëtarëve të KLP-së janë gjendur në kushtet e konfliktit të interesit.

Prokurori memia ngre pretendime dhe për mungesë të procesit të rregullt ligjor, duke argumentuar se nuk është arsyetuar mënyra e fillimit të hetimit disiplinor, si dhe për çdo provë dhe vendimarrje.

Përfaqësuesit e KLP-së paraqitën në fillim të parashtrimeve një analizë lidhur me aspektin kushtetues dhe procedural të prokurorit. Sipas KLP-së, nuk qëndron pretendimi se shfuqizimi i një togfjalëshi në legjislacionin për vetigun e magjistratëve nga Gjykata Kushtetuese nuk mundësohej procedimi i tij disiplinor. Lidhur me vendimin, përfaqësuesit e KLP-së sqaruan se ka qenë mjaft i gjerë, por do se ishte e pamundur të arsyetohej mbi çdo detaj të akteve në fashikullin me mijëra faqe.

Lidhur me pretendimin për konflikt intresi, u sqarua se nuk ka pasur hetim disiplinor ndaj tre anëtarëve të KLP-së.

Përfaqësuesit e KLP vijuan me argumentet për rrethanat e procedimit disoiplinor. Ata konstatuan se prokuoria përfaqëson shtetin dhe është garante e mbrojtjes së të drejtave themelore të individit, si dhe të interesit publik.

“Roli i prokurorit është i barabartë me palët në proces për të paraqitur akuzën e shtetit. Prokurori ka detyrimin të luajë roli aktiv që të orjentojë gjykatën drejt një vendimi sa më të drejtë”, argumentoi një përfaqësues i KLP-së dhe shtoi se prokurori ka detyrimin të ushtrojë detyrën e tij dhe në rastet e ekzekutimit të vendimit penal.

Sipas KLP, me shkeljet e kryera është cënuar edhe besimi i publikut tek drejtësia, pasi janë kryer nga një magjistrat që ka përvojë të gjatë dhe nuk mund të jenë kryer nga pakujdesia.

Avokati Papa i pyeti përfaqësuesit e KLP-së nëse vjetërsia në punë ishte parametër për të konkluuduar se rrethana ishte e qëllimshme apo nga pakujdesia. Ata u shprehën se vlerësimi kishte të bënte edhe me përvojën në punë, pasi një magjistrat që sapo kishte filluar detyrën mund të vlerësohej ndryshe.

Në vijim përfaqësuesit e KLP-së sqaruan konstatimet lidhur me qëndrimet e prokurorit Memia në katër çështje për të cilat Gjykata e Krujës ka marrë vendime për lirime me kusht të të dënuarve. Sipas KLP-së, Memia me qëndrimin pasiv nuk ka mundësuar kontrollin e këtyre vendimeve nga gjykata më të larta. “Ka koherencë të mosveprimeve të prokurorit”, vërejtën përfaqësuesit e KLP-së dhe këkruan lënien në fuqi të shkarkimit të Memisë për shkelje të rëndë gjatë ushtrimit të detyrës dhe cënim të besimit të publikut tek drejtësia.

Përfaqësueset e ILD-së e përqëndruan analizën e tyre kryesisht mbi legjilsacionin që përcakton shkeljen e rëndë dhe procedimin disiplinor të subjektit. Ato vërejtën se legjislacioni është hierarkik dhe se kushtetuta qëndron në majë të piramidës. Sipas ILD-së, kushtetuta e përcakton qartë rastin e shkeljes së rëndë. “Parashikohet shkarkimi dhe nga pakujdesia që sjell pasoja të rënda. Shkarkimi u kërkua bazuar në një dispozitë kushtetuese. Pse ishin shfuqizuar disa nene nuk do të thotë se nuk duhet proceduar magjistrati bazuar në dispozitat kushtetuese”, deklaroi një prej përfaqësueseve të ILD-së dhe vërejti se vakumi i përkohshëm nuk mund të shmangi magjistratin nga kontrolli.

Ato theksuan se subjektit i ishin siguruar të gjitha të drejtat për të pasur një proces të rregullt ligjor. Ashtu si KLP, edhe ILD konstaton se Memia me mosveprimet e tij nuk ka mundësur kontrollin e vendimeve të gjykatës. Sipas ILD-së, ankuesi nuk ka mbajtur qëndrim për lirimet me kusht, megjithëse ka marrë dijeni për vendimet. “Shkeljet janë kryer me dashje dhe kanë synuar ardhjen e pasojës”, deklaroi një prej përfaqësueseve të ILD-së dhe vërejti se ishin liruar persona për vepra të rënda penale.

ILD konstatoi si prokurori është gjithmonë palë në këto procese, pasi mbron interesin publik.

Gjatë seancës, avokati Papa ngriti dyshime mbi mënyrën e administrimit të një akti nga ana e ILD-së. Ai pyeti përfaqësueset e këtij institucioni se në çfarë mënyre kishin administruar dosjen e të dënuarit Ilir Paja, pasi sipas një përgjigje të Gjykatës së Krujës nuk rezultonte të kishte dalë nga ajo gjykatë. “Të marrësh një dosje nga hiçi”, vërejti ai.

Lidhur me disponimin e vendimit të Ilir Pajës, nga sqarimet e dhëna prej përfaqësueseve të ILD-së u kuptua se ishte marrë në hetimin disiplinor të kryer për gjyqtaren Enkeleda Hoxha.

Prokurori Memia shkoi më tej lidhur me këtë pretendim duke deklaruar se ndaj tij ishte kryer komplot. “Të vendosen të dhëna në procedimin disiplinor tregon qëllim që të më shkarkonin”, theksoi Memia.

Ai pohoi se kishte hetuar një çështje për kapjen e një celulari një personi të dënuar, por e kishte marrë përsipër një i dënuar me burgim të përjetshëm dhe se për këtë arsye kishte ngritur akuzë për kryerjen e veprës penale në bashkëpunim dhe kishte kërkuar “arrest në burg”. Sipas Memisë, në momentin që të proceduarit prej tij i kishte përfunduar dënimi i mëparshëm, ishte i detyruar të qëndronte në qeli pasi kishte masën e sigurisë “arrest në burg”.

Ai pohoi se e kishin zëvendësuar pa e ditur me një prokuror tjetër që është aktualisht në ILD, i cili sipas tij, kishte kërkuar detyrim paraqitje duke mundësuar lirimin e proceduarit për mbajtjen e celularit në qeli.

“Më mirë më thoni hiq dorë se nuk të duam. Por padrejtësia është gjëja më e keqe. Do mbajnë përgjegjësi tek Zoti”, deklaroi Memia.

Një prej përfaqësueseve të ILD-së vërjeti se po dilej nga objekti i çështjes dhe kërkoi që të mospërmendeshin emra.

I tensionuar, Memia theksoi se nëse kishte shkelur ligjin, atëherë kishte bërë korrupsion dhe goditi tavolinën me pëllëmbë. Kryesuesja e Kolegjit Albana Shtylla kërkoi që palët të ruanin qetësinë dhe të mos përmendeshin emra, por Memia vërejti se nuk kishte përmendur asnjë emër. “Çfarë të bëj, të fle gjumë kur të tjerët me bien në qafë. […] Doja të thoja se nuk jam bërë palë me paligjshmërinë”, u shpreh gjatë seancës Memia.

Në seancë u debatua edhe lidhur me konsiderimin e ligjit “Për aminstinë”, ku Memia u shpreh se legjislacioni më i fundit i kishte përjashtuar ndalimet e praktikës së mëparshme, ndërsa përfaqësuesit e KLP dhe ILD e kundërshtuan.

Memia pretendoi se gjatë seancës dëgjimore në KLP ishte bullizuar nga drejtuesi seancës dhe kërkoi administrimin e regjistrimit audio për ta verifikuar.

Në përfundim KPA vendosi të administrojë provat e dorëzuara nga palët dhe seanca u shty për konkluzionet përfundimtare më datë 9 maj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *